Ndërlidhjet

PROTESTA E PD BLLOKON TË GJITHË TIRANËN


Alma Çupi

Forca të shumta policie janë vënë në ruajtje të institucioneve dhe në
orientimin e trafikut të makinave, i cili në pjesën më të madhe bllokohet nga turmat e njerëzve. Sot protestuesit, me orë të tëra kanë qëndruar përpara Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, të rrethuar nga forcat e policisë.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në 130 qendra të votimit në Tiranë, u ka dhënë zemër protestuesve dhe demokratëve, të cilët thonë se zgjedhjet për kryeqytetin do t’i fitojë
kandidati i Partisë Demokratie Spartak Ngjela.
I pyetur nga Evropa e Lirë, kandidati për Tiranën i Partisë Demokratike, Ngjela thotë se vendimi i Komisionit Zgjedhor ishte mjaft i saktë dhe i pritshëm dhe se rezultati tashmë do të përmbyset:
" Ishte vendim i saktë, por tani çështja është se brenda këtij numri prej 130 qendrash votimi janë dhe 12 000 persona të cilët nuk kanë votuar dhe që do votojnë dhe brenda tyre dhe 12 000 të tjerë që janë jashtë këtyre qendrave, por që kanë të drejtë të votojnë deri në 3 km larg nga vendbanimi i tyre, në qoftë se nuk kanë votuar. Por rezultati është i përmbysur, do të përmbyset goxha", thotë Ngjela.
Ndërsa zëdhënësi i zyrës së shtypit të Partisë Demokratike Edi Paloka, thotë se shancet e opozitës për të përmbysur qeverinë janë të mëdha:
"Kjo qeveri nuk mund ta zvarrisë më Shqipërinë, prandaj shancet e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm të opozitës janë të mëdha për ta përmbysur këtë qeveri. Ne kemi filluar protestat jo për të dalë shëtitje në bulevard, por për të arritur një qëllim dhe ky qëllim është kthimi i të drejtës së votës së lirë sepse tek vota fillon gjithshka", tha Paloka.
Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, i pyetur në linjë telefonike thotë se pavarësisht vendimit të Kolegjit Zgjedhor, zgjedhjet do t’i fitojë kandidati i Partisë Socialiste Edi Rama.
"Ai është në favor të Partisë Socialiste dhe në favor të zotit Rama. Mirëpo ky favor dhe ky verdikt duhet riadministruar me një punë më korrekte, më profesionale dhe me një angazhim total të strukturave të partisë."
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është kontestuar nga pala e socialistëve. Gjyqtarët e kolegjit janë akuzuar nga kryeministri Fatos Nano si të korruptuar. Sipas kryeministrit Nano vendimi i tyre është marrë nën
presionin e politikës.
Opozita me protestat e saj gjithashtu kërkon,që kryeministri Nano të jap dy emrat e rinj për vendet bosh në qeveri përpara kongresit të
Partisë Socialiste që do të zhvillohet më 12 dhjetor, ndërsa kryeministri Nano deklaroi se emrat do të jepen pas kongresit.
Ndërkohë në Tiranë sot janë zhvilluar edhe disa protesta të tjera, nga organizata Mjaft, qytetarë dhe shoqatat e paraplegjikëve, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre të pensionit.


XS
SM
MD
LG