Ndërlidhjet

Rusia nuk do lejojë Kosovën në OKB


Rusia nuk do ta lejojë Kosovën të bëhet vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Lavrov shtoi se Rusia do përdorë fuqinë si vend anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rrugën e Kosovës drejt OKB-së.

"Kemi bërë gjithçka kemi mundur për të prishur planet për arritjen e një njohje të shpejtë dhe të gjerë të pavarësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar. Ne nuk po lejojmë që çështja e Kosovës të dalë jashtë Kombeve të Bashkuara dhe kemi parandaluar Sekretarin e Përgjithshëm nga kalimi i misionit në Kosovë në duart e Bashkimit Evropian, për aq kohë sa nuk ekziston një mandat i Kombeve të Bashkuara", tha Lavrov.

Ai shtoi se Rusia po punon që të zgjas aktivitetin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

"Pakicat në Kosovë kanë të drejtë të shprehin vullnetin e tyre dhe kanë të drejtë të vendosin se me kë do të jetojnë. T'i detyrosh serbët të njohin legjitimitetin e misionit evropian është e paligjshme", tha Lavrovi gjatë një fjalimi në Dhomën e Ulët të Parlamentit rus, Duma.

Në të tjera zhvillime sot është nisur aeroplani i parë me 40 tonë ndihma humanitare nga Rusia për serbët e Kosovës. Aeroplani është ulur në aeroportin e Beogradit.
Sipas burimeve ruse sasia e ndihmave për pakicën serbe në Kosovë do të jetë 140 tonë.
XS
SM
MD
LG