Ndërlidhjet

SHTETI MË I RI BALLKANIK ËSHTË NË GJENDJE STRESI


NEW YORK TIMES

Shteti më i ri në Evropë është një vend i vetëm, i përbërë nga dy ish republikat jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi. Por kjo teori nuk është edhe në praktikë, ka thënë 40 vjeçari Milorad Zhivkoviç, që këtë e dëshmonte me 24 tonelatat e shalqinit duke pritur në vendkalimin kufitar midis Serbisë dhe Malit të Zi. Më duhet të mbush më shumë letra se në ndonjë kufi ndërkombëtar të Francës apo Gjermanisë, ka thënë Zhivkoviç. "Duhet të kaloni nëpër 6 pika të doganës nëse nga Serbia doni të shkoni në Mal të Zi", ka thënë ai.
Gjashtë muaj pas krijimit të shtetit Serbi dhe Mal i Zi nga gërmadhat e Jugosllavisë, duket sikur frustrimet po rriten me këtë eksperiment të unitetit ballkanik, dhe rritet përshtypja se punët nuk shkojnë mjaft mirë. Diplomatët dhe politikanët nga të dyja palët gjithnjë e më shumë e shohin se progresi është i ngadalshëm, ndërsa vendi ndoshta nuk do të mund të jetojë madje as tre vjet, kur parashihet që me referendum të vendoset nëse vendi do të vazhdojë të mbetet i bashkuar.
"Megjithatë është mjaft vështirë", ka pohuar në Beograd Jan William Blankert, një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, që më së shumti e dëshironte unifikimin e Serbisë dhe Malit të Zi. Gjasat janë vetëm 50 %, ka thënë Blankert.
Shqetësimet janë të mëdha, shkaku i precedencës. Nëse Mali i Zi me rreth 650 mijë banorë do të ndjekë udhën e vet, atëherë kjo mund të ndodhë edhe me pjesët problematike që duan të ndahen: Kosova, ku shqiptarët dëshirojnë ta lënë Serbinë pas luftës së vitit 1999, zonat e dominuara me serbë në Bosnje, madje ndoshta edhe territoret shqiptare në Maqedoni, ku para dy vitesh shpërthyen luftimet.
Marrëveshja për bashkimin e dy republikave u formalizua në muajin shkurt, por megjithatë politikanët dhe intelektualët nga të dyja anët, thonë se procesi e vështirëson ardhmërinë edhe më shumë. Ankesat janë gjithnjë e më të zëshme në Serbi, e cila tradicionalisht e ka favorizuar unifikimin. Tani shumë politikanë thonë se rrjedha e ngjarjeve, vendin edhe më shumë e largon nga qëllimi i rëndësishëm, bashkangjitja me Unionin Evropian.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian vazhdimisht po kërkon "harmonizim" më të madh mes dy republikave, si parakusht për fillimin e negociatave për asocim. Por politikanët serbë ankohen se homologët e tyre malazezë, të prirë nga forcat pro pavarësisë, janë ata të cilët pengojnë.
"Sipas meje, duhet të jetë një vend, por në Mal të Zi nuk ka përcaktime politike për këtë. Realiteti është se kemi dy shtete me lidhje shumë të dobëta", ka thënë Miroljub Labus, ish zëvendës kryeministër dhe lider i partisë reformatore G-17.
Ai thotë se deri tani ka patur shumë pak progres drejt shkrirjes së dy vendeve. Disa përparime janë bërë në armatë dhe dogana, por çështjet më të vështira mbeten në fushën e drejtësisë, komunikimeve dhe energjisë.
"Zgjidhja duhet gjetur sa më shpejt, çfarëdo që të jetë ajo, sepse ekonomia është e shkatërruar, kurse njerëzit janë pa punë", ka thënë Labus.
Por, si gjithçka në Ballkan, edhe historia e shtetit të ri Serbi dhe Mali i Zi është e komplikuar.

Autori i artikullit është Ian Fisher.
XS
SM
MD
LG