Ndërlidhjet

SKANDALOZE/ PSE ASKUSH NUK KUJDESET PËR 47 PACIENTËT NË NISH?


Bekim Bislimi

Në spitalin psikiatrik në Toponicë të Epërme të Nishës, gjenden 47 pacientë shqiptarë nga Kosova, të cilët nuk kanë kontakte me familjarët e tyre. Kështu thotë doktoresha Evica Marinkoviç, serbe nga Fushë Kosova, e cila para një viti kishte mësuar për këtë fakt nga mediat serbe, ndërkaq gjatë kësaj vere ka kontaktuar spitalin psikiatrik në Nish, për të pyetur për fatin e këtyre pacientëve.
"Nga bisedat që kam patur në qershor dhe në gusht me mjekët e spitalit në Toponicë, kam kuptuar se aty gjenden 47 pacientë shqiptarë nga Kosova. Ata nuk janë lënë anash pa kurrfarë përkujdesjeje, por janë pacientë të harruar nga njerëzit e tyre dhe kjo për mua si mjeke është gjëja më e tmerrshme," tha doktoresha Marinkoviç. Ajo shtoi se kjo e kishte shtyrë që të tentojë t'i ndihmojë ata pacientë dhe për këtë vitin e kaluar u është drejtuar institucioneve të komunës së Fushë Kosovës. Këtë e pohon dhe kryetari i kësaj komune Skënder Zogaj, të cilin doktoresha Marinkoviç e kishte njoftuar për pacientët.
"Para një viti ne u përpoqëm që të vërtetojmë nëse është i vërtetë ky lajm. Doli i vërtetë, sepse morëm nga spitali listën e emrave të 47 personave nga Kosova, të cilët ishin të strehuar atje. Këtë listë e shumëfishuam dhe ua afruam qëndrave të ndryshme të komunave, sepse pjesëtarët e strehuar atje, janë të disa komunave të Kosovës dhe u përpoqëm që të informojmë dhe familjet e tyre. Njëkohësisht një raport të tillë ja kemi drejtuar dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe pritëm rezultatet. Mund të them se disa nga familjet na janë drejtuar në kuvendin komunal të Fushë Kosovës përmes telefonave dhe na kanë falenderuar për të afërmit e tyre, ndërsa të tjerë kanë heshtur," tha zoti Zogaj, duke shtuar se çështja e këtyre pacientëve është mjaft prekëse. Ndërkaq Bexhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thekson se sipas informatave që ky këshill ka nga spitali i Toponicës së Epërme, pacientët shqiptarë janë duke u trajtuar sikurse dhe pacientët e tjerë, por:
"Është shkelje e të drejtave të njeriut, pasi është një kategori e rrezikuar, e cila duhet të mbrohet dhe duhet të jetë afër familjes, t'i ketë vizitat e rregullta, sepse gjatë trajtimit mjekësor, prania e familjarëve krijon një mundësi më të madhe për shërimin dhe rikthimin e tyre në gjirin familjar", thotë Bexhet Shala.
Ndërkaq doktoresha Marinkoviç, thekson se disa nga këta pacientë nuk kanë patur kontakte me familjarët e tyre më tepër se pesë vjet.
"Ata pacientë nuk i ka vizituar askush, jo vetëm gjatë këtyre katër apo pesë vjetëve, por ka pacientë të cilët nuk i kanë vizituar 30 vjet; ka pacientë që vdesin dhe varrosen atje. Ndërkaq ata janë të Kosovës dhe kështu kanë mbetur plotësisht të izoluar, sikur të ishin në planet tjetër. Njerëzit që jetojnë këtu absolutisht nuk përkujdesen për ta," tha doktoresha Marinkoviç, duke shtuar se ata pacientë kanë nevojë për, siç tha ajo, dorën njerëzore dhe dashurinë e familjarëve dhe se dikush në Kosovë duhet të tregojë përkujdesje për ta.
Ndërkaq zoti Zogaj tha se megjithëse ka njoftuar disa nga institucionet kosovare, por edhe njerëzit e rëndomtë, në mënyrë që të mbledhin ndihma, që do t'u dërgoheshin pacientëve kosovarë në spitalin e Toponicës së Epërme, deri tani nuk është bërë asgjë. Zoti Zogaj ka shprehur dyshimin se pacientët shqiptarë në këtë spital gëzojnë kujdesin e nevojshëm.
"Na është thënë dikur se egziston kujdesi elementar për ta, por jo i nivelit që ndoshta do të duhej. Është normale që ne të insistojmë që ata njerëz të kthehen në Kosovë. Ç'është e vërteta kam menduar se me ta do të merren strukturat që duhet të merren, por nëse realisht, meqë është riaktivizuar dhe nuk po bëhet asgjë, do të përpiqem që në fund të fundit t'i tërheqim të paktën në Fushë Kosovë", thotë zoti Zogaj.
Siç thonë doktoresha Marinkoviç, zoti Zogaj dhe përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, shpresojnë se institucionet e Kosovës do të angazhohen konkretisht që pacientët kosovarë nga spitali i Psikiatrisë në Toponicën e Epërme të sillen në një institucion përkatës shëndetësor në Kosovë. Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës lidhur me këtë çështje deri tani nuk janë prononcuar.

XS
SM
MD
LG