Ndërlidhjet

DACI KËRKON DY MINISTRI TË TJERA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, ka kërkuar sot nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, që të ndihmojë shkuarjen e delegacionit të plotë të Kosovës në bisedimet e Vjenës, duke e kompletuar qeverinë e Kosovës me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme, pas vendimit të kryeadministratorit Holkeri, për plotësimin e kapaciteteve qeveritare me kompetenca në fushën e energjetikës dhe bashkëpunimit me jashtë. Këtë kërkesë zoti Daci e ka bërë pas një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Holger Kammerhoff, me ç’rast ka deklaruar se po bëhen përpjekje bashkë me zotin Holkeri dhe me NATO-n, që e gjithë pala kosovare të shkojë në Vjenë më 14 tetor:
"Do të mundohem që me zotin Holkeri të vazhdojmë bisedat shumë intensive, në mënyrë që të jemi në Vjenë të gjithë, sepse është një rast unik, që Kosova t’i marrë përgjegjësitë e veta," tha zoti Daci, duke shpresuar për një rezultat të mirë, pasi tani në këtë proces është përfshirë edhe NATO-ja dhe ka ftuar publikisht Sekretarin e Përgjithshëm Kofi Annan, që ta përkrahë zotin Holkeri në punën e tij për ta pajisur qeverinë e Kosovës me kapacitete të mjaftueshme, për të pasur përgjegjësi për çështjet që diskutohen në Vjenë:
"Unë shpresoj që për përgjegjësitë në lëminë e drejtësisë, të jepet edhe një ministri shtesë që do të udhëhiqej bashkërisht nga kosovarët dhe ndërkombëtarët, si dhe Ministria e Punëve të Brendshme është e domosdoshme, sepse kthimi i refugjatëve, marrja e përgjegjësive në punë të sigurimit për qytetarët e Kosovës do të duhej të ishte përgjegjësi e qeverisë së Kosovës dhe kjo ministri po ashtu duhet të udhëhiqet së bashku," tha zoti Daci, sipas të cilit këtë proces po e ndihmon edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Holger Kammerhoff.
Ky i fundit, që e ka marrë detyrën e komandantit të KFOR-it vetëm një javë më parë, tha se shpresonte që liderët e Kosovës, të gjithë së bashku ta shoqërojnë zotin Holkeri në bisedimet e Vjenës:
"Unë vërtet dëshiroj që këto bisedime të bëhen me të gjitha autoritetet nga Kosova, në mënyrë që të adresohen çështjet që brengosin popullin e Kosovës," tha gjenerali Kammerhoff.
Ndërkohë, zoti Daci tha se, jo vetëm që nuk kishte ende një përgjigje ndaj ftesës së zotit Holkeri për të marrë pjesë në fillimin e bisedimeve teknike në Vjenë, por nuk e kishte ndërmend fare të shkonte vetëm atje:
"Asgjë nuk kemi vendosur. Po punojmë që ose do të shkojmë bashkërisht ose nuk do të shkojmë," tha zoti Daci, duke u ngutur të kthehet në zyrën e tij, ku e priste një takim tjetër me shefen e zyrës amerikane Marcie Ries, ndërsa në zyrën e kryeministrit kishte hyrë shefi i zyrës britanike Mark Dickinson, por këto takime kanë qenë të mbyllura për mediat. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ka filluar gjithashtu në selinë e UNMIK-ut, një takim me kryeadministratorin Harri Holkeri.

XS
SM
MD
LG