Ndërlidhjet

UNMIK-U I PËRGJIGJET KRITIKAVE TË Z. JAKUP KRASNIQI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Letra e Jakup Krasniqit drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan, është shprehje e qëndrimit të tij të vazhdueshëm se duke kritikuar UNMIK-un mund të shkohet drejt statusit final që ai e mendon, ka thënë sot në Prishtinë ushtruesi i detyrës së kryeadministratorit të UNMIK-ut Charles Brayshow, duke vlerësuar se në këtë pikë zoti Krasniqi është në pajtueshmëri me kryeministrin e Serbisë Zhivkoviç. Këto vlerësime zoti Brayshow i ka bërë pas një takimi në kuvendin komunal të Prishtinës, duke komentuar një letër plot akuza për UNMIK-un, që Ministri i Shërbimeve Publike dhe aktualisht ushtrues detyre i kryeministrit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka dërguar Sekretarit Anan:
"Duket se kjo letër reflekton pozicionin e përgjithshëm që mban zoti Krasniqi, i cili beson se duke kritikuar UNMIK-un sa më shumë që mundet, do të mund të dëshmojë se tani është koha për të shkuar drejt statusit përfundimtar që ai sheh për Kosovën," tha zoti Brayshow. Në të vërtetë, në një letër publike që zoti Krasniqi i ka drejtuar Nju Jorkut zyrtar, thuhet se UNMIK-u po zhvillon një politikë të Beogradit, duke mos bërë asgjë në të mirë të Kosovës dhe i ka quajtur ata persona non grata. Zoti Krasniqi në letrën e tij ka thënë gjithashtu se UNMIK-u nuk arrin të kontrollojë as pas katër vjetësh 30 për qind të territorit të Kosovës, ku sipas tij veprojnë edhe shërbime të ndryshme sekrete serbe.
Mirëpo, duke theksuar se ende nuk është koha për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ashtu siç pretendon ministri Krasniqi, njeriu i parë i UNMIK-ut në Kosovë, zoti Brayshow tha:
"Në këtë kuptim ai duket se është në pajtueshmëri me kryeministrin e Serbisë Zhivkoviç, por unë e di se shumica e popullit të Kosovës nuk pajtohet me zotin Krasniqi, ashtu siç nuk pajtohen me të as Kombet e Bashkuara dhe as vendet donatore që kanë lavdëruar UNMIK-un për shkarkimin e kompetencave tek autoritetet vendore," tha zoti Brayshow, për të shtuar se tani nuk është koha për të përcaktuar statusin final të Kosovës, por është koha për përmbushjen e standardeve që do të çonin drejt përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, një punë që duhet bërë përmes një bashkëpunimi ndërmjet pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore.
Jakup Krasniqi, Ministër i Shërbimeve Publike në qeverinë e Kosovës, që po zëvendëson kryeministrin Rexhepi, ditët e fundit ka pasur disa fërkime me UNMIK-un, pasi këta të fundit e kanë kritikuar atë se duke vënë parakushte, po minon përpjekjet për të siguruar bisedimet për çështje praktike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG