Ndërlidhjet

Berisha: Mospranimi i Maqedonisë mund të inkurajojë radikalët


Vonesa në ftesën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO mund t'i inkurajojë radikalët dhe të nxitë jostabilitetin në Ballkan, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha i ka thënë agjencisë Reuters se është "shumë i bindur" se Shqipëria do të marrë ftesën, dhe ka shfaqur shpresën se do të arrihet një kompromis ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë.

Kryeministri shqiptar tha se vonesa për Maqedoninë do të ishte "problem shumë serioz" për tërë rajonin e Ballkanit.

"Stabiliteti i këtij vendi fqinj është shumë thelbësor për Shqipërinë, Kosovën, Greqinë, Bullgarinë, për të gjithë fqinjët e saj", ka thënë Berisha.

"Frika ime është se mund të forcohen radikalët e të gjitha etnive" në Maqedoni, ka thënë ai.

Lidhur me pranimin e Shqipërisë, Berisha tha se NATO-ja do të ishte garancë për liritë në këtë vend.

"Të jesh në NATO, përbën garanca për sigurinë. Të kesh garanca për liritë, keni garanca për të adhmen", ka thënë Berisha.

Ai tha se Shqipëria ka treguar se mund të jetë aleat i sigurt i NATO-s duke ofruar trupa për misionet prej Afganistanit e deri në Ballkan.

"Bashkë me Greqinë dhe Italinë, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia sjellin një dimension të ri në sigurinë e NATO-s" tha Berisha.

Samiti i NATO-s formalisht u hap sonte në kryeqytetin e Rumanisë me një darkë pune, në të cilën do të diskutohet misioni i aleancës në Afganistan, Kosova dhe zgjërimi i ardhshëm i NATO-s.
XS
SM
MD
LG