Ndërlidhjet

Bush: Njohja e Kosovës - gjëja më e mirë për Ballkanin


Presidenti i SHBA-ve, George Bush
Presidenti i SHBA-ve, George Bush

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës ishte gjëja "më e mirë" për rajonin e trazuar të Ballkanit dhe shfaqi shpresën se Serbia më në fund do t'i ndihmojë Kosovës që të ketë sukses.


Në një intervistë për televizionin shtetëror kroat, presidenti amerikan ka pohuar se e ka mbështetur pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, sepse mendon se "është gjëja më e mirë për rajonin dhe me siguri do të çojë drejt paqes".

"Shpresa ime është se Qeveria e Serbisë do të shohë se serbët në Kosovë po trajtohen me respekt, se të drejtat e tyre si minoritet po respektohen dhe se në fund, ajo do ta ndihmojë Kosovën që të ketë sukses, në vend të përpjekjeve për ta penguar atë sukses", ka thënë presidenti Bush.

Presidenti amerikan i bëri këto komente në një intervistë për televizionin e Kroacisë, në prag të vizitisë së tij në këtë vend.

Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës.

Javën e kaluar, presidenti George Bush autorizoi furnizimin e Kosovës me armatim. Në një memorandum dërguar Departamentit të Shtetit, Bush tha se "në këtë mënyrë, furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do ta forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovojë paqe botërore".

Shtëpia e Bardhë tha se hapi i presidentit Bush do t'i forcojë raportet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara me Kosovën, do ta promovojë sigurinë dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin dhe do ta përmirësojë kapacitetin e Kosovës për të marrë pjesë në aktivitete paqeruajtëse, do të ndihmojë në luftimin e terroristëve dhe t'i menaxhojë situatat emergjente humanitare.
XS
SM
MD
LG