“Projekt-kushtetuta e Republikës së Kosovës dëshmon edhe një herë përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës, për të zbatuar në tërësi propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari dhe në veçanti dispozitat që kanë të bëjnë më liritë dhe të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë. Këto të drejta e liri themelore janë të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës”, tha Sejdiu.
Kushtetuta jep bazë për institucione të qëndrueshme, kurse konfirmon se kufijtë e Kosovës dhe tërësia e saj territoriale janë të paprekshme, të pacenueshme dhe të patjetërsueshme, theksoi Sejdiu. Duke besuar se Kushtetuta e Kosovës jep bazë të mjaftueshme juridike për një ekonomi tregu dhe shfrytëzim të resurseve të saj natyrore, presidenti Kosovës tha se me këtë akt juridik, Kosova po hap edhe një kapitull të ri të saj në historinë e vet.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se Kushtetuta e nënshkruar sot, është vlerë e lirisë së Kosovës, që sublimon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
“Kushtetuta është identiteti ynë, sepse populli ynë ka luftuar gjatë për lirinë. Kjo Kushtetutë është dokumenti i garantimit të lirisë. Kemi sakrifikuar gjatë për këtë ditë. Kjo Kushtetutë është dokumenti, është vula e shtetit të Kosovës. Kemi bërë përpjekje të shumta dhe meritore për dinjitet e kjo Kushtetutë i garanton çdo qytetari të Kosovës dinjitetin”, theksoi Thaçi.
Nënshkrimi i aktit më të lartë juridik është përshëndetur edhe nga Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith. Ai tha se e ka certifikuar këtë akt, pasi që kishte vlerësuar se Kushtetuta respekton në tërësi parimet bazë të dispozitave të pakos së Ahtisaarit.
“Pas një pune të madhe të të gjithë atyre që ishin të përfshirë në këtë proces, Kosova po bëhet me një Kushtetutë moderne”, tha Feith, duke nënvizuar sidomos dispozitat për decentralizimin dhe të drejtat e komuniteteve, çka, sipas tij, do të ndikojë që Kosova të jetë më afër integrimeve evropiane.
Kushtetuta e Kosovës është akt që bazohet në kushtetutat moderne të botës demokratike, tha kryetari i Komisionit, Hajredin Kuçi. Por, ky akt juridik, shtoi ai, është dhe fryt i luftës dhe angazhimeve të vazhdueshme për shtetin e Kosovës.
“Edhe ne sot, me këtë akt solemn, po e çmojmë luftën tonë për liri e pavarësi, po e çmojmë paqen dhe po e marrim përgjegjësinë për ta ndërtuar të ardhmen për të gjithë ne, në shtetin tonë të pavarur e demokratik. Mbi bindjet tona partiake, etnike e profesionale, ka dominuar ndjenja dhe nevoja e përbashkësisë për shtetin dhe qytetarët tanë", pohoi Kuçi.
Ndryshe, Kushtetuta e Kosovës ka filluar të hartohet qysh në fazën e bisedimeve për statusin. Dispozitat bazë kushtetuese janë në harmoni me parimet e pakos së Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Drafti i Projekt-Kushtetutës është certifikuar edhe nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, ndërkaq me nënshkrimin e sotëm, tani i mbetet Kuvendit që të caktojë seancën plenare kur do ta miratojë atë.
Sidoqoftë, hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës mundësohet vetëm pas përfundimit të fazës tranzitore, që llogaritet të jetë mesi i muajit qershor të këtij viti.