Ndërlidhjet

MOORE:"NUK KA TËRHEQJE TË SHPJET NGA KOSOVA"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lart ushtarak janë duke bërë presion mbi Pentagonin për të tërhequr paqëruajtësit amerikanë nga Ballkani, ka raportuar "Financial Times". Cili është komenti i juaj?

PATRICK MOORE
Ky është një problem që rrjedh nga lufta në Irak. Ajo për të cilën bëhet fjalë është fakti se Shtetet e Bashkuara kanë për momentin një angazhim të jashtëzakonshëm në Irak, angazhim i cili nuk do të zvogëlohet në të ardhmen, dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të këtyre angazhimeve, jo vetëm në Irak, por në Afganistan dhe në vende të tjera, po kërkojnë për vende ku mund të reduktojnë trupat, në mënyrë që të kenë më shumë trupa në dispozicion për shqetësimet thelbësore të politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme.
Edhe pse e dimë që ka më pak se 4000 trupa amerikane në Ballkan, ajo që po thonë disa oficerë është që nëse të gjithë këto numra relativisht të vogla mblidhen dhe u shtohen dhe disa mijëra nga Ballkani, dhe disa mijëra nga ndonjë vend tjetër, mund të krijohet një kontigjent i ri për t'u dërguar në Irak, Afganistan apo në ndonjë vend tjetër të këtij rajoni krize. Kjo është çështja për të cilën bëhet fjalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ushtaraku numër një amerikan, Richard Myers, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke ri-shikuar praninë e vet madje edhe me opcionin që forcat evropiane të marrin disa përgjegjësi...?

PATRICK MOORE
Ajo për të cilën po fliste Myers është një nga mundësitë, dhe kjo lidhet edhe me pyetjen e mëparshme. Në përpjekjet për të pakësuar angazhimet në pjesë të ndryshme të botës, që do të mundësonte më shumë trupa për Irakun, ata po rishikojnë disa reduktime.
Por a shoqërohet kjo me ndonjë problem? Së pari e dimë që Colin Powell, dhe së fundi edhe ish-presidenti Klinton, thanë se kanë mbështetur politikën:"E filluam bashkë, e përfundojmë bashkë". Pra Shtetet e Bashkuara sipas kësaj politike nuk do t'i tërheqin trupat para se të ketë ardhur koha për të gjitha trupat e huaja që të largohen. Dhe vetëm kur të vijë koha dhe kjo nuk do të ndodh shumë shpejt. Problemi i dytë këtu është se vetëm para pak javësh, në lidhje me Bosnjen, zyrtarët ushtarakë amerikanë po thonin që Bashkimi Evropian nuk është ende i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë ushtarake dhe nuk e kuptoj se si mund të ketë ndryshuar situata në dy javë, dhe jo vetëm për Bosnjën, por edhe për Kosovën, që siç e dimë është një problem shumë më i vështrirë për momentin sesa Bosnja.
Rrjedhimisht u befasova shumë nga kjo deklaratë, sepse edhe pse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t'i besojnë një force të Bashkimit Evropian të udhëhequr nga francezët, gjermanët dhe miqtë e tyre, ende mbetet e paqartë nëse kjo forcë (edhe nëse mund të besohet politikisht) mund të jetë e gatshme ushtarakisht për të marë përsipër Ballkanin.

RADIO EVROPA E LIRË
Tërheqja e forcave amerikane mund të parqitet problematike veqanërisht në Kosovë, ku liderët vendorë kanë insistuar se vetëm forcat amerikane mund të shërbejnë si arbitër neutral....?

PATRICK MOORE
Kjo është pikërisht çështja. Trupat nuk janë në Kosovë dhe Bosnje, thjesht për shkak të çështjeve ushtarake. Të gjithë e dimë se në Bosnje një luftë mund të shpërthejë që nesër. Pra përse janë këta njerëz aty? Janë për arsye politike. Në Kosovë shqiptarët u besojnë vetëm amerikanëve. Ata nuk besojnë se Bashkimi Evropian është i gatshëm dhe i aftë për të kryer këtë detyrë. Pra, pa amerikanët në Kosovë shqiptarët do të bëhen shumë nervozë dhe mund të vendosin t'i marrin gjërat në duart e tyre përsëri. Në Bosnjë boshnjakët do të ishin nervozë pa amerikanët përreth. Pa amerikanët si një forcë mbikqyrëse, kush e di se çfarë mund të vendosin të bëjnë serbët në Bosnje. Pra jam dakort me ju se kjo tërheqje do të ishte problematike jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje, ku këto trupa luajnë një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm ushtarak por edhe politik.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG