Ndërlidhjet

Deputetët: Rënia e Qeverisë serbe pa ndikim në Kosovë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Deputetët në Kosovë vlerësojnë se dorëheqja e Qeverisë Koshtunica ka qenë e pritur dhe se zhvillimet në Serbi nuk do të kenë konsekuenca në Kosovë. Ata shpresojnë se pas zgjedhjeve në Serbi, në pushtet do të vijnë forca demokratike dhe pro evropiane.



Deputetët kosovarë konsiderojnë se pas mosmarrëveshjeve të fundit të partnerëve qeveritarë në Serbi, rënia e Qeverisë Koshtunica ka qenë e pritur.

Ish-zëvendëskryeministri, tani deputet, Lutfi Haziri, thotë se rënia e Qeverisë serbe ka vënë në pah dallimet që politikanët serbë kanë si për Kosovën, ashtu edhe për kahjen e Serbisë në të ardhmen.

“Po vazhdojnë në kontinuitet dallimet e mëdha të politikave në Serbi në raport me Kosovën dhe me kahjen e Serbisë në të ardhmen. Unë mendoj se si akt ka qenë i pritur dhe nuk ka kurrfarë reflektimi dhe konsekuence për zhvillimet në Kosovë. Le të shpresojmë të gjithë se Serbia do të demokratizohet dhe të vijë një qeveri evropiane, e cila problemin e Kosovës e sheh në prizmin e perspektivës evropiane, si shtet të pavarur dhe sovran”, tha Haziri.

Ndërkaq, shefi i Grupit më të madh Parlamentar, PDK-së, Ramë Buja, mendon se rënia e Qeverisë Koshtunica nuk do të ketë ndikim negativ në Kosovë.

“Qeveria e rënë në Serbi do të sjellë një qeveri tjetër më funksionale dhe besojmë më demokratike. Jo rastësisht është thënë se proceset demokratike në Kosovë po reflektojnë pozitivisht edhe në rajon. Dhe, ky refleksion është sfidë për të rënë e kaluara”, tha Buja.

Në anën tjetër, deputeti opozitar Ibrahim Gashi, nga Aleanca Kosova e Re, thotë se për shkak të qëndrimit obstruksionist të Koshtunicës ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe lidhjes së tij me forcat më radikale në Serbi, rënia e qeverisë ka qenë e paevitueshme. Gashi mendon se vetë fakti se do të ketë zgjedhje të reja atje, është sinjal pozitiv.

“Natyrisht, kjo mund të ketë konsekuenca pozitive ndoshta për vetë Serbinë. Në një rrethanë tjetër mund ta ndërrojnë këtë konstalacion, këtë përqendrim të votave të qytetarëve në masë të madhe te krahu nacionalist dhe radikal, por prapë kjo është hipotetike të thuhet se çka mund të sjellin zgjedhjet. Ndoshta pozitive është se do të ketë zgjedhje të reja, ndërsa në Kosovë, unë mendoj se nuk do të ketë implikime të drejtpërdrejta”, tha Gashi.

Liberalët serbë kanë akuzuar kryeministrin Vojisllav Koshtunica se dorëheqjen e ka bërë pasi që ka arritur marrëveshjen me radikalët, që pas zgjedhjeve të formojnë bashkë qeverinë.

Lutfi Haziri mendon se një lidhje e tillë nuk do të ketë jetë të gjatë.

“Një tendencë e tillë ka ekzistuar; një lloj martese e radikalëve me partinë e Koshtunicës ka zgjatur një javë, por presioni politik ndërkombëtar i ka detyruar që të largohen nga koalicionet e tilla. Zgjedhjet sigurisht se mund të prodhojnë rezultat tjetër, por mundësia që populli serb të zgjedhë partitë pro-demokratike dhe pro-evropiane ekziston. Le të besojmë se të gjitha dyshimet dhe presionet te serbët, për shkak të çështjes së Kosovës, janë larguar”, tha Haziri.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës konsiderojnë se për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, çështja e Kosovës do të lihet anash.

Megjithatë, ata shpresojnë se institucionet aktuale do të vazhdojnë punën e deritashme.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, pret që institucionet në Beograd të merren me Kosovën pavarësisht vendimit për zgjedhjet e reja. Veliq thotë se para përfaqësuesve të rinj të zgjedhur, shtrihet një përgjegjësi e madhe.

“Ky vendim nuk është marrë në një kohë të duhur sa i përket Kosovës. Ka shumë probleme që duhet zgjidhur në këtë fazë dhe në periudhën e ardhshme. Mendoj se zgjedhjet e ardhshme nuk do ta ndryshojnë numrin dhe përbërjen e deputetëve aktualë, por, në anën tjetër, megjithatë, është mirë që ata që marrin mandatin në zgjedhjet e ardhshme, t’i bartin përgjegjësitë se në cilën rrugë do të ecë Serbia”, tha Veliq.

Ndërkaq, deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës thonë se cilado forcë që do të vijë në pushtet në Serbi, si radikalët, ashtu edhe demokratët, në Kosovë nuk do të ketë më implikime, meqë Kosova tani ecën rrugës së vet.

Për më tepër, deputeti Ibrahim Gashi mendon se një fitore eventuale e radikalëve do ta vetizolonte Serbinë, por, në anën tjetër, do të mobilizonte komunitetin ndërkombëtar në ruajtjen e Kosovës, por edhe të rajonit, nga një zgjerim i ekspansionit të mundshëm të ri serb.
XS
SM
MD
LG