Ndërlidhjet

Hans Haekkerup: Ne nuk besojmë se strukturat paralele janë zgjidhje


"Ka njerëz në Beograd që flasin për ndarjen e Kosovës në dy etnitete apo në dy rajone. Por kjo nuk është në harmoni me Rezolutën 1244 dhe është në kundërshtim me angazhimet tona, kështu që, një gjë e tillë nuk mund të jetë madje as objekt debati. Kurse kur flasim për fuqinë administrative, duke u bazuar në Rezolutën 1244, UNMIK-u e ka këtu fuqinë administrative dhe askush tjetër" - thotë kryeadministratori i Kosovës, Hans Haekkerup.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Hakerup, që nga ardhja juaj në misionin e
Përfaqësuesit të posaqëm të sekretarit të Përgjithshëm në
Kosovë, njërën ndër detyrat më të rëndësishme e keni
konsideruar mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. A
mund të thoni, tani, se keni arritur sukses që t’i bindni
të gjitha komunitetet, përfshirë këtu edhe serbët, që të
dalin në zgjedhje?

Haekkerup
Mendoj se do të ketë pjesëmarrje në zgjedhje
nga te gjitha komunitetet. Por, nuk e di se sa do të
jetë totali që do të dalin në votime, sidomos sa
pjestarë serbë të Kosovës. Mendoj se ata po presin
sinjalet nga Beogradi, por tash është më se e qartë se
ata do të regjistrohen; por se a do të dalin apo jo
në votime, duhet të presim.

Radio Evropa e Lirë
Duket se Qeveria serbe dëshiron ta kthejë
fuqinë dhe influencën nëpërmjet procesit të
zgjedhjeve. Ata nuk i lënë serbët e Kosovës që vet të
ndërtojnë ardhmërinë e tyre. Cili do të ishte
komenti i juaj në këtë?

Haekkerup
Mendoj se qeveria në Beograd mund të jetë e
dobishme në këtë proces nëse do t’ju dërgonte sinjale
të qarta serbëve të Kosovës se e përkrahin pjesëmarrjen
e tyre në zgjedhje. Deri më tash ata i kanë thëne po
regjistrimit.


Radio Evropa e Lirë
Si e shihni procesin e ri-integrimit të
minoritetit serb në Kosovë. Me dezintegrimin e
enklavave apo, me atë që po
kërkon Beogradi, me ofrimin e statusit special

Haekkerup
Së pari, ajo që ka ndodhur në Kosovë, sidomos
në periudhën kur UNMIK-dhe
KFOR-i erdhën këtu, gjendja nuk ishte aspak e mirë.
Pastaj, gjithashtu, edhe të gjitha vrasjet dhe traumat
që janë shkaktuar nga Millosheviqi këtu, kanë shkaktuar
shumë urrjetje, për çka ne jemi të vetëdijshëm se
sanimi i kësaj gjendjeje kërkon kohë. Por, nëse ne do të
ndikojmë që gjërat të marrin kahje të duhur koha do të ishte në anën tonë. Ne nuk besojmë se strukturat paralele janë zgjdhje dhe që strukturat paralele janë të pranueshme. Ka njerëz në Beograd që flasin për ndarjen e Kosovës në dy entitete apo në dy rajone. Por kjo nuk është në harmoni me Rezolutën 1244 dhe është në kundërshtim me angazhimet tona, kështu
që, një gjë e tillë nuk mund të jetë madje as objekt
debati. Kurse kur flasim për fuqinë administrative,
duke u bazuar në Rezolutën 1244, UNMIK-u e ka këtu fuqinë administrative dhe askush tjetër.

Radio Evropa e Lirë
Ti kthehemi situatës së sigurisë në Kosovë. Përbrenda në Kosovë duket se mbretëron një qetësi, por jo edhe përreth kufinjëve. Qeveria në Maqedoni e akuzon Kosovën të jetë e involvuar në luftën e atjeshme. Çka mund të thuani ju në këto akuza si personi numër një në Kosovë?

Haekkerup
Për lidhjet ndërmjet individëve dhe grupeve këtu
në Kosovë dhe UÇK-së në Maqedoni, mendoj se nga ana e jonë, respektivisht nga KFOR-i, po bëhen përpjekje që ti ndërprejë këto lidhje për ta bërë të qartë se nga
Kosova nuk do të shkojë atje përkrahje.
Mendoj se kemi pasur sukses në këtë edhe pse ende mund të ketë ndihmë që shkon atje nga Kosova, por mendoj se kjo përkrahje është shumë më e vogël se më parë.

Gjithashtu mendoj se është shumë me rëndësi se, si
popullata e Kosovës, ashtu edhe subjektet politike, e
kanë parë dhe kuptuar se nuk është në interesin e tyre
ajo që po ndodhë në Maqedoni. Nuk është në interes të
Kosovës që të jetë e involvuar në zhvillimet në
Maqedoni dhe kjo besoj se është diçka shumë e
rëndësishme.


Radio Evropa e Lirë
Në Kosovë ka edhe probleme të shumta. Një nga
më të rëndat është edhe kthimi i të burgosurve e
sidomos gjetja e personave të zhdukur. Çka konkretisht
tani është duke bërë UNMIK-u në këtë drejtim?

Haekkerup
Mendoj se ky ka qenë një nga prioritetet tona
kryesore. Ende ka njerëz të burgosur të cilët duhet të
kthehen; këtë ua kemi transmetuar edhe autoriteteve në
Beograd. Por, për të zhdukurit aktualisht ka dy
zhvillime me rëndësi. E para është nënshkrimi i një
marërveshje apo memorandumi të mirëkuptimit me
Komitetin ndërkombëtar për personat e zhdukur, i cili
do të kryejë testin e quajtur ADN të eshtrave të
zbuluar këtu si dhe të atyre që janë eks-humuar në
Serbi.

Këto do të krahasohen me testin e ADN - së me të
afërmit e tyre, çka do të na jepte rezultate më të
sigurta për eshtrat e zbuluar. Ata e kanë bërë këtë
punë në Bosnjë me sukses të lartë dhe besojmë se kjo do
të jetë me rëndësi.

E dyta është se Tribunali ndërkombëtar për krime lufte po hulumton atë që me të vërtetë ka ndodhur këtu në të kaluarën gjatë kohës së Milosheviqit, por kuptohet, edhe pas tij.
Ata janë duke kërkuar njerëzit që i kanë përjetuar këto trauma dhe ne i përkrahim në këtë duke u ofruar të gjitha
informacionet që ne i kemi.

Radio Evropa e Lirë
Ju mbani takime të rregullta edhe me
përfaqësuesit e Kosovës në kuadër të sesioneve të
KPA-së. A jeni i kënaqur me bashkëpunimin e ofruar
deri më tash në kuadrin e strukturave të përbashkëta
administrative?

Haekkerup
Po. Mendoj se të katër anëtarët e Kosovës në
KPA, tre liderët shqiptarë dhe zonja Trajkoviq, janë
mjaft të dodishëm në punën që po kryejmë. Ata
gjithashtu po përgatiten për rrolin që do të duhet të
luajnë në kuadër të vetëqeverisjes, e cila do të
ndërtohet pas zgjedhjeve. Mirëpo është shumë e
rënësishme se e kemi këtë linjë direkte me partitë më
të mëdha politike. Natyrisht, në të ardhmen do të
kemi Asamblenë, Qeverinë, kështu që gjërat do të
rrjedhin në një mënyrë tjetër dhe KPA do të
shpërbëhet, por unë mendoj se jemi duke
shkuar kah një sistem shumë më i mirë.

XS
SM
MD
LG