Ndërlidhjet

E. STAVILECI: KONFUZION ( JO ) I RASTËSISHËM I DIALOGUT


Esat Stavileci, Akademik

RADIO EVROPA E LIRË
Akademik Stavileci, tema e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit është temë dite në opinionin kosovar por edhe atë ndërkombëtar. Cilat janë dilemat dhe shkaqet e hezitimeve për fillimin e bisedimeve, të cilat sipas të gjitha gjasave do të fillojnë brenda këtij viti?

ESAT STAVILECI
Rreth bisedimeve është krijuar një konfuzion, do të thoja jo i rastësishëm, sepse ka shumë paqartësi dhe të panjohura në lidhje me to. E para, kush me kë do të takohet; e dyta, për çfarë do të bisedohet; e treta, kush do të ishte ndërmjetës dhe zbatues i marrëveshjeve eventuale të arritura, dhe e katërta, në cilën cilësi do të takoheshin delegacionet: si dy tërësi të ndara njëra prej tjetrës, apo si dy pjesë të një tërësie?
E gjithë kjo ndikon në hezitimet e palëve për bisedime. Prandaj, më duket se problemi është më kompleks se ç’pretendohet të paraqitet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos për faktin se institucionet e Kosovës, siç dihet, nuk janë të veshura me shumë autorizime, për të marrë përsipër përgjegjësitë për përmbushjen e detyrave eventuale që dalin nga bisedimet.
Sado që formalisht deklarohen se janë për bisedime, kam përshtypjen se ato në fakt, po i imponohen si njërës, dhe tjetrës palë. Veçanërisht ato po i imponohen Kosovës, në një kohë kur Unioni Serbi Mali i Zi dhe Serbia në mënyrë të veçantë ndërmorrën disa veprime, që megjithë deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian se ato nuk kanë ndikim në statusin e Kosovës, kanë pretendime t'a paragjykojnë atë ose, së paku, të sigurojnë një pozitë më të lartë startuese për bisedime. Bashkimi Evropian nuk u tregua i vendosur për t’i parandaluar ato veprime. Madje, disa prej tyre u bënë pothuajse me miratimin e tij. Si pasojë e mungesës së ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare në ato veprime, sot për shembull, ndeshemi me dukurinë me të cilën ballafaqohen bashkëkombësit tanë me punë të përkohshme jashtë shtetit, atë të mospranimit të dokumenteve të UNMIK-ut, ose të detyrimit të pajisjes me dokumentet e Unionit Serbi- Mali i Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedat në mes të Prishtinës e Beogradit do të përqëndrohen, siç po deklarohet nga ana e ndërkombëtarëve, në çështjet praktike. Ka mendime se çdo bisedë në mes Prishtinës dhe Beogradit në esencë është bisedë për statusin përfundimtar të Kosovës. Cili është mendimi juaj?

ESAT STAVILECI
Unë mendoj se edhe bisedimet për çështjet, siç po thuhet praktike, tërthorazi, prekin çështjet e statusit.
Nëse Serbia deklaron se statusi i Kosovës është i panegociueshëm, edhe më shumë këtë do të duhej ta deklaronte Kosova, meqë në kohën e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, pati një plebishit për shtetin e pavarur të Kosovës. Prandaj, Kosova në asnjë mënyrë dhe me asnjë akt të vetin, nuk miratoi as krijesën artificiale shtetërore “Jugosllavi e ZhablakuT”, as Unionin Serbi – Mali i Zi që synon të përfshijë dhunshëm Kosovën brendapërbrenda tij, përkundër vullnetit të deklaruar të popullit që u konfirmua edhe në luftën e UÇK-së për liri.
Edhe pse unë kam rezervat e mia për bisedimet, për shkak se nuk mund të bisedohet sikur nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë, po qe se do të detyrohej të ulet pala jonë në ato bisedime, do të duhet të jetë shumë e përgatitur profesionalisht dhe politikisht të mos pranojë aranzhmane, sepse ato do të çonin në ndonjë rrugë ku do të detyroheshim të ndaleshim, dhe kjo do të mund të shërbente si preteks se pala jonë është ajo që ndërpreu bisedimet.
Unë nuk dëshiroj të mbaj leksion, sepse i kemi institucionet dhe ato duhet të jenë shumë të vëmendshme për kushtet dhe rrethanat, në të cilat do të mund të zhvilloheshin bisedimet, duke zbërthyer dhe analizuar çdo detaj, si dhe duke kërkuar prani të fuqishme ndërkombëtare në bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
Të gjithë, edhe pala kosovare, edhe Beogradi, kur flasin për të drejtën mbi Kosovën, përmendin Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB. Secila anë e interpreton rezolutën ashtu siç i konvenon. Si i vlerësoni ju këto interpretime?

ESAT STAVILECI
Unë edhe herëve të tjera kam folur për interpretimet e njëanshme që i bëhen Rezolutës 1244, veçanërisht kam kundërshtuar pikëpamjet e zyrtarëve të bashkësisë ndërkombëtare, që shprehen se statusi i Kosovës do të përcaktohet në bazë të saj. Po ashtu i kundërvihem deklaratave se të ardhmen e Kosovës e vendos Këshilli i Sigurimit, dhe se ajo nuk vendoset as në Beograd, as në Prishtinë. Në lidhje me pikëpamjet e para nuk merret parasysh fakti se RSFJ-ja e vitit 1974, pjesë përbërëse e së cilës ishte Kosova, nuk egziston më dhe se Kosova, meqë gëzonte statusin e njësisë federale, nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asaj që trashëgojnë, qoftë Republika Federale e Jugosllavisë, qoftë Unioni Serbi - Mali i Zi, dhe kurrësesi Serbia. Në fakt, Kosovës do t’i takonte të merrte pjesën e vet, si bartës i suksesionit, nga pasuria e ish-Jugosllavisë dhe për këtë ia vlen të angazhohen institucionet e Kosovës. Ndërsa pohimet, se e ardhmja e Kosovës nuk do të vendoset as në Beograd dhe as në Prishtinë, por në Këshillin e Sigurimit, pretendojnë të privojnë qytetarët e Kosovës, nga e drejta e vetëvendosjes dhe deklarimi i tyre për shtetin e pavarur.
Sipas mendimit tim bashkësia ndërkombëtare do të bënte investim të gabueshëm, po qe se do të përcaktohej për ndonjë zgjidhje që do të anashkalonte vullnetin e deklaruar të popullit, si faktor suprem për të ardhmen e tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët dhe institucionet ndërkombëtare kohëve të fundit thonë se pavarësisht nga statusi, e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. A konsideroni se ka garanci të mjaftueshme për realizimin e një përcaktimi të tillë?

ESAT STAVILECI
Premtimet e zyrtarëve ndërkombëtarë se pavarësisht nga statusi, e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, nuk paraqesin garanci për identitetin dhe sovranitetin e Kosovës. Egzistojnë një numër indikatorësh që e bëjnë të vështirë parashikimin e fatit të bisedimeve dhe të ardhmes së Kosovës. Së pari, ngurimi i bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar agresionin kushtetues të Serbisë ndaj Kosovës, përderisa ajo është nën administrimin ndërkombëtar. Së dyti, hezitimet e UNMIK-ut për t’i transferuar kompetencat në institucionet vendore të Kosovës, dhe së treti, mungesa e transparencës rreth agjendës së bisedimeve dhe shkallës së ndërkombëtarizimit të tyre. Institucioneve tona unë do t’u rekomandoja maturi në veprimet e mëtejshme, vëmendje dhe nuhatje për skenarët, që mund të dëmtojnë të ardhmen e Kosovës dhe veçanërisht, afrimin e pikëpamjeve për t’u paraqitur me një zë në mbrojtje të Kosovës dhe në ecjen rrugës së pavarësisë së saj.

Intervistoi Gëzim Baxhaku

XS
SM
MD
LG