Ndërlidhjet

BE DISKUTON RRETH STANDARDEVE DHE STATUSIT PËRFUNDIMTAR TË KOSOVËS


Augustin Palokaj, Bruksel

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë rikonfirmuar sot në takimin e tyre në Bruksel edhe njëherë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është standarti kyç dhe element esencial i politikës së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë të emëruar standardet para statusit. BE-ja nga këtë takim u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjitha palëve të përfshira që të sigurojnë një fillim të hershëm dhe konstruktiv të punës së grupeve punuese si vazhdimësi e takimit të Vjenës. Këshilli i BE-së po ashtu ka mirëpritur qëllimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së në Kosovë, Harri Holkeri, për të caktuar udhëzime më konkrete për përparim në operacionalizimin e standardeve përpara statusit, duke elaboruar së bashku me institucionet kalimtare të Kosovës, planin për implementimin efektiv të standardeve dhe për të vendosur mekanizmat e vazhdueshëm për parimin e arritur. Këshilli i BE-së ka nënvizuar se rasti i parë për vlerësimin e standardeve do të jetë mesi i vitit 2005, apo më herët, nëse progresi i duhur do të jetë arritur deri atëherë. Në këtë mënyrë BE-ja shpreh mbështetje edhe për planin e Grupit të Kontaktit që nëse plotësohen standardet atëhere mund të niset çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Duke riafirmuar se populli i Kosovës dhe Kosova e ka në vendin në Evropë, Ministrat e BE-së kanë vlerësuar në konkluza se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë në këtë proces dhe i konsideron mekanizmat përcjellës të procesit të Stabilizimit dhe Asociimit, si element komplementar në këtë proces të plotësimit të standardeve. Këshilli ka kërkuar nga Komisioni Evropian, që në bashkëpunim me shefin e UNMIK-ut, të zgjerojë siç thuhet rrugët dhe mjetet për të rritur kontributin e BE-së në implementimin e rezolutës 1244 dhe të standardeve dhe të paraqesë raport para Këshillit për këtë. Një pjesë e madhe e takimit të sotëm të Ministrave të BE-së për Ballkanin i është kushtuar zgjedhjeve të djeshme presidenciale në Serbi, për të cilat BE-ja ka shprehur keqardhje. Zhgënjimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm për shkak se nuk kanë patur sukses zgjedhjet për shkak të pjesëmarrjes së vogël të njerëzve në votime, por më shumë për shkak të faktit se shumica e atyre që kanë votuar, ja kanë dhënë votat nacionalistit radikal të partisë së Vojisllav Sheshelit. BE-ja e konsideron votimin e djeshëm në Serbi si shenjë të protestës së popullit për shkak të krizës ekonomike dhe përçarjeve në mesin e partive reformiste. Ky rezultat do të duhet të shërbejë si alarm për zgjimin nga gjumi për të gjithë ata që dëshirojnë një Serbi demokratike me të cilën Evropa do të mund të bashkëpunonte, ka thënë sot Kristina Gallak, zëdhënëse e Havier Solanës, duke komentuar në emër të BE-së zgjedhjet presidenciale në Serbi.
XS
SM
MD
LG