Ndërlidhjet

RUGOVA: “KEMI PËRMBUSHUR SHUMË STANDARDE”


Dr. Ibrahim Rugova, President i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Mbase, takimi më i rëndësishëm i juaji gjatë këtij viti ishte ai i para disa ditëve me Atin e Shenjtë Papa Gjon Palin II. Ç’do të thotë kjo vizitë për Kosovën?

IBRAHIM RUGOVA
Është një ngjarje me rëndësi audienca zyrtare tek Ati i Shenjtë. Për Kosovën do të thotë shumë - një nderim për Kosovën. E informova për progresin e arritur në Kosovë, që e vlerësoi pozitivisht dhe ishte i kënaqur. Pra, në nivel aq të lartë, do të thotë shumë, sepse siç e dini, qe një vit e gjysmë apo gati dy vjet që janë zgjedhur institucionet e Kosovës, ne nuk kemi pasur shumë pranime në nivele të larta, do të thotë as presidenti, ndërsa qeveria e parlamenti edhe më pak. Pra, gjithsesi e vlerësoj si një ngjarje shumë të rëndësishme. Siç e dini, kjo është audienca e tretë që Ati i Shenjtë më ka ofruar, më ka dhuruar, sepse nga viti 1993, kur për herë të parë më ka pranuar, dhe tash, kjo është njohje e institucioneve të Kosovës, e Kosovës dhe një nderim i madh për ne, sidomos tani në prag, në vigjilie të festave të Krishtlindjes, pra dhe të Vitit të Ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti president, operacionalizimi i standardeve dhe përmbushja e tyre është vlerësuar si një rrugë që e shpie Kosovën drejt statusit të saj përfundimtar, ndërkohë që ju disa herë keni thënë se Kosova ka përmbushur tashmë disa standarde. Çfarë janë gjasat që këto standarde të përmbushen në tërësi brenda afatit të përcaktuar?

IBRAHIM RUGOVA
Përsëri qëndroj tek ai konstatim që e kam thënë para sa kohësh, se ne kemi përmbushur mjaft standarde, por tani është koha që ato të vlerësohen dhe ky është momenti i ri, pra vlerësimi i standardeve, sepse deri më tani ato nuk janë vlerësuar. Kjo, është një pikëpamje ndërkombëtare që të arrihet te çështja që i thonë status përfundimtar e të tjera, por që unë i them pavarësia e Kosovës dhe standardet do të përmbushen, bashkë me ato që janë përmbushur. Mirëpo tani është një vlerësim i tyre dhe kjo është kryesorja, që duhet ta bëjmë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare. Unë instistoj që këtë ta bëjnë edhe SHBA, BE, pastaj mekanizmat e OKB-së, por edhe ne kosovarët bashkë me UNMIK-un, duhet të punojmë për vlerësimin e këtyre standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Nënsekretari amerikan i shtetit, Marc Grossman, para dy muajsh në Prishtinë tha se për statusin final të Kosovës do të bisedohet pas përmbushjes së standardeve deri nga mesi i vitit 2005. A mendoni se ky afat është optimal për hapjen e çështjes së statusit?

IBRAHIM RUGOVA
Dëshiroj që më herët të njihet pavarësia e Kosovës, pra, edhe pse ky afat është optimal, unë dëshiroj më herët të plotësohen apo të përmbushen standardet dhe insistoj që sa më shpejt të njihet pavarësia e Kosovës, sepse do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës dhe do t’i shpejtonte zhvillimet e brendshme demokratike dhe ekonomike të Kosovës. Pra, unë jo vetëm që insistoj, por edhe punoj për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova gjatë këtij viti është përballur me vështirësi edhe në procesin e privatizimit, ndërkohë që ky proces ka qenë njëri ndër prioritetet tuaja. Si e vlerësoni procesin e deritashëm?

