Ndërlidhjet

KONFLIKTI NANO-META MË I RËNDI NË DEKADËN E FUNDIT


Alma Çupi

Analistët shqiptarë në Tiranë e lidhin konfliktin e fundit në qeveri dhe në Partinë Socialiste me kongresin e kësaj partie, ku pritet të përcaktohet drejtimi që do të marrin grupet rivale brenda saj.
Analisti Shpëtim Nazarko këshilltari i ish presidentit Meidani, thotë për Evropën e Lirë se Partia Socialiste ndodhet në momentin më të vështirë që prej krijimit të saj.
Për këtë ai i referohet rezultateve të zgjedhjeve të fundit lokale, ku Partia Socialiste mori vota edhe më pak se sa ka marrë në vitin 1992, vit kur në Shqipëri u bë votimi për ndërrimin e sistemit:
"Kam përshtypjen se Partia Socialiste ndodhet në një moment të vështirë në egzistencën e saj dhe kjo i detyrohet rezultateve të fundit elektorale, të cilat janë poshtë nivelit të 1992, një vit i cili ishte vit i ndërrimit të sistemit dhe kur Partia Socialiste e kishte akoma të freskët hipotekën e Partisë së Punës".
Më tej analisti Nazarko thotë se fenomeni më negativ është presioni që po bën kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, që të rrisë forcën e partisë së tij në kurriz të institucioneve.
Ndërsa kryeredaktori i gazetës së përditshme Shekulli Robert Rakipllari, thotë se kërcënimi i kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, për përjashtimin e kundërshtarëve në kongres, bëhet për konsum politik dhe rrugëzgjidhjen e kësaj situate e shikon në bashkëpunimin midis palëve rivale në Partinë Socialiste:
"Kemi parasysh se zoti Nano sa herë vjen kongresi i Partisë Socialiste i rikthehet sërisht akuzave kundër Berishës, dueleve armiqësore në PS, etj. Këtë e përdor si kapital politik pastaj në kongres. Mendoj që përjashtimi i zotit Meta, apo dora e fortë që ai ka zgjedhur për përjashtimin e grupit të tij kundërshtar, është thjesht për konsum politik përpara kongresit dhe zoti Nano është i detyruar të bashkëpunojë mbas kongresit me zotin Meta dhe grupin e tij, pasi ai vetë është personi më i painteresuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme".
Analisti Artur Çani, nuk e shikon parimore luftën midis dy grupeve në Partinë Socialiste, por personale:
"Mendoj që lufta nuk ka gjëra parimore brenda, por më tepër janë zgjedhje që kanë të bëjnë me interesa të caktuara të njërës palë ose tjetrës, të cilat në këtë rast, meqënëse intevernimin në dorë e ka zoti Nano dhe ai që është jo, mendoj që punon thjesht për interesa të tij, të cilat do përpiqet t'i paraqesë sikur janë të PS-së, por që nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët me PS-në, interesat të cilat mbron momentalisht Nano".
Kryeministri Nano ndodhet përpara një presioni të shumfishtë që i vjen nga opozita brenda në parlament dhe partisë së tij, por edhe nga Presidenti i Republikës, që i ka bërë të qartë që nuk mund të
tolerojë vazhdimin e qeverisë me zëvendëskryeministra.


XS
SM
MD
LG