Ndërlidhjet

KADARE:"FTOHJA TIRANË - PRISHTINË, PRODHIM POLITIKANËSH..."


Intervistë e Radios Evropa e Lirë me shkrimtarin e njohur Ismail KADARE

KADARE 28

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria këtë vit mbeti jashtë strukturave të tilla si NATO-ja, kemi parasysh takimin e Pragës. Ende nuk kanë filluar të shumëfolurat bisedime për marrëveshjen e Asociim –Stabilizimit me Bashkimin Evropian, ndërkohë që qytetari i thjeshtë përballet ende me mungesën e ujit dhe dritave. Cilat do ishin komentet tuaja në këtë fund viti zoti Kadare?

ISMAIL KADARE
Nuk është pritur që Shqipëria të bënte pjesë në NATO kaq shpejt. Vetëm bisedimet - po - mund të kishin filluar sepse është premtuar disa herë që do të fillonin. Është bërë sidoqoftë një hap përpara, qoftë në lidhje me Aleancën Veriatllantike ku Shqipëria së paku është konturuar bashkë me dy vendet e tjera të Ballkanit që bashkarisht, ashtu si vendet balltike të përgatiten për të hyrë në NATO. Lidhur me hyrjen në Evropë ne sigurisht kemi qenë ende prapa, kemi humbur shumë kohë. Viti '97 ka qenë fatal për Shqipërinë. Këtë vit për fat të keq ne ende nuk po e dënojmë siç duhet, përkundrazi disa herë kemi prirje në mënyrë të fshehtë edhe dinake ta admirojmë. Forcat anarkiste në Shqipëri e kanë si referencë të admirimit këtë vit dhe kjo është sipas mendimit tim një keqkuptim tragjik. Lidhur me atë që thamë, nuk duhet të mendojmë kurrsesi që hyrja në Evropë do të zgjidhi si me magji problemet tona. Hyrja në Evropë është një afirmim i diçkaje të mirë, por është një detyrim i madh për vendin tonë.
Fakti që edhe këtë dimër shqiptarët vazhdojnë të ankohen për një problem që është bërë gati kanceroz për Shqipërinë, për ujin dhe për dritat, mendoj që është diçka shumë e trishtueshme. Qeveritë herë pas here kohët e fundit kanë premtuar zgjidhjen e tyre dhe politikanët shqiptarë për çudi i harrojnë shumë shpejt premtimet. Për mua është shumë revoltuese që në dimrin e tanishëm në Shqipëri njerëzit rrinë ende një pjesë e madhe në errësirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kadare le të kalojmë nga Tirana në Prishtinë. Kohëve të fundit ndërmjet kosovarëve dhe administratës ndërkombëtare ka patur gjithnjë e më shumë fërkime. Si i shihni ju marrëdhëniet në të ardhmen e afërt midis administratës ndërkombëtare dhe vendorëve në Kosovë?

ISMAIL KADARE
Protektorati i ndërkombëtarëve në Kosovë nuk duhet harruar që është në komandën e Kombeve të Bashkuara dhe OKB janë një organizëm jashtëzakonisht i ndërlikuar, ku ndërthurren shumë rryma politike, ideologjike. Në këtë organizëm kaq të ndërlikuar ka gjithashtu keqkuptime të mëdha. Pjesëmarrja tepër e gjërë pjell në mënyrë objektive këtë mjegullimë si të thuash. Prandaj këtu duhet gjakftohtësi, këtu nuk duhet humbur asnjëherë orientimi kryesor që kjo është administrata ndërkombëtare që u vendos nga perëndimi demokratik që çliroi Kosovën. Të gjitha këto duhen parë me gjakftohtësi, duhet luftuar ditë për ditë, duhet punuar për të kapërcyer gjithë keqkuptimet dhe jo në mënyrë të ngutshme për të menduar atë që është e fundit për t’u menduar: konfliktin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërsa bregdeti i Shqipërisë ka njohur numrin më të madh të pushuesve nga Kosova, në rrethet politike dhe disa rrethe intelektuale të Prishtinës dhe Tiranës ka patur një ftohje. Si vëzhgues i kujdesshëm si do t’i vlerësonit raportet Tiranë- Prishtinë dhe cilat janë tendencat që vihen re në këto raporte.

