Ndërlidhjet

Komandanti amerikan jep dorëheqje për shkak të Iranit


Admirali William Fallon
Admirali William Fallon

Dorëheqja vie pas publikimit të një artikulli në revistën amerikane "Esquire". Në artikull, Fallon është portretizuar si njeriu që "në kohën kur Shtëpia e Bardhë fliste për konfliktin me Iranin, ai fliste të kundërtën"


Admirali William Fallon është njeri me reputacionin e të folurit në mënyrë direkte të gjërave. Por, ata që e njohin thonë se ai gjithashtu posedon aftësi diplomatike.
Ka qenë ana diplomatike e karakterit të tij më e fuqishmja në letrën e dorëheqjes që i dërgoi Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates.

Gatës, i cili e emëroji admiralin Fallon në krye të komandës qendrore të forcave amerikane në Irak dhe Afganistan, u bëri të ditur mediave publike disa detaje:

"Admirali Fallon më informoi për vendimin e tij. Ai më tha se situata e rëndë aktuale, perceptimi i publikut për dallimet e pikëpamjeve të mia me ato të administratës amerikane dhe paqartësitë që janë shkaktuar prej misionit, bëjnë që kjo të jetë gjë e duhur. Unë me keqardhje e pranova kërkesën e admiralit Fallon që të tërhiqet", tha sekretari Gates, duke shtuar se admirali Fallon ka bërë "veprim të drejtë".

Dorëheqja vjen pas publikimit të një artikulli në revistën amerikane "Esquire". Në artikull, Fallon është portretizuar si njeriu, që në kohën kur Shtëpia e Bardhë fliste për konfliktin me Iranin, ai fliste të kundërtën".

Për të mbështetur këtë, revista kthehet mbrapa dhe tregon se çfarë admirali Fallon i kishte thënë televizionin Al Jazzira, vitin e kaluar. Ai pati deklaruar se "të trumbetuarit e vazhdueshëm" të konfliktit midis SHBA-ve dhe Iranit, nuk është gjë e dobishme, duke shtuar se nuk pret që të ketë luftë.

Admirali Fallon deklaroi kështu në kohën kur shkëmbimet verbale të Uashingtonit dhe Teheranit ishin në nivel të lartë.

Uashingtoni në atë kohë emërtoi elitën e forcave iraniane të Al Quds-it si terroristë. Liderët iranianë kërcënonin për pasoja nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë territorin e tyre.

Politika e Shteteve të Bashkuara karshi Iranit u riafirmua nga presidenti Bush në vitin 2006 dhe ende nuk ka ndryshuar. Ajo parasheh që forcat ushtarake mund të përdoren nëse përpjekjet diplomatike dështojnë të parandalojnë Iranin nga zhvillimi i programit bërthamor. Por, diplomacia zë vendin kryesorë.

"Të gjitha opsionet janë në tryezë. Ne dëshirojmë ta zgjidhim këtë çështje me diplomaci dhe po punojnë fuqishëm në atë drejtim. Rruga më e mirë për të bërë këtë, është që të ketë përpjekje të bashkuara me vendet që e njohin rrezikun nëse Irani posedon armë bërthamore", ka deklaruar presidenti George Bush.

Raportet e mediave thonë se mund të ketë të tjera arsye pse në sytë e publikut së voni u kuptua konflikti i rritur midis Shtëpisë së Bardhë dhe admiralit William Fallon.

E përditshmja "Los Angeles Times" shkruan se mbështetësit e shtimit të trupave amerikane në Irak, e kanë kritikuar admiralin Fallon për nxitjen e reduktimit të forcave në Irak.

Gazeta shton se edhe komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali David Petraeus, në komunikimet e tij me presidentin Bush, ka lënë të kuptohet për ndarjet midis admiralit Fallon dhe Shtëpisë së Bardhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG