Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

A. DEMACI:"KETHIMI PAKICAVE TE KUPTOHET DREJT"


ADEM DEMACI, kryetar i Komitetit per tolerance dhe bashkejetese


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, ju sigurisht i keni ndjekur diskutimet rreth temës së kthimit të pakicave, por dëshiroj të theksoj se ju keni qënë ndër të parët, që kanë mbështetur idenë e kthimit të pakicave. Ku e gjeni ju veten, si do të pozicionoheshit në diskutimin e tanishëm?

ADEM DEMAÇI
Unë mendoj që kthimi i të gjithë atyre që kanë ikur nga shtëpitë e tyre, nga trojet e tyre për çfarëdo arsye, është një çështje humane. Këtë punë shqiptarët duhet ta kuptojnë vetë shumë mirë, ta pranojnë se edhe vetë janë një numër i madh të ikur dhe të shpërngulur nëpër Evropë dhe pjesë të ndryshme. Një pjesë prej 16 000 shqiptarësh janë dëbuar nga Mitrovica e veriut, jo më larg. Prandaj ne duhet të pozicionohemi në atë mënyrë që të shikojmë të gjejmë zgjidhje që do të jenë të pranueshme për të gjithë, edhe për shqiptarët edhe për pakicat.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni përsëritur në vazhdimësi tezën se autoritetet serbe duhet t’u kërkojnë falje shqiptarëve të Kosovës.Çfarë mendoni se do të ndryshonte një kërkesë eventuale për falje?

ADEM DEMAÇI
Do të ndryshonte shumë në atë anën psikologjike, pasi këto kundërshtime, këto thënie, këto fërkime, këto bllokada, këto luftëra, këto konflikte, bazën dhe burimin e tyre e kanë tek vetëdija. Domethënë në vetëdijen e njerëzve është një armiqësi, në vetëdijen e njerëzve është një moskuptim, në vetëdijen e njerëzve është një mosbesim midis tyre dhe nëse dikush që ka bërë krime kërkon falje e në një mënyrë e pranon gabimin e vet, në një mënyrë krijon mundësinë që të mos i përsëritë më gabimet e veta. Tek shumica shqiptare, e cila është e dëmtuar nga kjo luftë më shumë se kurrë ndonjëherë, do të krijonte një përgatitje të afrimit dhe të kuptimit për kërkesat e atyre që janë larguar nga Kosova dhe dëshirojnë të kthehen në trojet e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po flasim sërisht për kthimin, cilat vlerësoni ju se janë rezultatet e angazhimit te asociacionit te Juaj?

ADEM DEMAÇI
Komiteti ka arritur për shembull të krijojë ashtu marrëdhëniesh midis shqiptarëve dhe pakicave, që në votimin e fundit, i cili u mbajt lidhur me rezolutën e dështuar të kuvendit të Kosovës për mbrojtjen e territorit të Kosovës, të gjitha pakicat përveç serbëve të cilët u larguan nga salla, sepse janë me kokë në Serbi dhe Serbia i dirigjon, u solidarizuan pa përjashtim me shqiptarët dhe votuan për atë rezolutë. Kjo do të thotë se shqiptarët kanë arritur në më pak se tre vjet, të përmirësojnë të gjitha ato mosmarrëveshje të cilat ishin midis shqiptarëve dhe pakicave, si rezultat i politikës përçarëse dhe ndërsyese të regjimit të Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, Kuvendi i Kosovës duket se ka pasur disa fërkime me administratën ndërkombëtare. Sa serioze mendoni se janë këto fërkime dhe a mund të shmangeshin ato?

ADEM DEMAÇI
Këto fërkime janë më tepër fërkime fallso sesa fërkime të vërteta. Nëse shikohet formalisht, nëse shikohet korniza kushtetuese, nëse shikohet rregullorja e punës së kuvendit, të cilat në tërësi janë pranuar nga ky kuvend dhe nga partitë, në bazë të kornizës kushtetuese dhe në bazë të asaj rregulloreje, ata kanë hyrë në votime dhe kanë marë pjesë në elektorat, janë zgjedhur dhe janë bërë anëtarë të këtij parlamenti. Atëhere del se juridikisht zoti Steiner ka të drejtë dhe çdo pikë që del në rend të ditës duhet të kalojë përmes aprovimit të tij dhe miratimit të tij. Kjo rezolutë ishte një rezolutë pak a shumë të qetësojë shpirtrat e shqiptarëve dhe qytetarëve të thjeshtë, por jo të zgjidhë problemin, sepse kur zoti Shtainer doli me anullimin e vetë fuqisë së kësaj rezolute, atëhere ata u ngutën shumë shpejt “që nuk kemi ndërmend të prishemi me komunitetin ndërkombëtar”. I njëjti komunitet ndërkombëtar në emrin e Këshillit të Sigurimit dhe nën gojën, fjalën dhe shkopin e dirigjentit të zotit Shtainer, është ai që miratoi shkëputjen e një pjese të territorit shqiptar siç ishte ai 2500 ha tokë e dorëzimi i asaj toke Maqedonisë. Bashkësia ndërkombëtare është ajo, e cila nuk e kryen detyrën e vet, të shkojë në përfundimin e proçesit të pavarësimit të Kosovës. Kush ka kohë të presë mund të presë, mirëpo Serbia nuk po pret, po punon me të gjitha mënyrat që nga një pjesë nga një pjesë, nga një hap nga një hap, të hyjë të futet të ndikojë dhe të forcojë pozicionet e veta në Kosovë.

XS
SM
MD
LG