Ndërlidhjet

KOSHTUNICA:"KËRKIMI I FALJES PËR KRIMET ËSHTË RRËFIM I ZBRAZËT"


Vojisllav KOSHTUNICA, presidenti i RFJ-së


* Radio Evropa e Lirë
* Statusi i Kosovës është i rregulluar me rezolutën 12 – 44. Si e shihni Ju të ardhmen e Kosovës?

* V. Koshtunica
* Në plan afatgjatë shoh përmbushjen e asaj që parashihet me rezolutën 12-44. Për këto tri vite shumë pak është përmbushur. Në fakt një pjesë e reazolutës është përmbushur në sajë të angazhimit të madh, sakrificave dhe rrezikimit nga ana e popullatës serbe dhe jo-shqiptare në Kosovë, e cila kishte vendosur të dilte në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit të vitit të kaluar. Në sajë të kësaj janë formuar institucionet e Kosovës. Në vjeshtë duhet të mbahen zgjedhjet e dyta, kësaj rradhe, sipas të gjitha gjasave me pjesmarrjen e serbëve dhe partive serbe. Them sipas të gjitha gjasave sepse duhet shikuar se si do të zhvillohen gjërat atje. Pra, janë formuar institucionet kosovare dhe po formohen disa institucione komunlale – që kuptohet janë të karakterit të përkohshëm, siç parashihen me rezolutën 12-44.
Por, kur është fjala për të drejtat e njeriut gjërat qëndrojnë shumë keq. Të drejtat e serbëve dhe jo-shqiptarëve janë të rrezikuara, ndërsa siguri nuk ka. Mendoj se zgjidhja e vetme është bashkëpunimi me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, me UNMIK-un, dhe në këtë drejtim duhet të kemi qëndrim kosntruktiv. Nuk bën të konfrontohemi, por duhet gjithnjë sinjalizuar për ate që në Kosovë nuk është realizuar. Pra, duhet ta bëjmë të qartë në planin medial dhe politik aspektin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Duhet të sinjalizojmë se nuk do të ketë kurrfarë statusi përfundimtar të Kosovës, përderisa këto çështje nuk zgjidhen. Ndryshe, nëse nisemi në këtë drejtim atëherë në vend të statusit përfundimtar do të kemi zgjidhjen përfundimtare – pra Kosovën e pastër etnike.

* Radio Evropa e Lirë
* A ekziston gatishmëri që liderët politik të Bosnjes, Kroacisë dhe Jugosllavisë të përcaktojnë përgjegjësinë e politikave nacionale të zhvilluara gjatë 10 viteve të fundit dhe me një gjest simbolik të kërkimit të faljes të hapin një kaptinë të re në historinë e popujve të Ballkanit. A jeni të gatshëm të mbështetni një gjest të tillë?

* V. Koshtunica
* Krime ka pasur nga të gjitha palët, sepse ishte një luftë e vështirë, përgjegjës ka pasur në të gjitha anët. Por, kisha për të shtuar edhe palën tjetër dhe ajo është bashkësia ndërkombëtare, e cila gjithashtu është përgjegjëse, dhe madje edhe më përgjegjëse, sepse forca e saj ishte më e madhe se e elitave politike në Beograd, Sarajevë dhe Zagreb në ato çaste. Kur flasim për marrëdhënjet ndërmjet Jugosllavisë, Bosnjës dhe Kroacisë duhet bërë çmos që ato të jenë normale, stabile, që kufinjët të jenë të hapur, të shtojmë këmbimin tregtarë, të heqim të gjitha barierat e mundshme. Kështu gjërat gradualisht do të ndryshojnë. Më shumë nuk duhet pritur. Çdo gjë më tepër do të ishte rrëfim i zbrazët, që nuk zgjidh asgjë dhe që do të kishte vetëm karakter manifestues. Kur them më shumë mendoj për deklaratat që dikush të kërkoj falje nga dikush tjetër për krimet e bëra.

* Radio Evropa e Lirë
* Në qarqe të caktuara thonë se jeni nacionalist i matur dhe konservator. Si i komentoni këto deklarime?

* V. Koshtunica
* Nëse do të përshkruja qëndrimet, përkatësisht botëkuptimet e mija ato janë si vijon: i qëndroj pranë përkatësisë sime, kombësisë serbe, por kjo për asnjë çast nuk dëmton pjestarët e kombësive tjera. Problemet paraqiten atëherë kur kritika vjen nga ata që do të dëshironin të heqnin dorë tërësisht nga identiteti kombëtar dhe kur nga ky këndvështrim shikojnë të tjerët. E kuptoj plotësisht që dikush të ndjehet serb, kroat, boshnjak, hungarez, shqiptar, ndërsa dikush të ndjehet qytetar i botës. Unë nuk kuptoj se çdo të thotë të jesh qytetar i botës, sepse ajo botë ose bashkësi botërore nuk ekzsiton. Por, edhe këtë ndjenjë e konsideroj legjitime, ashtu siç ekzistojnë njerëz që besojnë dhe që nuk besojnë. Edhe njëra edhe tjera është e drejtë njerëzore.

XS
SM
MD
LG