Ndërlidhjet

KIM MEHMETI: BESOJ SE ËSHTË KRIJUAR NJË BAZË QË DO T'I NDËRPRESË LOJËRAT POLITIKE


"Gjithmonë varet nga fakti se a ka vullnet politik për një ligj që paraqitet, pasi ligjet zakonisht në këto hapësira lehtë miratohen por rrallëherë realizohen" - thotë pos tjerash, analsiti nga Shkupi, Kim Mehmeti, duke folur për miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Shtetësi në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Maqedonisë para disa ditësh miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për shtetësi. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim nga aspekti politik?

KIM MEHMETI
Po duhet nisur nga ajo që në Maqedoni edhe politika është kuptuar si ndeshje sportive ku medoemos duhet të ketë humbës e jo konkurrencë konceptesh. Në këtë shtet çdo lidhje, veçanërisht ato lidhje që kanë konotacionin etnik nuk vlerësohen me parametrat se sa është demokratik, por sa njëra etni, ajo maqedonase, e mbron nga të tjerët, apo nga shqiptarët shtetin, në të cilin të dy etnitë jetojnë. Në këtë rrafsh duhen bërë edhe analiza dhe debate dhe duhet analizuar debati njëdekadësh dhe lojërat ligjore rreth marrjes apo mosmarrjes së shtetësisë në Maqedoni, ku më së shumti pësuan shqiptarët. Më në fund, një shtet si Maqedonia, ku qytetari nuk është individ që ka vlerë që është vlerë mbi të gjitha vlerat, por vetëm numër në emblemë të këtillë apo atillë etnik…pra në shtete të tilla ende nuk mund të flitet për civilizim, por për primitivizëm dhe në këto shtete jetojnë etni të frustruara. Jetojnë vetëm numra që e dinë se vlera e tyre ndërpritet vetëm në atë moment kur nuk kanë shenjën etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Partitë opozitare si VMRO-DPMNE dhe PDSH-ja i kundërshtuan këto plotësime dhe ndryshime të ligjit. Partia opozitare maqedonase thotë se maqedonasit do të vihen në pozitë të pafavorshme, ndërsa ajo shqiptare thotë se këto plotësime për shqiptarët nuk do të sjellin asnjë ndryshim. Si i vlerësoni ju këto qëndrime të opozitës?

KIM MEHMETI
Në Maqedoni qëndrimet e partive politike asnjëherë nuk shprehin karakterin e tyre të vërtetë apo konceptet e tyre politike, por shpesh herë shprehin më së shumti frustracionet e tyre partiake. Sepse, për shembull, sa di unë, derisa ishin në pushtet, të dy partitë të cilat ju i përmendët, nuk i dëgjova ndonjëherë ato, as atë shqiptare, as atë maqedonase të bënin diçka për t'i mbrojtur qëndrimet që sot i shpallin se janë të tyre. Kështu që këtu është diçka simptomatike, që u ka hije të gjithë shoqërive post-socialiste, ku në të vërtetë nuk ndërtohet demokraci por maonizëm, që u kujtohen ngjyrat pasi shkojnë në opozitë. Derisa janë në qeveri, të dehur nga kolltuqet ku janë ulur, pothuajse nuk u kujtohet asgjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë diskutimeve në Kuvend është thënë se ky ligj e mundëson zgjidhjen e problemeve të qytetarëve që prej pavarësimit të Maqedonisë nuk kanë pasur dokumente të shtetësisë. A mendoni se problemi i shtetësisë në Maqedoni, me të cilin, siç thatë edhe ju, janë ballafaquar veçanërisht shqiptarët, mund të zgjidhet përfundimisht dhe a ka vullnet të sinqertë politik për diçka të tillë?

KIM MEHMETI
Mirë e thatë, gjithmonë varet nga fakti se a ka vullnet politik për një ligj që paraqitet, pasi ligjet zakonisht në këto hapësira lehtë miratohen por rrallëherë realizohen. Në fund të fundit politika jo rastësisht i takon gjinisë femërore: ajo asgjë nuk jep pa i ofruar diçka që nuk mund të refuzoj. Mirëpo besoj se është krijuar një bazë që do t'i ndërpresë lojërat politike, që u zhvilluan këtu në këtë kontekst. Sepse ju mos harroni, në këtë shtet ende nuk vlen ligji por vlen individi që është në sportelin e parë ku ju do të shkoni dhe ndonjëherë ai është më i pakalueshëm sesa muri ligjor. Kështu që në shtetet ku lidhjet, nuk ndërlidhen në një arkitekturë e cila e mbindërton demokracinë, e mbindërton institucionin, ndonjëherë është dhe shumë më iluzioniste të besoni që me sjelljen e ligjeve i keni zgjidhur problemet. Mirëpo në mos më shumë tash keni se ku të mbështeteni.
Intervistoi Fatmir BUJUPI.
XS
SM
MD
LG