ISMAIL KADARE
Këtë që thatë ju e kanë vënë re shumë njerëz në Shqipëri. Kjo dukuria e një ftohjeje që shfaqet mendoj se është dukuri e vjetër dhe nuk është e re. Mua më ka habitur fakti që kjo ka vazhduar edhe pas çlirimit të Kosovës dhe herë pas here duket. Në formën më të butë është një lloj rivaliteti që kërkohet të krijohet midis Shqipërisë dhe Kosovës, në formën më të egër është një lloj smire dhe ftohtësie. Mendoj se ky është prodhim politikanësh dhe intelektualësh dhe nuk është prodhim popullor. Nuk ka asnjë arsye absolutisht që të ketë ftohtësi midis Shqipërisë dhe Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Viti 2002 është shënuar edhe nga përfundimi i fazës së parë të gjyqit të Sllobodan Millosheviçit për akuzat që lidheshin me Kosovën. A u shfrytëzua siç duhet procesi për ta kthyer atë në një argument në diskutimet në statusin e ardhshëm të Kosovës?

ISMAIL KADARE
Mendoj se ky gjyq mund të shfrytëzohej edhe më mirë nga bota shqiptare, jo për t’u kapur pas tij, për të bërë spekullime me të, por për t’u shfrytëzuar në atë mënyrë të drejtë që mund të shfrytëzohet një proces i rëndësishëm ndërkombëtar që gjykon kriminelët. Mendoj se nuk u shfrytëzua shumë, megjithatë këtu desha të theksoj se nuk duhen ngatërruar dy gjëra. E para se populli shqiptar duhet të jetë i gatshëm absolutisht i gatshëm për ndërtimin e urave të miqësisë me fqinjët tanë të Ballkanit. Kjo nuk është as kortezi, as një mirësjellje, as diçka që ne duhet ta bëjmë se kështu e kërkon Evropa apo kështu e kërkon qytetërimi i sotshëm perëndimor. Jo këtë gjë ne duhet ta kuptojmë në thellësinë tonë. Është në të mirën tonë, është për të mirën e të gjithëve, është për të mirën e paqes në Ballkan. Pra shqiptarët duhet të jenë të gatshëm për miqësi me popujt e tjerë të Ballkanit sepse kjo është jeta jonë e ardhshme në Evropë. Pa këtë harmoni, pa këtë miqësi ne nuk mund të kemi të ardhme në kontintentin evropian. Por kjo nuk do të thotë aspak që shqiptarët duhet të pranojnë të denigrojnë historinë e tyre, ta shkelin me këmbë, të harrojnë atë që s’duhet harruar. Domethënë janë dy gjëra krejtësisht të ndara nga njëra tjetra. Prirja për miqësi dhe kujtesa historike. Shqiptarët duhet gjithmonë atë që ka ndodhur ta vënë në dukje dhe unë do të propozoja atë që e kam propozuar kur kam qenë në Kosovë, jo për hakmarrje, jo për ndarje por përkundrazi për ura bashkimi të ngrihen përmendoret e tragjedisë që ka ndodhur duke filluar nga i pari memorial që unë do të propozoja, ky është mendimi im vetjak si shkrimtar, një memorial për fëmijët e vrarë në mënyrën më mizore që është krimi numër një që mund të jetë në botën njerëzore, vrasja e fëmijëve me gjakftohtësi. Nga njëra anë populli shqiptar të verë në dukje krimet e egra që janë bërë kundër tij dhe nga ana tjetër të mos pushojë asnjëherë së kërkuari rrugët e bashkëpunimit dhe të miqësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, por jo e fundit nga rëndësia, gjatë viti që po lëmë pas kemi patur nga ju disa tituj të rinj. A do të kemi fatin të kemi tituj të tjerë gjatë vitit që vjen?

ISMAIL KADARE
Unë jam shkrimtar. Nuk kam punë tjetër. Puna ime kryesore dhe jeta ime është kjo dhe besoj se nga vjeshta do të botoj diçka tjetër.

XS
SM
MD
LG