Ndërlidhjet

NEXHAT DACI: BRUKSELI NUK ËSHTË VENDI I ASPIRATAVE KOSOVARE PËR DIALOG


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Brukseli nuk është vendi për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar sot në Prishtinë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, pas një takimi me shefin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri. Këtë mesazh zoti Holkeri e ka marrë nga bashkëbiseduesi i tij i fundit për sot, pasi ishte takuar më herët me kryetarin Rugova, me kryeministrin Rexhepi dhe me komandantin e krahut jugor të NATO-s admiralin Gregory Johnson. "Unë nuk do ta përkrahë dialogun në Bruksel. Brukseli nuk është vend i aspiratave kosovare për dialog, por është synim për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Brukseli nuk i ka ofruar Kosovës vizion në asnjë periudhë, as gjatë okupimit. Ka qenë Uashingtoni ai dhe e kam komplimentuar administratën e atëhershme amerikane dhe dëshiroj që këtë ta vazhdojmë bashkarisht", tha kryeparlamentari Nexhat Daci, duke i vlerësuar si shkatërruese deklaratat e kohëve të fundit që vijnë nga Beogradi. Se paralajmërimet për futjen e Kosovës në kushtetutën e Serbisë dhe për miratimin e një deklarate për Kosovën në Kuvendin serb po e pamundësojnë mbajtjen e bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka thënë sot edhe kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova: "Ne Beogradin e njohim, për fat të keq ata vazhdojnë politikën e vjetër, por kjo do të ndikojë edhe në ato që mendohet se mund të bisedohet për çështje praktike me Beogradin, që ka qenë një sinjal nga takimi i Selanikut, por këto vërtet e vështirësojnë, por nuk dua të jem ekstrem, por e pamundësojnë edhe fillimin e bisedimeve për çështje praktike. Për ne janë të njohura këto bla-bla". Mirëpo, zoti Holkeri tha se askush nuk duhet të shqetësohet për paralajmërimet e Serbisë për futjen e Kosovës në kushtetutën serbe pasi Serbia mund të zhvillojë këso diskutimesh dhe kjo është çështje e saj, por kjo nuk do të ketë ndikim në statusin e Kosovës. " Ndoshta ju duket se po përsëritem kur ju them se e ardhmja e Kosovës, statusi i saj përfundimtar do të zgjidhet në KS të OKB-së, pra as në Beograd dhe as këtu në Prishtinë", tha kryeadministratori Holkeri.
Ndërkaq, komandanti i krahut jugor të NATO-s admirali Gregory Johnson, i cili sot ka mbajtur një konferencë shtypi bashkë me kryeadministratorin Holkeri, tha se paralajmërimet për kushtetutën e Serbisë kanë ndikuar tashmë në situatën e sigurisë në Kosovë, natyrisht bashkë me disa faktorë të tjerë. "Mungesa e përfaqësuesit të lartë që tash e kemi, si dhe diskutimet për kushtetutën e Serbisë si dhe shumë gjëra të tjera të grumbulluara kanë rezultuar për këtë përkeqësim të situatës së sigurisë dhe paralajëmrimet për kushtetutën e Serbisë mund të jenë një nga faktorët që ka ndikuar për këtë", tha admirali Johnson. Ai tha se sot kishte ardhur enkas për t’u takuar me kryeadministratorin Holkeri dhe për t’i thënë se NATO-ja do të vazhdojë ta përkrahë UNMIK-un. Ai tha se janë shqetësuese incidentet e fundit, si vrasja e tmerrshme e fëmijëve në Gorazhdevc. Mirëpo, tha admirali Johnson, elementet që duan ta kthejnë Kosovën në të kaluarën nuk do t’ia dalin të përmbushin qëllimet e tyre, pavarësisht nëse verimet e tyre kanë motive etnike, politike apo kriminale.

XS
SM
MD
LG