Ndërlidhjet

YVES BRODEUR: Gjërat në Maqedoni po ecin në atë mënyrë që procesi politik të evoluojë paralelisht me çarmatosjen


“Mbetet për t’u plotësuar kushti i katërt, ai i armë-pushimit, pasi partnerët e aleancës duan të jenë të sigurt se ky ndalim-zjarri po respektohet dhe se gjendja në terren është e atillë që nuk paraqet rreziqe të tepruara për forcën e NATO-s” – thotë zëdhënësi i NATO-s në Bruksel, Yves Brodeur lidhur me vendimin për hyrjen e trupave të NATO-s në Maqedoni,

Radio “Evropa e Lirë”
Zoti Brodeur, ku jeni me vendimet për dërgimin e forcës së NATO-s në Maqedoni dhe cila është natyra e probleme që duhet të kapërcehen?

Yves BRODEUR
Vendimi për vendosjen në terren të 400 njerëzve është marrë me qëllim që të përgatitet mbërritja e mbi 3 mijë të tjerëve. Nuk ka ende vendim për dërgimin e 3 mijë e 500 ushtarëve dhe kjo duhet të jetë absolutisht e qartë.

Nisur prej sot, të 400 ushtarët do nisin të mbërrijnë në Shkup. Ata do të kujdesen për të vënë në funksionim Shtabin Qendror që do t’i shërbejë forcës. Është pra një mision për njohjen e rrethanave; instalimin e qendrave të komunikimit; vendosjen e lidhjeve me kryengritësit dhe autoritetet maqedonase dhe sigurisht, ky mision do të bëjë vlerësimin e gjendjes ushtarake në terren. Do të thotë sa solid është armë-pushimi, si respektohet ai, me një fjalë, çfarë është situata në vend.

Problemi qëndron në jetësimin e akordit politik, reformave në kushtetutën maqedonase për çka u ra dakort dhe u firmos nga forcat politike të hënën. Gjërat po ecin në atë mënyrë që procesi politik të evoluojë paralelisht me çarmatosjen. Mbi tryezë është tashmë një dokument i nënshkruar nga zoti Ali Ahmeti që i angazhon kryengritësit shqiptarë të dorëzojnë armët. Ka angazhim edhe nga pala maqedonase që nga ana e saj të avancojë në parlament projektin për ligjin, procesin për ratifikimin e ligjit. Janë pra gjëra që duket se do të shkojnë në të njëtën kohë, brenda një periudhe pak a shumë 40 ditore.

Radio “Evropa e Lirë”
A jeni në dijeni të një grupimi, fraksioni të armatosur, Armata Kombëtare Shqiptare dhe a keni vendosur kontakt me të?

Yves BRODEUR
Së pari, ky është mision për grumbullimin e armëve, grumbullimin vullnetar të armëve. Pra do t ë mblidhen armët nga, nuk ka rëndësi nga kush, por nga cilido që dëshiron ta bëjë këtë. E dyta është se ne, marrëveshjen e kemi arritur me personin që flet në emër të UÇK-së, zotin Ali Ahmeti dhe vetëm për respektimin e kushteve për çarmatosjen. Fjala e këtij zotërisë shpreh vullnetin e tërë kryengritësve shqiptarë. Ndaj problemi i grupimit për të cilin flisni, është problem i zotit Ahmeti dhe jo yni.

Radio “Evropa e Lirë”
Pse u vendos që kontigjenti i parë të jetë britanik? Ndonjë arsye e veçantë, pse jo ndonjë tjetër njësi tjetër?

Yves BRODEUR
Nuk është vendim që e morrëm ne. Rendi i gjërave e do që kur NATO-ja sendërton një mision, ajo apelon për kontribute vullnetare tek të gjithë shtetet anëtare. Propozon një numër trupash, pajisjesh dhe kështu ndodhi që trupat britanike ofruan bujarisht një numër forcash dhe NATO-ja pranoi.

Radio “Evropa e Lirë”
Së fundi amerikanët, sipas agjensive të lajmeve, kanë konfirmuar se do të dërgojnë 300 trupa, ndërsa fillimisht kishin deklaruar se do të mbështesnin vetëm me mjete logjistike misionin e NATO-s. Sa është e vërtetë?

Yves BRODEUR
Nuk e di por përderisa e thonë duhet të jetë e vërtetë. Për momentin nuk kam konfirmim, por di se që nga fillimi është thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë operacionin. Dhe kur u tha se ata do të kontribuonin me ndihmë logjistike, nënkuptohej se do të bënin edhe transportimin e trupave me helikopter dhe kjo rrjedhimisht do të sillte implikimin e ushtarakëve amerikanë.

Radio “Evropa e Lirë”
A jeni optimist se do të merret një vendim, të premten apo të hënën, për hyrjen e trupave të NATO-s në Maqedoni?

Yves BRODEUR
Janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë. Trupat tona janë të gatshme për t’u nisur. Nuk ka arsye pse të mos merret ky vendim… sigurisht që do të jetë
pozitiv. Do të ndodhë sot, do të ndodhë të hënën, kjo nuk ngre shumë peshë. Do të ndodhë kur të jenë krijuar kushtet që misioni të mund të ecë normalisht. Deri tani janë plotësuar në masën 100 %, tre ndër katër kushtet e vëna.

-Se pari, kemi marrëveshjen politike të nënshkruar të hënën;

-Se dyti, kemi marrëveshjen tekniko-legale me qeverinë maqedonase për të drejtat juridike dhe statusin e forcës së NATO-s në Maqedoni, që u nënshkrua të mërkurën dhe

-Se treti, marrëveshjen për amnistinë, për modalitetet e carmatosjes që edhe kjo tashmë është bërë.

Mbetet kushti i katërt, ai i armë-pushimit dhe partnerët e aleancës duan të jenë të sigurt se ky ndalim-zjarri po respektohet dhe se gjendja në terren është e atillë që nuk paraqet rreziqe të tepruara për forcën e NATO-s.

XS
SM
MD
LG