Ndërlidhjet

A. XHAFERRI: "AKSH-JA, METAFORË E PAKËNAQËSISË SË SHQIPTARËVE NDAJ ZGJIDHJEVE TË DERITANISHME"


Arbër Xhaferri, kryetar i PDSH-së në IRJM

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhaferri, a ballafaqohet Maqedonia me krizë të sigurisë?

ARBËR XHAFERRI
Maqedonia në mënyrë ciklike hyn në kriza politike dhe të sigurisë. Vetë nevoja e qeverisë aktuale që të ketë gjithnjë marrëveshje politike me partnerë të ndryshëm, flet për jostabilitetin e kësaj qeverie. Nga ana tjetër më duket se egziston një lidhje e ngushtë mes mediave dhe kësaj qeverie, meqë mediat në mënyrë pompoze shprehin se egziston një krizë, duke i dhënë leje qeverisë aktuale që të ndërmarrë masa represive. Masat represive që u ndërmorrën kundër fshatrave të Karadakut, nuk përkojnë me nevojën që të intervenohet. Kjo qeveri ndërmerr hapa të tilla ushtarako-policore, me siguri për të mbuluar krizën e thellë ekonomike, sociale dhe politike që egziston në shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni faktin se organizatat ndërkombëtare u dhanë mbështetje aksioneve të tilla të policisë?

ARBËR XHAFERRI
Është e natyrshme që faktori ndërkombëtar gjithmonë do t'a mbështetë qeverinë dhe institucionet e saj në ekskursione të tilla. Unë mendoj se faktori ndërkombëtar më shumë do të parapëlqente një paqe të keqe, sesa një luftë të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se problemet që lidhen me sigurinë në vend, mund të lidhen me Kosovën?

ARBËR XHAFERRI
Propaganda, që është e shfrenuar kohët e fundit në Maqedoni, kërkon të gjejë një pretekst të fortë. Gjithmonë e kërkojnë armikun jashtë vetvetes. Ai armik është ose faktori perëndimor, që kinse i ndihmon shqiptarët për t'a destabilizuar Maqedoninë, ose Kosova, ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Kriza egziston brenda në politikën aktuale të qeverisë, që nuk di se si t'i zgjidhë këto probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se shqiptarët në Maqedoni duhet t'a kenë të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Por kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit që nënshkruat edhe ju.

ARBËR XHAFERRI
Çështja e vetëvendosjes është një e drejtë njerëzore, që nuk mund të tjetërsohet me çfarëdo politikë që mund të aplikohet. Vetëvendosja aktivizohet vetëm atëhere kur zgjidhje të tjera kanë dështuar. Zgjidhje të tjera për një marrëveshje paqësore, për një afrim, për një mirëkuptim, për një tolerancë në Maqedoni kanë dështuar prandaj automatikisht hapet çështja e vetëvendosjes. Ne e mbështetëm Marrëveshjen e Ohrit, sepse pandehnim se qeveria e ardhshme e Maqedonisë, me seriozitet dhe përgjegjësi do t'i qasej implementimit të kësaj marrëveshjeje. Mirëpo të gjitha analizat tona tregojnë se nuk ka zbatim të asaj marrëveshjeje që ne e kemi nënshkruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Por qëndrimi i faktorit ndërkombëtar është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

ARBËR XHAFERRI
Edhe unë mendoj se ndërrimi i kufijve nuk është zgjidhje e vetme, me kusht që marrëdhëniet ndëretnike të ndërtohen mbi bazat e të drejtave të barabarta. Meqënëse nuk ka të drejta të barabarta, atëhere duhet të hapen kategori të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se AKSH-ja është realitet në Maqedoni?

ARBËR XHAFERRI
AKSH-ja është në esencë metaforë e pakënaqësisë së shqiptarëve ndaj zgjidhjet që janë ofruar deri tani. AKSH-ja egziston vetëm si një ide që kërkon legjitimitetin e vet në gabimet e kësaj qeverie.

Intervistoi Ivan Bllazhevski

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG