Ndërlidhjet

Udhëheqësit e Kosovës urojnë Pashkët


Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës u kanë uruar besimtarëve katolikë festën e Pashkëve, me dëshira që në Kosovë të mbizotërojë paqja dhe stabiliteti.

"Këto janë Pashkët e para në Republikën e pavarur të Kosovës dhe sovrane, e njohur nga ana e shumë vendeve mike", thuhet në urimin e presidentit Fatmir Sejdiu, në të cilin më tej shtohet se këto Pashkë në Kosovë zgjojnë "shumë shpresa për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve të saj".

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur dëshirën që në të gjitha familjet e besimtarëve katolikë, kjo festë të kremtohet në paqe, dhe njëkohësisht ka theksuar faktin se kjo festë për herë të parë festohet në Kosovën e pavarur.

"Kremtojmë Pashkët në shtetin tonë, me vizionin e përbashkët evropian dhe me synim të forcimit të paqes, stabilitetit, mirëqenies dhe zhvillimit të vendit tonë", thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi gjithashtu ka shprehur dëshirën që në Kosovë të mbizotërojë paqja, dashuria, toleranca dhe mirëkuptimi i ndërsjellë.

"Në Republikën demokratike të Kosovës, të gjithë qytetarët do të jetojnë me të drejta të barabarta, dhe do t'i gëzojnë frytet e lirisë së vërtetë dhe të plotë", ka thënë Krasniqi.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës u kanë uruar festën e Pashkëve edhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG