RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, fillimisht, si e shihni dhe si e vlerësoni vendimin që administrata e UNMIK-ut të mbetet edhe më tutje në veri të Kosovës?
AHMET ISUFI
Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në veriun e Kosovës për mosgatishmëri të një pjese të serbëve që t’i përgjigjen institucioneve të vendit, atëherë kërkesa për një vazhdim të përkohshëm të misionit vjen si rezultat i këtyre ngjarjeve të fundit. E konsiderojmë si normale edhe një prezencë të vazhdueshme të UNMIK-ut, në një masë të reduktuar dhe po ashtu të KFOR-it që ka për detyrë ta mbajë sigurinë në vend.
Prandaj, më mirë do të ishte që KFOR-i dhe mekanizmat që janë në rolin e EULEX-it të jenë prezentë, sesa të ketë një administrim çfarë ka qenë më herët.
RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, a e shihni këtë edhe si mesazh se çështja e veriut të Kosovës po mbetet një lloj konflikti i ngrirë, me vetë faktin se pas tranzicionit do të ketë atje prani të Kombeve të Bashkuara?
AHMET ISUFI
Konsiderojmë se janë efektet e para të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe normalisht që një pjesë e serbëve, të nxitur nga qarqet në Beograd, nuk mund ta shohin mirë këtë rrjedhë, por natyrshëm do të zhvillohen ngjarjet dhe serbët do të binden me realitetin e ri, ashtu siç janë bindur për 8 vjet të administrimit të UNMIK-ut dhe të qeverisjes nga vendorët.
Por, duhet një kohë, për arsye së institucionet e vendit duhet të marrin më shumë përgjegjësi në investime të përgjithshme në veri, në mënyrë që mos të lejojnë që Serbia atje ta luajë lojën e vet, por, përkundrazi, institucionet e vendit të jenë të përgjegjshme para situatës që kemi, duke trajtuar qytetarët e Kosovës në mënyrë të barabartë dhe duke investuar në mënyrë të barabartë.
Konsideroj se çdo ministri e Kosovës duhet të fillojë qasjen atje, në mënyrë që Qeveria komplet të jetë e instaluar në veri, duke u ofruar qytetarëve punësim dhe mënyrë të jetës që do të jetë e dobishme për ta.
RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, përfundimisht konsideroni se pjesa veriore e Kosovës do të mbetet pjesë integrale e territorit të Kosovës?
AHMET ISUFI
Absolutisht jam i bindur, sepse është një realitet i krijuar në Kosovë, me gjithë kufijtë që i ka Kosova, i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe me parimet e Grupit të Kontaktit.
Po ashtu, nuk guxohet të mendohet ndonjë variant tjetër, sepse gjeneron kriza të reja në ish-Jugosllavi.
Prandaj, territori i Kosovës mbetet territor i Kosovës, por ushtrimi i ndikimit të institucioneve duhet të jetë shumë më i fuqishëm, sepse qytetarët kudo i përgjigjen një realiteti të krijuar nëse ata jetojnë mirë.
Porosi e jona është që të ketë një involvim dhe një interesim shumë më të madh të institucioneve të vendit, në kuptimin e investimit praktik; jo me teori, jo me fjalë boshe, por veprime konkrete, që te qytetari sjellin një jetë më të mirë.
Kjo do të jetë, unë besoj, si leva, që do të shtyjë procesin përpara, në mënyrë që tërë territori të administrohet dhe të qeveriset nga vendorët.
RADIO EVROPA E LIRË
Kosova po i kalon ditët e para të shpalljes së pavarësisë dhe të një njohjeje kualitative ndërkombëtare. Cilat konsideroni se do të jenë sfidat e para, me të cilat do të ballafaqohen institucionet e Kosovës në këtë fazë, qysh në muajt e parë të funksionimit si shtet?
AHMET ISUFI
Kemi një pranim solid të vendeve, sidomos të fuqive që sot vendosin strategjinë botërore.
Është në të mirë të Kosovës, sepse njohja e menjëhershme nga SHBA-të dhe shumë vende perëndimore tregon për gatishmërinë e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të dalë pozitivisht nga ky proces, se normalisht edhe Kosova ka nevojë për një përkrahje të tillë.
Po ashtu, mendoj se institucionet tona, sfidën e parë do ta kenë me ballafaqimin e gjendjes ekonomike në Kosovë, po ashtu të papunësisë, të shtresave sociale që janë në një pozitë shumë të rëndë.
Ajo që duhet të jetë pragmatizëm i vërtetë i krijuar në terren, duhet që të shkohet përmes një programi, të cilin Qeveria e Kosovës ende nuk e ka sjellë në Parlamentin e Kosovës, gjë që tregon për një neglizhencë të kapaciteteve që i ka Kosova për t’i shfrytëzuar.
Kërkesë e jona edhe si opozitë është që Qeveria ta sjellë programin më shpejt në Parlamentin e Kosovës, të aprovohet ai program, në mënyrë që të mund të ecim hapave që i duhen Kosovës.
Dhe, kjo do të jetë një vërejtje ndaj Qeverisë, e cila nuk është e gatshme të bashkëpunojë as me mekanizmat vendorë sa duhet, por as me ndërkombëtarët, për të pasur shtytje në këtë proces, sepse dita e mirë thonë që shihet në mëngjes, dhe që nga dita e parë, unë konsideroj se pavarësia krijohet dhe i jepet përmbajtja e saj.
Përndryshe, na mbetet një fjalë, e cila pastaj do të sjellë deri te zhgënjimi i qytetarëve.
RADIO EVROPA E LIRË
Këto vërejtje që tash i paraqitët, sa mund të pengojnë dhe sa mund të jenë sfida për Kosovën, që ajo të përfitojë qoftë nga Konferenca e donatorëve apo nga zhvillimet tjera që do të ndihmonin në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës?
AHMET ISUFI
Konsiderojmë se sikur po pritet që Konferenca e donatorëve do të sjellë mrekulli në Kosovë. Në të vërtetë, u takon institucioneve, sidomos atyre që janë drejtpërdrejt të lidhura me zhvillimin ekonomik të vendit, që të bëjnë një përgatitje solide, që me rastin e mbajtjes së Konferencës së donatorëve, të shihet një seriozitet i funksionimit të institucioneve tona dhe po ashtu një gatishmëri për t’u ballafaquar me sfidat që i kemi përpara.
Kosova mund të shpëtojë nga kjo gjendje dhe mund t’i japë kuptim pavarësisë dhe sovranitetit të vet, nëse orientohet ekskluzivisht tani në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e mirëqenies së qytetarëve.
Kjo mund të arrihet me një punë permanente, me një bashkëpunim jo vetëm me mekanizmat qeveritarë të brendshëm, por me të gjitha institucionet që sot janë jashtë Qeverisë e janë në fokus të interesave ekonomike të vendit.
Nëse Qeveria mbyllet në vetvete dhe mendon vetëm nga lart t’i shikojë këto interesa, unë jam i bindur se do të pësojë fiasko, sepse gjithmonë mekanizmat jashtë nivelit qendror shohin terrenin më mirë sesa vetë Qeveria.