Ndërlidhjet

SHBA DO VAZHDOJNË TË MBËSHTESIN KOSOVËN NË RRUGËN E SAJ


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zyra amerikane në Prishtinë, i ka rikonfirmuar sot qeverisë së Kosovës gadishmërinë e saj për bashkëpunim të ngushtë në çështjet e cilësuara të prioritetit të lartë, që e presin ekzekutivin e Kosovës, siç janë përgatitjet për fillimin e dialogut me Beogradin, përmbushja e standardeve si dhe aspekte të zhvillimit ekonomik. Në një takim të zhvilluar sot ndërmjet kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepit dhe shefes së zyrës amerikane në Prishtinë Marsi Ris, diplomatja amerikane tha se është e gatshme për bashkëpunim me zotin Rexhepi në një strategji të përbashkët për arritjen e qëllimeve në interes të Kosovës.
“Biseduam këtu dhe për dialogun me Beogradin dhe për faktin se tani nevojiten përgatitjet për fillimin e këtij dialogu”, theksoi Ris, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të jenë të gatshme për këtë dialog. Ndërsa kryeministri Rexhepi, tha se qeveria e tij do t’i bëjë përgatitjet e duhura, ndërsa nuk parashikoi nëse mund të pritet që bisedimet e paralajmëruara për çështje teknike të kenë sukses. Ai tha se fillimi i bisedimeve me Beogradin nuk mund të pritet para se shefi i ri i UNMIK-ut të vijë në Kosovë:
“Ne po i bëjmë disa përgatitje, por sigurisht ky është një proces për të cilin nevojitet logjistika, një grup ekspertësh që do na ndihmonin për t'u përgatitur. Se sa do të kenë sukses bisedimet, kjo nuk varet vetëm nga kosovarët, varet edhe nga pala serbe dhe nga faktori ndërkombëtar. Ne duhet t’i bëjmë përgatitjet maksimale që të jemi partnerë të barabartë, pra që të mos jemi inferiorë në asnjë aspekt”, tha kryeministri Rexhepi, i cili sot u paraqit për herë të parë para mediave pas pushimeve verore. I lutur që ta komentojë letrën që ushtruesi i detyrës së kryeministrit gjatë pushimeve, ministri Jakup Krasniqi, u kishte dërguar instancave më të larta ndërkombëtare e vendore, në të cilën kishte kritikuar haptas UNMIK-un për dështime gjatë katër viteve të administrimit të Kosovës, Rexhepi tha se ka vend për kritika si për UNMIK-un ashtu edhe institucionet e Kosovës, por shtoi se Kosova duhet të shikojë nga e ardhmja dhe t’u shmanget kritikave për të kaluarën:
“Mendoj se Kosova ka si prioritet që të shkojë përpara dhe të merremi sa më pak me të kaluarën. Ka vend për kritika edhe për UNMIK-un, edhe për institucionet e Kosovës, por mendoj se misioni i UNMIK-ut është një projekt i përbashkët dhe ne duhet të bashkëpunojmë sa më ngushtë, në mënyrë që të ketë sa më pak hapësirë për kritika ndaj njëri-tjetrit. Por, nëse duhet, ato kritika duhet të bëhen në mënyrë institucionale në vendin ku vendosen shumë çështje. Mendoj se ne duhet të orientohemi kryesisht në të ardhmen dhe sa më pak të flasim për të kaluarën”, ka thënë Rexhepi.
Gjatë takimit me zonjën Marsi Ris, u tha se një prej temave kryesore ishte dhe caktimi i një strategjie për zhvillimin ekonomik në Kosovë.
“Unë jam këtu dhe planifikoj të bëjë gjithçka në mundësinë time që t’i inkurajoj investimet në Kosovë”, tha Ris, për të shtuar se privatizimi është proces që i duhet Kosovës, ndërsa premtoi ndihmën amerikane për modernizimin e sistemit energjetik në Kosovë, i cili vazhdon të mbetet në kollaps.
Ndërkohë, Rexhepi është shprehur i pakënaqur me zhvillimin e deritanishëm ekonomik në Kosovë, si dhe me procesin e privatizimit. Në këtë aspekt, ai kërkoi ndihmën e ekspertëve amerikanë dhe atyre evropianë, përmes USAID-it dhe Bashkimit Evropian, që të bëhen përparime në privatizimin e pronës, në mënyrë që në Kosovë të ngrihen bazat e një ekonomie të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Si zonja Ris ashtu dhe zoti Rexhepi pohuan gjithashtu se në Kosovë duhet shtuar përpjekjet për kthimin e të zhvendosurve dhe ngritjen e një shoqërie demokratike.



XS
SM
MD
LG