Ndërlidhjet

Sejdiu: Kosova me rrugë të shkurtuar në BE dhe NATO


Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu
Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu

Zyrat diplomatike të Kroacisë, Bullgarisë dhe Hungarisë, u kanë kumtuar sot edhe zyrtarisht, presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, vendimet e qeverive të tyre për njohjen e shtetit të Kosovës. Ndërkohë që udhëheqësit kosovarë kanë pritur sot dhe disa nga liderët e shqiptarëve të Maqedonisë, me ç’rast u shprehën të bindur se edhe Shkupi shumë shpejt do ta bëjë publik vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës.


Udhëheqësit kosovarë kanë mirëpritur vendimet e Kroacisë, Hungarisë dhe Bullgarisë për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, duke besuar se shume shpejt, një njohje e ngjashme të pasojë edhe nga vendet tjera perreth.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se pritjet e Kosovës për njohje po plotësohen dita ditës. Ndërkaq, u shpreh i bindur se pas njohjes së Kosovës nga vendet më të fuqishme, do të pasojë edhe anëtarësimi i saj në organizatat e mekanizmat ndërkombëtarë.

“Besoj se do të ketë një numër të mjaftueshëm, atë që ne e quajmë masë e nevojshme kritike, për të hyrë në proceset tjera pa pengesë. Kosova do të jetë edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, edhe në Bankën Botërore dhe ishim dakord edhe me ambasadorët se do të jetë rrugë shumë më e shkurtër e Kosovës për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian dhe në NATO, sesa vendet tjera të Evropës Juglindore, sepse ka shumëçka që ne e kemi bërë të gatshme”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, në Prishtinë po i kushtohet një rëndësi e veçantë edhe njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë.

Presidenti Fatmir Sejdiu, krtyeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi kanë ftuar sot në takime liderët shqiptarë nga Maqedonia. Mirëpo, ftesës nuk i ishte përgjigjur vetëm kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili kohë më parë kishte vendosur ta braktisë Qeverinë e Maqedonisë, ku një ndër kërkesat e tij ishte pikërisht dhe njohja e Kosovës. Mirëpo, për dallim nga Menduh Thaçi, udhëheqësit kosovarë thanë se çrregullimet e qeverisjes në Shkup, shkojnë në dëm të njohjes sa më të shpejtë të Kosovës, duke u bërë thirrje kështu partive shqiptare atje që të jenë pjesë e institucioneve.

Kryeministri Thaçi tha se ka konfirmime se Maqedonia do ta bëjë shumë shpejt publik vendimin për njohjen e Kosovës. Ai tha se pret që së pari Shkupi ta njohë Kosovën e pavarur dhe më pas të fillojnë bisedimet për tejkalimin e çështjeve të caktuara.

“Duhet të rikonfirmoj se tashmë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi është çështje e kryer, është një vendim i ngrirë që pritet të bëhet publik së shpejti. Ne duam dhe urojmë që Maqedonia të jetë sa më shpejt që të jetë e mundur pjesë e NATO-s dhe në kuadër të kësaj, edhe çështja e demarkacionit do të zgjidhet në përputhshmëri me marrëveshjen që do të arrihet mes autoriteteve shtetërore të Prishtinës dhe Shkupit me ndërmjetësimin e NATO-s”, theksoi Thaçi.

Çështja e vijës kufitare ndërmjet Kosovës e Maqedonisë konsiderohet si problematike që nga marrëveshja e vitit 2001, ndërmjet Beogradit e Shkupit, me të cilën Kosova kishte humbur një pjesë të brezit kufitar. Kjo marrëveshje qe hedhur poshtë nga Kuvendi i Kosovës.

Sidoqoftë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha sot pas takimit me udhëheqësit kosovarë, se Kosova dhe Maqedonia do të ketë raporte të mira fqinjësore dhe do t’i kalojnë problemet me vijën kufitare.

“Sa më parë edhe vendi ynë, Maqedonia, ta njohë Kosovën e pavarur, sepse është në të mirë të të dyja vendeve tona. Sa më afër politikisht që të jemi, sigurisht që do të hapen mundësi të reja edhe në aspektin e ekonomisë, por edhe në aspekte tjera të vendosjes së raporteve ndërshtetërore”, tha Ahmeti.

Udhëheqësit kosovarë, në anën tjetër, thanë se rajoni po kalon përfundimisht nga një rajon i krizave e konflikteve në një rajon të integrimeve. Sejdiu dhe Thaçi në fund thanë se presin që edhe Serbia do t’u bashkohet vendeve tjera dhe ta njohë Kosovën e pavarur, në mënyrë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë si prioritet integrimet euro-atlantike.
XS
SM
MD
LG