"New York Times"
Kosova ka bërë një zgjedhje historike për pavarësinë, muajin që shkoi. Edhe Serbia së shpejti do ta ketë rastin ta bëjë zgjedhjen e saj historike – ose për një të ardhme më të mirë si pjesë e Bashkimit Evropian, ose për izolim, stagnim dhe kundërshtim.
Nuk është fare e befasishme që deklarata e pavarësisë së Kosovës ka nxitur zhbërjen e koalicionit qeverisës në Serbi dhe organizmin e zgjedhjeve të reja. Kosova ka qenë simbol i nacionalizmit serb që prej shekullit të 14-të. Çdo parti politike me ndikim në Serbi është zotuar se do të parandalojë pavarësinë e Kosovës, edhe pse u dëshmuan tërësisht të pafuqishme për ta bërë një gjë të këtillë.
Këto parti tani kanë ide të ndryshme se si të ecin më tutje. Partia Demokratike e Boris Tadiqit ofron një politikë më të arsyeshme. Favorizon ecjen e përshpejtuar të Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe një gjë e këtillë është domosdoshmëri ekonomike. Gjithashtu, oferta e tij strategjike dhe diplomatike ka kuptim. Megjithatë, Serbia ka dobësuar vetveten duke hyrë në aleancë me Rusinë kundër Bashkimit Evropian dhe duke refuzuar që të negociojë mbi bazën e vullnetit të mirë për pavarësinë e Kosovës.
Votuesit serbë e kanë mbështetur qasjen e zotit Tadiq në janar, kur e rizgjodhën për president. Rezultati ishte i ngushtë dhe zemërimi që pasoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës mund t'i ketë sforcuar ultranacionalistët, të cilët janë në favor të ngrirjes së marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, përderisa mbështetet pavarësia e Kosovës.
Një fitore e qartë e partisë së zotit Tadiq do të ishte më e mira për Serbinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni dhe Brukseli mund të ndihmojnë, jo duke e ngulfatur në përqafim zotin Tadiq, por nëpërmjet hapave konkretë për të siguruar dhe mbrojtur pakicën serbe në Kosovë.
Para shpalljes së pavarësisë, qeveria e përbërë kryesisht nga shqiptarët në Kosovë, mbështeti planin perëndimor për mbikëqyrjen e institucioneve të reja. Kontingjenti i NATO-s, i cili do të mbetet në Kosovë dhe ekipet mbikëqyrëse evropiane të policisë dhe gjyqësisë, të cilat kanë filluar të zbarkojnë, duhet të sigurojnë se serbët e Kosovës janë të mbrojtur nga dhuna dhe diskriminimi.
Administrata e zotit Bush, e cila ka një ndikim të pakrahasueshëm mbi Qeverinë e Kosovës, duhet të insistojë që kjo qeveri në vazhdimësi të demonstrojë synimin e saj për pajtueshmëri me minoritetin serb dhe me Beogradin.
Zhbërja vrastare e Jugosllavisë filloi para pothuajse dy dekadash me manipulimin që Slobodan Milosheviqi bëri me pasionet nacionaliste serbe mbi Kosovën. Do të ishte e drejtë që kjo epokë të marrë fund këtë pranverë, me një votë të fuqishme në favor të pragmatizmit dhe përparimit për popullin serb.