Ndërlidhjet

KRIJOHET GRUP HETIMI PËR VRASJEN E NJË POLICEJE TË SHPK-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Policia ndërkombëtare ka formuar një ekip të veçantë hetuesish nga qendra për krime serioze në Prishtinë, për të hetuar sulmin e armatosur kundër tre pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës dje në afëri të fshatit Isniq, me ç’rast u vra policja Sebahate Tolaj dhe u plagosën policët Izet Lataj dhe Isuf Haklaj, i cili është ende në rrezik vdekjeje. Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskomisioneri i policisë së UNMIK-ut për hetimin e krimeve, Robert Padlow, sipas të cilit deri më tash dihet se kundër policëve kosovarë është qëlluar nga dy vetura, një mercedes ngjyrë gri dhe një audi e bardhë, e cila është gjetur e braktisur më pas.
Zoti Padlow tha se kundër veturës që ngiste tashmë e ndjera Tolaj është qëlluar nga mercedesi që kishte një gjysmë tabele regjistrimi 329 KS, ndërsa më pas, një apo më shumë persona nga kjo veturë kanë kaluar në veturën tjetër e cila është kthyer në drejtim të Deçanit, ndërsa mercedesi ka vazhduar rrugën drejt Pejës:
"Mund të them se vetura e tipit Audi 80 është gjetur e braktisur dy kilometra në afërsi të Klinës, në një zonë malore në rrugën Pejë-Prishtinë," tha zoti Padlow, duke bërë të ditur se disa dëshmitarë tashmë i janë drejtuar policisë me informacione, por ka kërkuar ndihmën edhe të dëshmitarëve të tjerë.
Ndërkaq, komisioneri i policisë në Kosovë, Stefen Voeller tha se policia nuk do ta lërë këtë krim të pazbuluar, pasi edhe ai vetë i kishte premtuar babait të polices së vrarë se do të bënte gjithë çfarë është e mundur për të gjetur vrasësit e vajzës së saj:
"Kosova nuk mund të lejojë që të vriten ata policë që ofrojnë siguri në pajtim me detyrën që kanë," tha komisioneri Stefen Voeller, duke kërkuar ndihmën e dëshmitarëve. Sidoqoftë, komsioneri Voeller, edhe pse pranoi se shifrat e vrasjeve në rajonin e Pejës janë shumë më të larta, sesa në rajonet e tjera të Kosovës, nuk u pajtua se policia nuk po punon për zbulimin e krimeve:
"Sa më të sukesshëm që po jemi, ne po bëhemi më të dhimbshëm, prandaj edhe rreziku mund të jetë shtuar," tha zoti Voeller, duke shtuar se ky është një rrezik që policia e pranon, përndryshe nuk e ka kryer detyrën e saj.
Ndërkaq, shefi i Shërbimit Policor të Kosovës, koloneli Sheremet Ahmeti tha se kur qëllohet policia qëllohet Kosova dhe siguria e saj:
"Pa dyshim se të shtënat mbi policinë janë të shtëna mbi Kosovën, mbi popullin e Kosovës, sepse kushdo që qëllon mbi uniformën e SHPK-së ai qëllon mbi sigurinë e saj, mbi ata që ju ofrojnë siguri vazhdimisht, natë e ditë dhe nuk kursejnë as jetën e tyre, e bëjnë ata që nuk e duan Kosovën e qetë dhe nuk duan që Kosova të shkojë përpara,"
Sidoqoftë, zyrtarët e policisë nuk bënë të ditur se ishte arrestuar ndonjë i dyshuar lidhur me këtë vrasje, ndërkohë që policja Sebahate Tolaj është e katërta në mesin e pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës që është vrarë, duke kryer detyrën ose në lidhje me detyrën policore.




XS
SM
MD
LG