Ndërlidhjet

E ARDHMJA E KOSOVËS NUK DO TË VARET NGA VEPRIMET E BEOGRADIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryetari i Kuvendit Nexhat Daci tha gjithashtu se puna e institucioneve të Kosovës nuk duhet të ndikohet nga veprimet dhe pozicionimet e Beogradit ndaj Kosovës. Këto komente, Daci i ka bërë pas takimit që ka zhvilluar me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Von Sydovin, ndërsa po vlerësonte paralajmërimet për futjen e Kosovës në kuadër të preambulës së Kushtetutës së Serbisë:
“Ju e dini qëndrimin tim. Pavarësia e Kosovës, nuk varet nga ato që thonë fqinjët, por varet nga puna që ne bëjmë në institucione, varet nga aftësia e jonë për ta udhëhequr popullin e Kosovës në liri të plotë, në demokraci të plotë, në një ekonomi tregut”, ka thënë kryeparlamentari Nexhat Daci, në paraqitjen e tij të parë pas pushimeve. Në vazhdim ai i ka dhënë mbështetje dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pandeli Majko dhe reagimeve të tij lidhur me kushtetutën serbe.
“Unë e mbështes plotësisht atë që e ka thënë Ministri shqiptar i Mbrojtjes, por këto janë qëndrimet e mia personale. Mendoj se Shqipërisë do t’i bënte më mirë të ketë një lloj mendimi të tillë edhe më tepër nëpër parti e parlament”. Sidoqoftë, ka shtuar Daci, Parlamenti i Kosovës, ka hyrë sipas tij në një fazë tjetër të mandatit për t’i ofruar bashkësisë ndërkombëtare argumente për ndërtimin e një Kosove të pavarur. Pavarësisht veprimeve të Beogradit, pala kosovare do të jetë e gatshme për bisedimet teknike, ka thënë Daci, për të shtuar se institucionet vendore nuk duhet të humbin energji në lidhje me pozicionimet e Serbisë ndaj Kosovës:
“Ne jemi përcaktuar qartë se jemi të gatshëm për dialog. Por, ndonjë “çinovnik” çka thotë për Kosovën nuk duhet humbur shumë kohë. Institucionet duhet të merren me punë, ndërsa analistët politikë, shkrimtarët, gazetarët duhet të japin përgjigje të mjaftueshme dhe ne nuk duhet të humbim shumë energji”, ka pohuar kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Daci tha po ashtu se energjinë që duhet të ruajnë institucionet e Kosovës, duhet t'a shfrytëzojnë për përmbushjen e standardeve për integrimin e Kosovës në Evropë. Për këtë qëllim, sipas tij, Kosova po merr çdo ditë dhe më tepër përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. Në anën tjetër, homologu i tij nga Suedia, tha shkurt se kishte takuar Dacin me qëllim që t'a ftonte Kuvendin e Kosovës për një vizitë në Suedi.
"Është shumë me rëndësi për Kosovën dhe Evropën që zhvillimi parlamentar në Kosovë është shumë pozitiv”, ka thënë Sydovin.
Më pas ai ka takuar dhe anëtarin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës Oliver Ivanoviç, i cili tha se i kishte prezantuar zotit Sydovin vlerësimet e koalicionit “Kthimi” për gjendjen në Kosovë:
“Situata nuk është as për së afërmi aq e mirë siç e prezantojnë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Ivanoviç, për të shtuar se një prezantim të papranueshëm për koalicionin “Kthimi” e kishte bërë ish- shefi i UNMIK-ut Mihael Shtajner para Këshillit të Sigurimit, pak ditë para se të përfundonte mandati i tij.

XS
SM
MD
LG