Ndërlidhjet

IHT: "E ardhmja e Kosovës në BE"


Flamuri i Republikës së Kosovës
Flamuri i Republikës së Kosovës

Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Sllovenisë, Danimarkës, Finlandës dhe Belgjikës, në një artikull të përbashkët në të përditshmen "International Herald Tribune", mbrojnë qëndrimin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se e ardhmja e saj dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.


Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, i ka ftuar partitë politike serbe që të kundërshtojnë afrimin e raporteve me Bashkimin Evropian, përderisa blloku evropian nuk e mbështet qëndrimin e Qeverisë serbe mbi Kosovën. Kjo deklaratë e zotit Koshtunica ka nxitur reagimin e ministrave të Jashtëm, David Miliband nga Britania, Frank Walter Steinmeir nga Gjermania, Dimitrij Rupel nga Sllovenia, Per Stig Moller nga Danimarka, Ilkka Kanerva nga Finlanda dhe Karel de Gucht nga Belgjika.

Në një shkrim të botuar në të përditshmen "International Herald Tribune", ministrat e Jashtëm thonë se deklarata e zotit Koshtunica paraqet një zgjedhje jo të drejtë për Serbinë.

"Qeveritë tona e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të bindjes sonë se pavarësia e mbikëqyrur ofron rrugën e vetme përpara për Kosovën dhe për rajonin. Në një situatë ku status-quo-ja është e paqëndrueshme dhe ku marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit është e paarritshme, pavarësia e mbikëqyrur është garancioni më i mirë për një të ardhme demokratike dhe shumëkombëshe për Kosovën".

"Pavarësia pasqyron në mënyrë të arsyeshme realitetet politike që kanë pasuar zhvillimet gjatë viteve të 90'ta, i njeh aspiratat e shumicës dërrmuese të popullatës në Kosovë, ndërkohë që ruan dhe mbron interesat e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera joshqiptare. Me të është zgjidhur çështja e fundit e statusit që ka mbetur nga zhbërja e Jugosllavisë dhe po të mbetej e pazgjidhur, në mënyrë të pashmangshme do ta pezullonte edhe përparimin e rajonit drejt integrimeve evropiane".

"Bashkimi Evropian ka thënë qartazi se e ardhmja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor gjendet tek Bashkimi Evropian. Serbia, me një demokraci të fortë, me një ekonomi të zhvilluar dhe kapacitet mbresëlënës administrativ, në një lokacion gjeografik në zemër të rajonit dhe infrasrukturës rajonale, duhet të jetë ajo që e udhëheq një trend të këtillë".

"E mirëpresim faktin se votuesit e Serbisë do të kenë shansin e tyre për t'i qartësuar pikëpamjet gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Mesazhi ynë për opinionin në Serbi dhe establishmentin politik është se qëndrimet e ndryshme midis nesh mbi statusin e Kosovës nuk duhet të pengojnë përparimin e Serbisë drejt Bahkimit Evropian, një synim ky të cilin e mbështesim dhe jemi të vendosur ta çojmë përpara".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG