Ndërlidhjet

DUKET SE FATOS NANO KA PËRKRAHJEN E SHUMICËS SË DELEGATËVE


Alma Çupi, Tiranë

Dita e parë e Kongresit të Partisë Socialiste tregoi se kryetari aktual i partisë Fatos Nano, ka një mbështetje nga shumica e delegatëve.
Kjo u vu re gjatë fjalimit të kryetarit aktual Fatos Nano, por edhe gjatë fjalimit të kundërshtarit të tij ishkryeministrit Ilir Meta, ku delegatët ndërprisnin fjalimet me brohorima pro- Nanos. Pas fjalimit të tij Ilir Meta, thotë se tek delegatët po ushtrohet presion në lozhë.
"Ka përpjekje nga njerëz të futur madje edhe pa ftesa në llozhë, për t'ju imponuar sallës, për të penguar debatin, për të penguar diskutimin e qetë dhe normal, për të penguar delegatët që të arsyetojnë pa emocione dhe pa presione, megjithatë këto janë skema që i kemi parë në të kaluarën edhe nga parti të tjera", tha Ilir Meta.
Ndërsa po sot kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, e ka cilësuar këtë kongres si një krizë e një njeriu në krizë. Sipas Berishës ky kongres është krizë, jo vetëm sepse qeveria vjen pa dy ministrat më të rëndësishëm, por edhe nga mënyra e zgjedhjes së delegatëve dhe presionit të votës para votimit.
" Kongresi përfaqëson klanet kriminale të trafiqeve. Si i mblodhi delegatët ai? Duke nxjerrë 40 % të pavlefshme, duke përdorur grushta dhe para, tritol dhe shkarkime. Nuk mund të diskutohet se kush do jetë", tha Sali Berisha.
Ndërsa Pandeli Majko, Ministër aktual i Mbrojtjes dhe një nga kandidatët e kongresit të kaluar për kryetar të Partisë Socialiste thotë se është shumë e rëndësishme që në fund të gjithë të jenë bashkë."Mendoj se politika ka brenda dhe gjithë surprizën. Në fund të fundit brenda një partie garimi është një moment dhe ajo që ecën më pas është bashkësia dhe për të mos qenë shumë teorik, dëshiroj të them që pas katër vitesh, përveç faktit se më janë shtuar ca thinja, ndihem në një atmosferë me shok, me miq. Dikush kandidon, do fitojë dikush, do humbasë një tjetër, por në fund të fundit është e vështirë të bëjnë pa njëri tjetrin", tha Pandeli Majko.
Kongresi i Partisë Socialiste do të vazhdojë punimet edhe nesër me zgjedhjen e kryetarit të Partisë, vend për të cilin janë vënë në garë kryetari aktual Fatos Nano, kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, si dhe ish presidenti Rexhep Mejdani.


XS
SM
MD
LG