Ndërlidhjet

B.ZENELI:"DUALIZIMI I ROLIT TË HARRI HOLKERIT KRIJON DYSHIME SE BISEDIMET TEKNIKE PRISHTINË-BEOGRAD NUK DO TË JENË SERIOZE"


Bernard Zeneli, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, pas takimit të shefit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, Harri Holkeri me Grupin e Kontaktit në Moskë, është thënë se zoti Holkeri do të jetë ndërmjetës në bisedimet për çështjet teknike Prishtinë- Beograd. Duke patur parasysh postin e zotit Holkeri dhe mungesën e kompetencave të kosovarëve në raport me pjesëtarët e delegacionit serb, cili është mendimi juaj, a nuk do të duhej që kryeadministratori Holkeri të jetë pjesë e delegacionit kosovar?

BERNARD ZENELI
Unë pyetjes suaj do t'i përgjigjem pozitivisht. Në fakt duhet të jetë pjesë e delegacionit kosovar, për më tepër që nuk është pala kosovare ajo që ka, unë do të thoja, legjitimitetin për të hyrë në këto bisedime. Kjo sepse mesa di unë nga pala serbe nuk është përcaktuar që po hyn në këto bisedime me qeverinë e Kosovës dhe që e njeh qeverinë e Kosovës si të tillë, e për të tjera probleme të tilla. Ajo që më çudit është ky dualizimi i rolit të zotit Holkeri, pra në njërën anë si negociator, dhe në anën tjetër si udhëheqës, si person i cili kryeson Kosovën. Ndoshta në qoftë se personi që do të jetë negociator ka në të njëjtën kohë edhe rolin e udhëheqësit të Kosovës, mund të jetë pozitiv, por në pikëpamjen ligjore, do të thoja, dhe në pikëpamjen politike më duket pak e çuditshme. Kur them është pak e çuditshme, duhet të them që zoti Holker ka qenë kryeministër, ka punuar në të njëjtën kohë edhe për Kombet e Bashkuara dhe e di mirë ndarjen e detyrave. Në këtë kohë, në këtë situatë, ky lloj dualiteti të krijon dyshime. Në rradhë të parë unë do të thoja që ndoshta këto bisedime nuk janë shumë serioze. Përderisa ai që është kreu i Kosovës merr rolin e negociatorit, atëhere pala tjetër, mund të themi për një moment, mund të jetë e anashkaluar. Nga ana tjetër ajo të ngjall dyshim, sepse në Kosovë ne mund të themi çfarë negociatori do të jetë ky njeri dhe çfarë interesash të serbëve do të mbrojë në krahasim me Kosovën. Pra duhet të jetë një i paanshëm. Është më vështirë për njeriun që është kryeadministrator i Kosovës, të mbajë një paanësi në situata, sado që janë këto teknike, por që janë vitale.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë konsiderojnë se mbajtja e mbledhjes së Grupit të Kontaktit në Moskë, në ecencë është kërkesë e Rusisë, që të ketë vend më të rëndësishëm për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit. Cili është mendimi juaj zoti Zeneli?

BERNARD ZENELI
Rusia ka një vend të rëndësishëm në fakt, sepse është një nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit që ka të drejtën e vetos në Kombet e Bashkuara. Dhe në qoftë se do të merrej një vendim, i cili për një moment mund të përkrahej nga katër anëtarët e tjerë dhe Rusia do të ishte kundër, kjo gjë do të krijonte probleme. Në qoftë se nga ana tjetër bindet Rusia, atëhere nuk do të jetë shumë e vështirë për t'u bindur edhe Kina për të marrë disa vendime, që unë besoj se shumë shpejt do të merren për sa i takon situatës apo çështjeve praktike në lidhjet Kosovë Serbi. Nuk e shoh shumë problematike çështjen që u mbajt takimi në Rusi. Moska vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në diplomacinë ndërkombëtare dhe duhet vlerësuar si e tillë dhe duhet parë në këtë aspekt. Është një vend që është anëtar i Këshillit të Sigurimit me të drejtën e vetos dhe si i tillë, është i rëndësishëm që të merret parasysh, por në të njëjtën kohë të përpiqemi që të bindet për një zgjidhje të favorshme të situatës në krahun e kosovarëve, jo në krahun e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, krerët e institucioneve të Kosovës, kërkojnë që në bisedimet për çështjet teknike të inkuadrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas jush, sa është kjo e rëndësishme për suksesin e bisedimeve?

BERNARD ZENELI
Unë e kam theksuar edhe më përpara se këto bisedime edhe pse mund të quhen praktike apo teknike, peshën politike e kanë jashtëzakonisht të madhe. Dhe, edhe pse më vjen keq që kanë marrë këtë ngjyrim, kjo është një gjë mëse normale. Në fakt jemi në prag fushatash zgjedhore, qoftë në Serbi, shumë shpejt edhe në Kosovë, për zgjedhjet e 2004. Kështu që secila palë do të përpiqet t'a përdori këtë, edhe mbështetjen që mund t'i japë çfarëdo fuqi ndërkombëtare, për të rritur rezultatin pozitiv në zgjedhjet që do të kenë në vendet e tyre. E parë në këtë kontekst, ndihma që mund të jepte pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara, mund të shikohej, flas gjithmonë në planin politik, si një mbështetje për Kosovën. Por për të qenë realist, roli që mund të luajnë nuk është shumë i madh, megjithatë thashë edhe roli për sa i takon aspektit politik të situatës është shumë i rëndësishëm, se tregon edhe njëherë që interesi i Shteteve të Bashkuara për këtë pjesë të globit nuk ka rënë.

Intervistoi Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG