Ndërlidhjet

B. CRVENKOVSKI: QËLLIMI I AKSIONEVE NË MALËSINË E SHKUPIT- LUFTIMI I GRUPEVE KRIMINALE


Isuf Kadriu, Shkup

Ndërkohë që gjendja e sigurisë në fshatrat e Malësisë së Shkupit po shkon drejt normalizimit, pas aksionit të djeshëm të forcave ushtarako-policore maqedonase, kryeministri Branko Crvenkovski, tha se qëllimi kryesor i qeverisë është luftimi i elementeve destabilizuese në ish- zonat e krizës, përfshirë edhe rajonin më të gjerë të fshatit Brezë. Kryeministri tha se kontaktet mes partisë së tij, Lidhjes Socialdemokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, janë permanente, sikurse edhe kontaktet me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.
"Vërehet një nervozizëm në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, por megjithatë rreth problemeve globale politike dhe qëllimeve përfundimtare, nuk egziston ndonjë dallim i madh", tha kryeministri Crvenkovski, duke komentuar takimin mes dy partive politike në qeveri, që përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete, sikurse dhe kërcënimet e BDI-së për braktisjen e koalicionit qeveritar.
Kryeministri Crvenkovski edhe njëherë konfirmoi vendosmërinë për, siç tha, neutralizimin e grupeve të armatosura.
"Të gjithë ata që gjenden në krye të grupeve të armatosura, apo që janë anëtarë të tyre, duhet patjetër që të dalin përpara drejtësisë dhe të përgjigjen për të gjitha veprat penale që kanë bërë në të kaluarën", tha kryeministri Crvenkovski, duke theksuar se për aktivitete të ardhshme në sferën e sigurisë, do të vendosë Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkohë duke folur rreth aksionit të djeshëm në fshatin Brezë të Malësisë së Shkupit, Ministri i Mbrojtjes, Vllado Buçkovski,tha se luftimet kishin filluar, pasi forcat e sigurimit ishin sulmuar nga, siç tha, grupe terroriste në atë rajon.
"Ata hapën zjarr dhe gjatë përleshjeve shpartalluan një grup prej pesë vetash, dy prej të cilëve janë vrarë, ndërsa njëri u plagos, dhe me ndihmën e dy personave të tjerë u largua në drejtim të fshatit Gushnicë", tha Ministri i Mbrojtjes Vllado Buçkovski.
Nga ana tjetër përfaqësuesit lokalë në Malësinë e Shkupit, thanë se atje sot ka mbretëruar situatë stabile.
"Gjendja po shkon drejt normalizimit dhe shpresojmë se së shpejti do të krijohen kushtet për njerëzit që të kthehen në fshatin e tyre dhe të fillojnë jetën normalisht", tha Maliq Sulusi, përfaqësues i fshatit Llukar, duke njoftuar se në Malësinë e Shkupit, sot kanë qëndruar edhe pjesëtarë të forcave të Bashkimit Evropian, si dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Zëdhënësja e BE-së, Irena Gjuzelova, konfirmoi stabilizimin e gjendjes, ndërsa edhe njëherë i dha mbështetje operacioneve të forcave të sigurimit.
"Ne vazhdimisht kemi thënë se mbështesim përpjekjet e qeverisë maqedonase për vendosjen e plotë të rendit në tërë territorin e saj", tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian Irena Gjuzelova.

XS
SM
MD
LG