Ndërlidhjet

OSBE MBËSHTET MBAJTJtEN E ZGJEDHJEVE LOKALE NË SHTATOR


Rrahman Paçarizi Kryesuesi i Organizatës për siguri dhe bashkëpunim evropian, Jaime Gama, ministër i jashtëm i Portugalisë, gjatë vizitës në Prishtinë u takua me kryeadministratorin, Michael Steiner.

Zoti Gama bashkë me zotin Steiner kanë thënë se këto zgjedhje do të mbahen në datën e caktuar, vetëm nëse shumë shpejt krijohen institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet parlamentare dhe marrëveshja për këtë do të mund të arrihej, nëse partitë i qasen bisedimeve me frymë kompromisi.

“Mbështesim zotin Steiner për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 21 shtator, nëse do të arrihet mjaft shpejt një zgjidhje politike, që do të jepte rezultate në implementimin e rezultateve të zgjedhjeve të kaluara” - tha kryesuesi i radhës i OSBE-së Jaime Gama. Ndërkaq, shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, Michael Steiner, tha se e kishte njoftuar zotin Gama se ka gjasë të mira që të arrihet marrëveshja për ndërtimin e institucioneve. Një pjesë të shpresave të tij zoti Steiner i ka mbështetur në takimet e zotit Gama me liderët politikë të Kosovës gjatë ditës së sotme.

“Ata që përfaqësojnë popullin e Kosovës duhet të sillen në pajtim me frymën e negociatave dhe të kompromisit, që janë rruga e vetme e politikës demokratike” - tha Ministri i jashtëm i Portugalisë, Jaime Gama.

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, Michael Steiner ka mohuar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbaheshin bashkë me zgjedhjet lokale në Shtator, nëse dështojnë negociatat e partive parlamentare për zgjedhjen e institucioneve.

“Si mund të kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga OSBE-ja të financojnë zgjedhjet lokale, kur as zgjedhjet e mëparshme nuk janë implementuar ende” - tha Michael Steiner.

Zoti Steiner, edhe njëherë, ka shpallur formulën e tij për zgjidhjen e krizës, duke mos e parë ende të nevojshme një ndërhyrje ekzekutive nga ai si përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë.

“Nëse do të kishim frymën e nevojshme të kompromisit dhe nëse liderët politikë nuk do të ndiqnin interesat e ngushta partiake, por interesat e Kosovës, marrëveshja do të ishte e mundshme”- tha Steiner, duke theksuar se do të dëshironte t’u jepte dhe pak kohë liderëve politikë për të gjetur vetë zgjidhjen, e cila, siç përsëriti ai disa herë, duhet “gjetur shumë shpejt”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG