Ndërlidhjet

Dalai Lama do të japë dorëheqje nëse dhuna në Tibet vazhdon


Dalai Lama
Dalai Lama

Duke folur nga baza e tij në ekzil në Dharamsala të Indisë, udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama, e ka dënuar ashpër dhunën e fundit në vendin e tij. Ai ka ftuar tibetianët që të mos i nënshtrohen dhunës, duke thënë se edhe nëse 1000 tibetianë sakrifikojnë jetën e tyre, kjo nuk do ta ndihmonte situatën, sepse pavarësia nuk vjen në konsideratë.


Dalai Lama madje ka paralajmëruar ndërmarrjen e një hapi më radikal, nëse gjërat nuk qetësohen.

"Nëse gjërat dalin jashtë kontrollit, atëherë i vetmi opsion që më mbetet, është të jap dorëheqje", ka thënë Dalai Lama.

Komentet e tij pasojnë valën e dhunshme në qytetin kryesor të Tibetit, Lhasa, gjatë së cilës qeveria kineze thotë se janë vrarë 13 civilë. Protestuesit tibetianë, të zemëruar me atë çka ata e shohin si kolonizim të vendit të tyre nga Kina, u kanë vënë flakën dyqaneve dhe automjeteve kineze. Autoritetet tibetiane në ekzil pohojnë se të paktën 80 protestues kanë vdekur gjatë përplasjeve me forcat kineze të sigurimit.

Protestat janë mbajtur edhe në disa qytete të tjera kineze, me shumicë të madhe tibetiane. Dalai Lama i ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat se ai është duke nxitur dhunën, duke e ftuar Pekinin që të zhvillojë hetime përpara se të dalë me akuza të këtilla. Dalai Lama thotë se ai dëshiron që Tibeti të ketë autonomi në kuadër të Kinës dhe jo pavarësi.

Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit është shpërblyer me çmimin Nobel për Paqe më 1989, për kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj përdorimit të dhunës në rrugëtimin e Tibetit për vetëqeverisje.

Kryeministri kinez, Wen Jiabao, e ka akuzuar Dalai Laman për nxitjen e trazirave në Tibet.

"Kemi dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar se ky incident në Tibet ka qenë i organizuar dhe i paramenduar nga grupi i Dalaj Lamas. Pohimet e vazhdueshme se Dalai Lama nuk do pavarësinë, por një dialog paqësor, janë gënjeshtra dhe asgjë tjetër", ka thënë kryeministri kinez. Sipas tij, protestat në Tibet, për synim kanë të pengojnë Lojërat Olimpike e këtij viti, të cilat mbahen në muajin gusht në Pekin.

Reagimet ndërkombëtare rreth ngjarjeve në Tibet deri më tash kanë qenë të buta. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka ftuar të gjitha palët për vetëpërmbajtje.

"Në këtë kohë, ftoj për vetëpërmbajtje nga ana e autoriteteve dhe i ftoj të gjitha palët që të shmangin konfrontimin dhe dhunën, duke nënvizuar rëndësinë e një zgjidhjeje paqësore", ka thënë zoti Ban Ki Moon.

Kina thotë se Tibeti ka qenë zyrtarisht pjesë e saj që prej shekullit të 13-të.
Tibeti e ka shpallur vetveten republikë të pavarur më 1912 dhe ka funksionuar me qeveri të pavarur deri më 1951. Atëbotë, Kina dërgoi forcat e saj ushtarake në Tibet, duke e detyruar një delegacion tibetian të nënshkruajë marrëveshjen se pajtohet me sovranitetin kinez.
XS
SM
MD
LG