IBRAHIM RUGOVA
Unë e vlerësoj pozitivisht procesin e privatizimit që ka filluar. Natyrisht u krijuan disa probleme që unë i shoh të panevojshme. Ato u krijuan sepse ne, për fat të keq, nuk arritëm që bashkë me UNMIK-un të merremi vesh, dhe kjo është punë e para dy vjetëve, që të kemi një ligj për privatizimin, ndërsa AKM-ja do të ishte një agjenci që do të operacionalizonte dhe të zbatonte privatizimin, prandaj edhe ndodhën këto pengesa. Po ashtu, ka spekulime të ndryshme se pronë e kujt është e të tjera që janë të pavenda, pasi gjithmonë ndërmarrjet shtetërore, edhe toka edhe pasuria kanë qenë të Kosovës, të qeverisë së Kosovës dhe të popullit të Kosovës. Ky është një vendim politik që duhet të merret nga ana e UNMIK-ut dhe nga ana jonë, s’ka problem. UNMIK-u ka premtuar se do të vazhdojë ky proces dhe tash do të shohim se si do ta bëjmë më operativ dhe më funksional. Siç e dini, ekonomia jonë 50 për qind është private, dhe sektori privat ka punuar mjaft mirë dhe është i fuqishëm e ne duhet ta përkrahim, si dhe 50 për qind janë këto ndërmarrjet publike, pastaj ndërmarrjet e mëdha të industrisë së rëndë dhe të minierave, për të cilat dhet të mendojmë në të ardhmen dhe këto do të krijojnë vende pune për njerëz. Momentalisht, këto ndërmarrje, flas për të mesmet dhe të voglat, funksionojnë me 30 për qind të kapaciteteve, prandaj duhet të bëjmë diçka me to dhe rruga më e mirë është privatizimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti president, ligjet e aplikueshme serbe janë vlerësuar nga ekspertët dhe liderët politikë si pengesë në procesin e privatizimit dhe të përmbushjes së standardeve. A ka krijuar apo a mund të krijojë Kosova infrastrukturën vetanake ligjore për t’i bërë këto ligje edhe të panevojshme?

IBRAHIM RUGOVA
Ato, gjithsesi janë të panevojshme dhe të pazbatueshme. Ligji i aplikueshëm që e ka shpallur UNMIK-u në fund të vitit 1999 apo edhe në vitin 2000 ka qenë për ligjet që i ka aprovuar Kuvendi i Kosovës. Ato ligje edhe tash po mbulohen dhe zëvendësohen komplet me ligje të reja që po i bën Kuvendi i Kosovës, i cili ka bërë një korpus të madh të ligjeve, si Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, pastaj plot ligje sistemore në fushë të ekonomisë dhe të gjitha fushat e jetës dhe këto do t’i zëvendësojnë ato. Ne edhe ashtu nuk kemi punuar me ato ligje, por është bërë një lloj fiksioni kjo puna e ligjit të aplikueshëm. Rreth privatizimit ndoshta ka të vërteta, sepse kanë dëshiruar të bëjnë një manipulim, pasi Beogradi insiston ta pengojë këtë proces pozitiv për Kosovën, që do të thotë ta destabilizojë në planin ekonomik, por kjo është e paarritshme dhe nuk do të zbatohen, ne do të insistojmë për këtë dhe edhe UNMIK-u e di këtë dhe besoj se nuk mund t’i zbatojë këto në Kosovë. Domethënë, pas ndërhyrjes së NATO-s, që është kryer puna kryesore, është një kohë e re për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës për të inicuar dhe realizuar procesin e kthimit të personave të zhvendosur, para së gjithash të atyre serbë, duke marrë parasyshë faktin se kjo çështje është përcaktuar edhe si një prej standardeve?

IBRAHIM RUGOVA
Shikoni, ka pasur një kthim të të gjitha minoriteteve, pra ka pasur edhe një kthim të serbëve, që ata e heshtin, një kthim individual, pasi ne jemi përcaktuar për një kthim individual me të drejtat ndërkombëtare. Ju e dini se parlamenti ka rezolutën nga viti i kaluar për kthimin, pastaj edhe të gjitha institucionet e Kosovës. Mirëpo, sërish dikush dëshiron që këtë ta bëjë njëfarë miti, por ka pasur një kthim gradual edhe të serbëve. Dhe, natyrisht, ne si institucione jemi përpjekur të krijojmë kushte për kthimin individual të atyre që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë në Kosovë. Mirëpo, unë e them se të mos harrojmë se pas luftës të gjithë jemi më pak. Mos të harrojmë qinda mijëra shqiptarë, pjesëtarë të shumicës së Kosovës sot janë nëpër Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata mund të vijnë lirisht, por janë edhe problemet e tjera të zhvillimit, problemet ekonomike, sociale e të tjera, prandaj ne kemi punuar dhe kemi pasur sukses edhe në këtë plan dhe unë e konsideroj këtë sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Një standard tjetër gjithashtu i përfolur është edhe dialogu me Beogradin mbi çështjet teknike të interesit të ndërsjellë. Duke marrë parasysh rrethanat aktuale, si e shihni ju përmbushjen e këtij standardi?

IBRAHIM RUGOVA
Politika jonë nacionale është që të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Me Shqipërinë i kemi të mira, me Malin e Zi, zhvillohen sa i përket qarkullimit, ndërsa me Maqedoninë ka shenja se janë në përmirësim e sipër. Do të provojmë edhe me Beogradin, pra me Serbinë, por është çështje më e vështirë, pasi ata vështirë pranojnë të kenë marrëdhënie normale fqinjësore me Kosovën dhe ende i kanë ato ngarkesat e tyre, që për fat të keq i vazhdojnë edhe institucionet e tyre që janë krijuar dhe pretendojnë të jenë demokratike. Mirëpo, ne do të provojmë dhe të shohim se çfarë rezultatesh do të kemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Vëzhguesit thonë se në zgjedhjet e ardhshme në Serbi pritet të fitojnë forcat antireformiste. Si mund të ndikojë ky zhvillim përgjithësi në rajon?

IBRAHIM RUGOVA
Mendoj se nuk mund të ndikojë në rajon, sepse të gjitha vendet e rajonit, pra edhe Kosova aspirojnë drejt integrimeve në BE dhe në NATO. Mund të ngadalësojnë proceset nëse fitojnë ato forcat antireformiste, siç po u thonë, por kjo është diçka më e thellë, unë shumë nuk merrem me punët e huaja, por do të thotë se nuk kanë ecur në procesin e zhvillimit demokratik të vendit të tyre dhe më shumë janë marrë me çështje të huaja, sesa me çështje të vetat, prandaj mund të ndodhin edhe gjëra të ndryshme, por nuk mund të kenë më efekte negative në rajon dhe Serbia nuk është më një forcë që dikton politikën në rajon, dhe kjo ka marë fund me ndërhyrjen e NATO-s.

RADIO EVROPA E LIRË
Fundi i këtij viti është përcaktuar si periudhë e bartjes së përgjegjësive jo të rezervuara nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore. Sa mendoni se është punuar në këtë drejtim?

IBRAHIM RUGOVA
Shikoni, çështja e kompetencave është çështje që lidhet me UNMIK-un. Ne kemi punuar në kuadër të kompetencave, e ndoshta edhe më pak se ato kompetenca që kanë qenë dhe nuk janë deliveruar, nuk janë dhënë, por shpresoj se vitin e ardhshëm do të punojmë më shumë në këtë drejtim, që të kemi më shumë kompetenca, sidomos në fushën e ekonomisë dhe në fusha të tjera të jetës, prandaj do të punojmë që të kemi më shumë kompetenca dhe të tregojmë aftësinë tonë udhëheqëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, zoti president, si e vlerësoni vitin që po e lëmë pas dhe cilat janë prioritetet e Kosovës për vitin e ardhshëm?

IBRAHIM RUGOVA
E vlerësoj një vit mjaft pozitiv në progresin e Kosovës që ka në katër vjet e gjysmë pas luftës, pra në liri, në të gjitha fushat e jetës, edhe në arsim, edhe në ekonomi, edhe në kulturë edhe në fushat e tjera. Vitin e ardhshëm, unë personalisht pres që sa më shpejt të njihet pavarësia formale e Kosovës, qoftë me njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA, nga BE dhe me formalizimin e OKB-së. Po ashtu pres zhvillimin ekonomik të Kosovës, një zhvillim më dinamik, që do të thotë proceset që i përmendëm më parë, privatizimi dhe stimulimi i ekonomisë kosovare nga ana e institucioneve të Kosovës dhe nga ana e UNMIK-ut, prosperitet më të madh të përgjithshëm të Kosovës, që gjithsesi do ta kemi, sepse e kemi bazën dhe një mirëkuptim dhe besim ndërmjet njerëzve, ndërmjet popullit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG