Ndërlidhjet

UASHINGTON


Ish diktatori i Irakut Sadam Husein është i ballafaquar me hetimet që janë duke i bërë Shtetet e Bashkuara.
Në këtë kontekst Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, ka deklaruar se deri më tash Sadami nuk është treguar kooperues sa i përket ofrimit të informacioneve.
Ramsfeld ka thënë se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të trajtojnë Sadamin si të burgosur lufte në harmoni me Konventat e Gjenevës.
Sadam Huseini që është zënë pa asnjë plumb të shkrepur aktualisht gjendet në një lokacion të panjohur.
Ndërkohë, anëtari i Këshillit qeverisës të Irakut, Adnan Pakaki, që ka vizituar Sadamin për ta identifikuar thotë se ai nuk ka treguar shenja pendimi:
"Ne ate e gjetëm të lodhur dhe të mërzitur, por ai mbetet mos-përfillës. Sadami u përpoq të justifikojë krimet e veta duke thënë se ai ishte vetëm pushtetar i vendosur. Ne i thamë se ai ishte një pushtetar i padrejtë dhe përgjegjës për vdekjen e mijëra njerëzve", ka thënë Adnan Pakaki.
Zyrtarët e Irakut kanë thënë se ata dëshirojnë që Sadami të gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para një Tribunali special të përbërë nga gjyqtarët e Irakut.
Autoritet e Shteteve të Bashkuara kanë thënë se çështja e gjykimit të Sadam Huseinit do të vendoset më vonë.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse dikush ka marrë shpërblimin prej 25 milionë dollarëve që Shtetet e Bashkuara e kishin ofruar për zënien e Sadamit.
Presidenti amerikan Xhorxh Bush në fjalimin televiziv, tha se arrestimi i Sadamit i jep fund një epoke të errët dhe të dhembshme në Irak dhe se ai tash do të ballafaqohet me drejtësinë, të cilën ua kishte mohuar miliona njerëzve. Presidenti Bush ka shtuar se zënia e Sadam Huseinit nuk do të thotë fund i shpejt i dhunës në Irak.
Arrestimin e Sadam Huseinit e kanë mirëpritur dhe përshëndetur shumë qeveri në gjithë botën duke përfshirë edhe kundërshtarët e luftës në Irak - Rusinë, Francën, Gjermaninë dhe Indonezinë. Shumë qeveri kanë vlerësuar se shpresojnë që arrestimi i Sadam Huseinit do të çojë drejt paqjes dhe stabilitetit në Irak.
XS
SM
MD
LG