Ndërlidhjet

I.REXHA: SFIDAT E TRAFIKIMIT NË RRITJE


Igballe Rexha, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Rexha, trafikimi i qënieve njerëzore thuhet se kfilluar të marë përmasa shqetësuese në Kosovë. Sipas informacioneve tuaja deri në ç'masë ka arritur të lëshojë rrënjë kjo dukuri në Kosovë?

IGBALLE REXHA
Ndoshta për shifra nuk përkon një studim i hollësishëm, i përgjithshëm dhe Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve që merret vetëm me rastet konkrete, nuk mund të ketë një studim deri në ç'masë ka arritur kjo dukuri. Megjithatë ka përmasa shqetësuese, duke patur parasysh faktin se vetëm prej vitit 2000-2001 ne kemi regjistruar 271 raste viktima të trafikimit dhe prostitucionit të dhunshëm në Kosovë. Më shqetësues është fakti se në këtë shifër, e cila tregon për numër të madh të rasteve dhe për një rritje të madhe kohët e fundit, është shqetësues fakti se 90 % e këtyre viktimave janë nën moshën 18 vjeçare. Po ashtu një shqetësim tjetër për Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, është edhe e dhëna se 69 % e këtyre rasteve janë me nivel të ulët të shkollimit, ose edhe të themi analfabete.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë shkaqet kryesore që u krijojnë mundësi njerëzve që merren me trafikim të kenë kushtimisht sukses në Kosovë?

IGBALLE REXHA
Po faktor kryesor si në çdo vend tjetër, edhe Kosova hyn në vendet me gjëndje të rëndë sociale. Papunësia e madhe, lëvizjet brenda për brenda Kosovës, ardhja e UNMIK-ut në Kosovë dhe e pjesëtarëve të ndryshëm përmes tij, kanë sjellë apo kanë bërë të mundur që kjo dukuri të shfaqet dhe të marë përmasa vetëm viteve të pasluftës.

RADIO EVROPA ELIRË
Cilat janë rrugët që duhet të ndiqen për ta ç'rrënjosur këtë dukuri?

IGBALLE REXHA
Në radhë të parë e keqja është se trafikimi dhe prostitucioni në Kosovë nuk pranohet nga ndërkombëtarët, por edhe nga vetë institucionet tona, sepse po të pranohej që ka trafikim të brendshëm deri në këtë masë, të paktën në bazë të të dhënave që ka në dispozicion qendra, atëhere do të bashkoheshin të gjithë dhe do ta luftonin trafikimin dhe prostitucionin. Por derisa nuk pranohet që trafikimi dhe prostitucioni është duke u zhvilluar deri në këtë masë, edhe luftimi i tij mungon.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Rexha, sa kanë kapacitet institucionet vendore, por edhe ato ndërkombëtare që të ofrojnë kushte të përshtatshme të rehabilitimit për viktimat e trafikimit?

IGBALLE REXHA
Mund të themi se këtu ngec plotësisht në këtë pjesë, kur shkohet tek rehabilitimi i viktimave. Në Kosovë, duke patur parasysh se është një vend i vogël, viktima së pari për rastet e trafikimit identifikohet si person nëse mungon në shkollë, identifikohet si person nëse i mungon familjes, nëse i mungon rrethit dhe atëhere për mentalitetin tonë është vështirë që të kthehet vetë personi. Këtu hyjnë dhe kushtet ekonomike. Ai fëmijë ose ai rast i trafikimit, po t'i kishte kushtet do të mundësohej që ta vazhdonte shkollimin në një qendër tjetër, jo në vendin prej nga është, apo ka qenë në shkollë deri më parë, ta ndërronte lagjen, të ndërronte gjithshka. Një përkrahje e tillë ndoshta dhe minimale për viktimat tona mungon plotësisht.

Intervistoi Nadie Ahmeti



XS
SM
MD
LG