Ndërlidhjet

PUSHTETI LOKAL KA MË SHUMË KOMPETENCA NË SHQIPËRI


Alma Çupi, Tiranë

Dhjetë ditë përpara zgjedhjeve vendore analistët dhe politikanët në Shqipëri kanë filluar debatin për problemet që mund të dalin pas zgjedhjeve. Sipas tyre në ato zona ku do të ketë mos përputhje të përkatësisë politike të pushtetit vendor me atë qëndror, pritet të
ketë bllokim dhe vonesa në procesin e vendimarrjes së bashkive.
Drejtori i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare Albert Rakipi, tha sot për Evropën e Lirë, se në Shqipëri tradita është se partia në pushtet nuk tregohet luajale me një bashki ku ka fituar kandidati
i opozitës.
"Një problem i rëndësishëm, ka të bëjë me mënyrën si sillen partitë politike kur janë në pushtet me pushtetin vendor. Dhe kur një parti politike zotëron pushtetin qëndror dhe pushteti lokal zotërohet nga një parti tjetër, atëhere ka pengesa të shumta që vijnë nga pushteti qëndror në pikëpamjen e fondeve, të kompetencave. Kjo praktikë duhet të marrë fund në Shqipëri", tha Albert Rakipi.
Nënkryetari i Partisë Demokrate të Re Tritan Shehu,vlerëson si shumë të rëndësishme proçesin e thellimit të decentralizimit,- kalimit të kompetencave nga pushteti qëndror në pushtetin lokal.
"Padyshim të tilla diskutime që lidhen decentralizimin, demokratizimin e pushtetit lokal kanë rëndësi sepse është një nga problemet kryesore, një nga hallkat thelbësore të demokracisë. Hedhja dhe shkëmbimi i mendimeve të ndryshme, alternativave të ndryshme realisht krijojnë një ide dhe një mendim më stabël lidhur me këtë çështje, e cila në Shqipëri ende ka mbetur pezull, megjithëse ka progrese, por përsëri ngelet një problem për t'u zgjidhur dhe që lidhet dhe me nivelin e emancipimit të vendit në tërësi", tha Tritan Shehu.
Për të pasur një pushtet vendor efektiv, Artan Hoxha,drejtor i Institutit Për Studime Bashkëkohore, thotë se duhet të krijohet një sistem i kontrollit dhe i ballancimit të kompetencave të pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal, si dhe të nxitet pjesëmarrja qytetare
në debatet e këshillave bashkiakë.
"Të japim disa kompetenca të balancuara mes kryetarit dhe këshillit, të krijohen mundësirat për pjesëmarrje qytetare e për përgjegjshmëri përballë komuniteteve dhe të krijojmë një sistem të kontrollit dhe të ballancimit të kompetencave të pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal", tha Artan Hoxha.
Me ligjin e ri të miratuar, pushteti lokal në Shqipëri ka marrë shumë më tepër kompetenca si për mbledhjen e taksave, ashtu edhe për marrjen e vendimeve, por analistët vënë re se mungon tradita në vetëqeverisjes lokale dhe mungon njohja e ligjit gjë që reflektohet
tek përqëndrimi i vëmendjes tek kryetarët e bashkive, kur në të vërtetë kompetencat më të mëdha i ka këshilli bashkiak, që zgjidhet nga listat që propozojnë partitë në zgjedhjet.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit konsiderohen si një test për klasën politike dhe ecurinë e procesit të demokratizimit në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG