Ndërlidhjet

KUVENDI NUK GJEN QËNDRIM TË PËRBASHKËT PËR BISEDIMET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar sot lidhur me situatën aktuale politike dhe për paralajmërimet për bisedimet për çështje teknike Prishtinë-Beograd, por pa miratuar ndonjë deklaratë apo qëndrim të Kuvendit. Fillimisht, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti tha se është vështirë të bëhen bisedime teknike pa prekur aspektin politik, prandaj nëse duhet patjetër të nisin bisedimet, atëherë duhen përmbushur disa parakushte dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ruajë të drejtën e shqyrtimit të gjithë procesit. Ndërkaq, duke lexuar një qëndrim të komisionit parlamentar për marrëdhënie me jashtë, zoti Hamiti, në cilësinë e kryesuesit të këtij komisioni tha:
"Komisioni konsideron se mund të bisedohet vetëm për çështje që në asnjë mënyrë nuk prekin dhe nuk paragjykojnë statusin përfundimtar të Kosovës, që duhet të zgjidhet në bazë të vullnetit të qytetarëve të saj. Komisioni konsideron se duhet të ketë pajtim të institucioneve të Kosovës rreth bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe bisedat mund të bëhen vetëm në nivel të barabartë përfaqësimi", tha zoti Hamiti, duke shtuar se kurrfarë bisedimesh nuk mund të kenë sukses dhe kurrfarë marrëveshjesh nuk mund të zbatohen pa ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-ve dhe të BE-së.
Ndërkaq, Arsim Bajrami, shef i grupit parlamentar të PDK-së tha se situata po tensionohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme që i bëhen sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës nga Serbia, si dhe për shkak të bartjes së ngadalshme të kompetencave tek institucionet vendore. Lidhur me bisedimet, ndërkaq, zoti Bajrami tha:
"Këto kontakte po imponohen në një kontekst shumë të papërshtatshëm për Kosovën, kur Kosova po përballet me problemet brenda vendit, sulmet nga jashtë, mungesën e kompetencave, mosformimi i garancive që këto kontakte të jenë të përgatitura dhe të kenë një ndëmjetësues të fuqishëm, që garanton jo vetëm bisedimet, por edhe implementimin e rezultateve," tha zoti Bajrami, sipas të cilit këto bisedime krijojnë konfuzion për shkak të mosqartësimit të temave që do të bisedohen, pasi temat e propozuara reflektojnë edhe mbi statusin e Kosovës. Prandaj,"-tha Bajrami- "Kuvendi duhet të vendosë nëse duhen filluar bisedimet apo jo, pa iu nënshtruar presioneve pavarësisht se nga vijnë."
Në anën tjetër, përfaqësuesi i koalicionit Kthimi, Oliver Ivanoviç, tha se incidentet e fundit me serbët nuk krijojnë një atmosferë të mirë për fillimin e bisedimeve, ku kthimi i të zhvendosurve duhet të ketë një vend me rëndësi, pasi moszgjidhja pengon çuarjen përpara të proceseve:
"Kjo nuk është zgjidhje dhe nuk është e qëndrueshme pasi në këtë mënyrë nuk mund të krijohen kushtet për pavarësinë e Kosovës," tha Ivanoviç, sipas të cilit delegacioni i Kosovës duhet të përfaqësojë gjithë institucionet e Kosovës dhe jo të jetë njëetnik.
Mirëpo, në anën tjetër, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së tha se duhet bërë ndërtimi i kapaciteteve të plota të institucioneve të Kosovës, duke plotësuar qeverinë me ministrinë e brendshme, atë të jashtme dhe të drejtësisë, pasi populli i Kosovës po e zbeh besimi në njerëzit e zgjedhur të Kosovës dhe në qendrat e vendosjes. Prandaj tha Haradinaj, duhet bërë avancimi i bazës kushtetuese të Kosovës dhe zbatimi i vullnetit të popullit:
"Ne si partnerë në koalicionin qeverisës kemi ofruar opsionin për hapat konkretë, duke propozuar si veprim të parë për këtë shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, nga parlamenti i Kosovës, tha Haradinaj.
Në vazhdim ka pasur mjaft diskutime nga deputetët, mirëpo për shkak të mosharmonizimit paraprak të qëndrimeve, u vendos që grupet parlamentare të dërgojnë me shkrim qëndrimet e tyre për bisedimet dhe pasi të harmonizohen në kryesi, të shtrohen për diskutim dhe miratim në Kuvend.

XS
SM
MD
LG