Ndërlidhjet

HELLE DALE: NË FUND TË FUNDIT KOSOVARËT DO TË VENDOSIN NËPËRMJET TË NJË REFERENDUMI


"Mendoj se nevojitet pak durim, nëse kosovarët kërkojnë një rol udhëheqës të Uashingtonit në këtë çështje" – thotë analistja Helle Dale nga Fondacioni Heritage me seli në Uashington, e pyetur lidhur me angazhimet e Shteteve të Bashkuara në çështjen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht bashkësia ndërkombëtare dhe administrata e Kombeve të bashkuara në Kosovë po thonë se ata fuqishëm i mbështesin bisedat e ardhshme teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Si i vlerësoni ju këto bisedime?

HELLE DALE
Sinqerisht mendoj se negociatat janë një ide e mirë, por nuk e di se a është rasti për një takim të tillë pasi aktualisht Beogradi kohët e fundit deklaroi se Kosova ka qenë dhe do të mbetet pjesë e Serbisë. Meqë ata janë të vendosur që t'a mbajnë këtë qëndrim, nuk e di se sa hapësirë krijon kjo për negociata. Kombet e Bashkuara janë të përkushtuara që të mbajnë një referendum për statusin e Kosovës, gjë që unë mendoj se duhet të mbetet një çështje e hapur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës po kërkojnë më tepër përgjegjësi, por administrata e Kombeve të bashkuara atje këmbëngulë në standarde. Nga këndvështrimi juaj cila është mënya për arritjen e astandardeve me autoritet të kufizuar, siç dëgjohet nga liderët kosovarë?

HELLE DALE
Për plotësimin e standarte nevojitet përkushtim dhe planifikim. Shikuar nga Uashingtoni, është përshtypje imja, se situata nuk ka qenë mirë e organizuar, ka pasur hezitime dhe një sërë organizimesh të dobëta. Pra nuk e di se sa po funksionojnë standartet, por në përgjithësi është mire për ti pasur, përndryshe nuk ka se si të matet progresi.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosovarët thonë se ata po kërkojnë fillimin e procesit të statusit final të Kosovë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Bashkësia bndërkombëtare ka thënë se statusi do të përcaktohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Liderët shqiptarë të Kosovës thonë se statusi është çështje për të cilën do të vendosin kosovarët. Çka mendoni ju për këtë çështje?

HELLE DALE
Besoj se në fund të fundit do të jetë çështje për kosovarët që të vendosin nëpërmjet të një referendumi, i cili mendoj se është pjesë e procesit të negociatave. Por çështja është se a duhet të forcohet tash çështja e referendumit apo duhet të merret një qasje hap pas hapi. Mendoj, me gjasë, se duke u përpjekur për ta forcuar këtë çështje në drejtimin që disa kosovarë do të dëshironin, në këtë kohë nuk do të ishte produktive dhe mendoj se nuk do të kishte aq shumë mbështetje në Shtetet e Bashkuara për forcimin e kësaj çështjeje në këtë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ju jeni për politikën hap pas hapi?

HELLE DALE
Po, besoj në këtë. Besoj se kosovarët llogarisin shumë në mbështetjen amerikane dhe tash SHBA-të janë tepër të angazhuara në pjesë të tjera të botës dhe besoj se nuk do jenë në gjendje ti kushtojnë shumë vëmendje apo përpjekje në çështjen e Kosovës, veçanërisht në këtë kohë. Pra, mendoj se nevojitet pak durim, nëse atje kërkojnë një rol udhëheqës të Uashingtonit në këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këto rrethana çfarë është perspektiva e pranisë amerikane në Kosovë?

HELLE DALE
Besoj se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të qëndrojnë atje, gjë që është deklaruar edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell…dhe besoj se kjo vazhdon të jetë politikë e Shteteve të Bashkuara. Por ka njerëz këtu në Uashington që sinqerisht do të donin një reduktim të madh të pranisë amerikane, për shkak të nevojave të ushtrisë së SHBA-ve në pjesë të tjera të botës. Rrjedhimisht mendoj se mund të ketë ndonjë përpjekje për të reduktuar numrin e trupave atje.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG