Ndërlidhjet

"PRITEN SULME TJERA MË TË SOFISTIKUARA TERRORISTE"


A. TULLY

Shërbimet amerikane të zbulimit kanë njoftuar Kongresin e SHBA-ve se gjasat për sulme të reja terroriste në Shtetet e Bashkuara janë shumë të mëdha. Sipas shefit të Komitetit për shërbime të zbulimit në Senatin amerikan, Robert Graham, pritet që këto sulme të jenë më të sofistikuara se ato të 11 shtatorit :
“ Unë jam i bindur se faza e ardhshme e sulmeve, për dallim nga rrëmbimi i avionëve më 11 shtator, do të kryhet me mjete të tjera. Dhe kjo për arsye se terroristët synojnë krijimin e ndjenjës së çoroditur të frikës në mesin e popullit amerikanë. Qëllimi i tyre është që të na sulmojnë në forma të ndryshme“, tha senatori Graham.
Sipas njërit nga lideret e Kongresit, senatorit Trent Lott, gjërat në këtë aspekt kanë përshkallëzuar aq shumë, saqë qytetarët duhet të pajtohen me realitetin e sulmeve të papritura terroriste në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Me gjithë faktin se nuk ka njohuri për përgatitjet e sulmeve konkrete terroriste, Byroja federative e hetimeve – FBI - u ka rekomanduar shërbimit policor dhe agjencive të tjera të sigurimit, që të ngrenë në një shkallë të re gatishmërin e tyre.
Masat e shtuara të sigurisë përfshijnë edhe vetë presidentin George Bush dhe zëvendës - presidentin Richard Cheney. Për shkak të mundësisë së goditjës terroriste, ata nuk mund të qëndrojnë së bashku në Shtëpinë e Bardh, gjegjësisht për sa kohë presidenti ndodhet në kabinetin e tij, zëvendës-presidenti Cheney gjendet në një lokalitet sekret.
Në gjendjen e krijuar, presidenti amerikan, George W. Bush duke iu drejtuar opinionit vendor, pos tjerash vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur ndonjë mundësi tjetër veçse të sulmojnë drejpërdrejt rrjetin terrorist “Al Kaeda “ në Afganistan, i cili qëndron pas akteve dhe psikozës së terrorit në Shtetet e Bashkuara:
“Me anë të shkatërrimit të kampeve të tyre të stërvitjes dhe çrregullimit të komunikimit ndërmjet tyre, ne do t’i vështirësojmë rrjetit terrorist që të regrutojë pjestarë të ri dhe të koordinojë planet e tij djallëzore.
Fushata jonë ushtarake do ti hap rrugën aksionit të gjithanshëm për nxjerrjen e terroristëve para drejtësisë “.
Kryeministri britanik Tony Blair, vendi i të cilit poashtu është përfshirë në fushatën ajrore kundër regjimit Taleban, në këtë temë ka theksuar se shoqëritë perëndimore përballen me rrezikun e terrorizmin ndërkombëtar dhe regjimi në Kabul kishte mundësi të evitonte kundër-veprimet amerikano-britanike dhe ndëshkimin e shumëpritur të rrjetit “Al Kaeda”, pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara:
“Kanë kaluar më shumë se dy javë nga ultimatumi ynë dërguar talibanëve që t’i dorëzojnë terroristët ose të ballafaqohen me konsekuencat.
Tashmë nuk ka dyshim: ata nuk kanë përmbushur këtë ultimatum. Ata kishin mundësi të rreshtohen në anën e drejtësisë ose të mbesin në anën e terrorit. Dhe ata zgjodhën terrorin “, deklaroi kryeministri britanik Toni Bler.
XS
SM
MD
LG