Ndërlidhjet

Petroviq: Punojmë për interesin e serbëve të Kosovës


Sllobodan Petroviq
Sllobodan Petroviq

"Pjesëmarrja në institucionet e Kosovës është në interes të komunitetit serb", thotë kryetari i Partisë Liberale, Sllobodan Petroviq. Ai shpreh keqardhje për qëndrimin e Qeverisë serbe, që u ka kërkuar t'i lëshojnë institucionet pas pavarësisë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq, ministri për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, pas pavarësisë së Kosovës ka thënë se të gjithë serbët duhet t’i lëshojnë institucionet e Kosovës. Ju, nuk e keni dëgjuar?

SLLOBODAN PETROVIQ
Një pjesë e Qeverisë së Republikës së Serbisë ka rekomanduar që të mos dilet në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit të kaluar.

Megjithatë, meqenëse ne jetojmë këtu dhe dëshirojmë që vetë të merremi me brengat tona, që siç edhe ka qenë slogani ynë, të udhëheqim vetë jetën tonë, kemi bërë atë që na ka thënë ndërgjegjja jonë, ashtu siç kanë menduar edhe njerëzit që kanë dalë në zgjedhje.

Natyrisht, tani, nga kjo perspektivë, shihet se kemi pasur të drejtë. Po ashtu, edhe pas deklaratës së 17 shkurtit, njerëzit që kanë dëgjuar porosinë e Samarxhiqit, sot shihen duke mbajtur grevë para qendrës Koordinuese Serbe.

Mua më vjen keq që ata u kanë besuar fjalëve të ministrit, duke marrë parasysh se tash është fushatë elektorale dhe në këtë kohë gjithçka është e mundur. Unë e di se kjo rrugë që e kemi zgjedhur, është shumë e rëndë dhe kërkon shumë punë, shumë angazhim dhe ka shumë sfida.

Unë jam njeri realist, i cili e di se situata në Kosovë nuk mund të ndryshojë brenda natës, që problemet e serbëve të Kosovës, të grumbulluara për shumë vite, nuk zgjidhen vetëm duke qenë pjesë e institucioneve, por nëse jeni në institucione, atëherë duhet të jepni angazhim të caktuar, pra duhet të punoni shumë.

Ne, natyrisht, kemi se për çka të lavdërohemi dhe natyrisht që tani jam edhe më i sigurt se kemi zgjedhur atë rrugë, që, para së gjithash, është në interes të komunitetit serb dhe meqë është në interes të komunitetit serb, është në interes edhe të vetë shtetit serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Në momentin e shpalljes së pavarësisë keni qenë jashtë institucioneve. Keni thënë se do të ktheheni duke këmbëngulur se është në interes të komunitetit serb. A është përmirësuar jeta e komunitetit serb për shkak të pjesëmarrjes suaj në institucione?

SLLOBODAN PETROVIQ
Pas 17 shkurtit, kanë qenë rrethana tjera dhe ne kemi bërë atë që kemi menduar se është më optimale, më reale në atë moment. Ajo që kemi bërë ne, ka qenë në marrëveshje me të gjithë bartësit e institucioneve në Kosovë dhe me komunitetin ndërkombëtar.

Dhe, nuk është se ne jemi kthyer pas kësaj, por ne thjesht kemi marrë pjesë me të gjithë kapacitetin tonë në punën e institucioneve.

Meqë më pyetët, mund të them me përgjegjësi të plotë se një nga ndikimet që kemi pasur, ka qenë zgjidhja e problemeve të barnave të dedikuara për komunitetin serb, një grumbull problemesh tjera, të lidhura me sigurinë, përkatësisht me sigurinë e qytetarëve dhe me ata njerëz që pas 17 shkurtit kanë lëshuar vendet e tyre të punës.

Natyrisht që këta njerëz vijnë te ne, në mënyrë që ne të veprojmë si garantues për kthimin e serishëm të tyre në institucione. Kjo nuk është e lehtë, por ky është mandati ynë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka konkretisht është zgjidhur me problemin e barnave? Behët fjalë për shpërndarjen apo jo?

SLLOBODAN PETROVIQ
Nuk është vetëm shpërndarja e barnave. Thjesht është dashur ta vëmë situatën në binarë. Ne e kemi mundësuar këtë, në mënyrë që probleme të tilla mos të përsëriten më.

RADIO EVROPA E LIRË
Problemet kanë qenë të natyrës procedurale. Si i keni zgjidhur ju ato?

SLLOBODAN PETROVIQ
Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar specifikat e atyre barnave, që vijnë në Kosovë dhe që i dedikohen komunitetit serb. Ne kemi treguar se jemi faktorë dhe partnerë. Dhe, nuk është vetëm kjo.

Programi ynë përfshin mbetjen e komunitetit serb ne Kosovë, përmirësimin e kushteve për jetesë dhe, së treti, kthimin dhe jo vetëm kthimin në kuptimin deklarativ, por kthimin real, i cili vërtet mund të jetë praktik dhe në atë drejtim kemi bërë përparime të mëdha.

Gjithsesi, Ministria për Kthim dhe Komunitete ka bërë disa projekte në atë drejtim. Ajo që mund të them me optimizëm të madh, është se ministria ka përfunduar projektin kapital, i cili i dedikohet komunitetit serb.

Bëhet fjalë për tri ndërtesa të mëdha banimi që do ndërtohen mes Graçanicës dhe Llapna Sellë. Mjetet i ka ndarë Qeveria e Kosovë dhe tashmë kemi edhe lejen e qeverisë lokale. Kjo do të shihet pas 8 ose 9 vjetësh.

Unë, sinqerisht, shpresoj se ndërtimi do të fillojë muajin e ardhëm. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq. Shpresojmë se me afrimin e konferencës së donatorëve, një pjesë e mjeteve do t’i dedikohet komunitetit serb.

Në këtë drejtim, ne jemi në përfundim të një projekti për ndërtimin e një vendbanimi urban për komunitetin serb, i cili do të zhvillohet në tri faza dhe dedikohet për 22 mijë njerëz.

Për këtë aktivitet kemi përkrahjen e Qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, përderisa për dikë jeni partner, të tjerët ju akuzojnë se keni pranuar pavarësinë e Kosovës?

SLLOBODAN PETROVIQ
Unë mendoj se kjo çështje është shumë e qartë. Kur u shpall deklarata e pavarësisë, ne nuk kemi qenë të pranishëm në Kuvend.

Dhe, gjithsesi, ne jemi pjesë e komunitetit serb, i cili në masë të madhe është kundër kësaj deklarate dhe asnjë njeri normal nuk do të pajtohej me konstatimin se ne i kemi kontribuar kësaj situate.

Ndërsa, rreth asaj se kush e ka pranuar pavarësinë e Kosovës e kush jo, koha do të tregojë se kush e ka çuar Kosovën në këtë drejtim. Gjithsesi, ne kemi pasur Ekipin Negocitaor të Republikës së Serbisë dhe të Qeverisë së Kosovës dhe aty duhet kërkuar përgjegjësia.

RADIO EVROPA E LIRË
A është e pranueshme për ju Kushtetuta e Kosovës, e miratuar së fundi? A kanë votuar deputetët e Partisë së Pavarur Liberale pro kësaj kushtetute, në të cilën Kosova definohet si shoqëri multietnike, kurse gjuha shqipe dhe ajo serbe janë zyrtare?

SLLOBODAN PETROVIQ
Ne nuk kemi marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe ka qenë realisht e pritur që nuk do të marrim pjesë në votim.

Ne nuk kemi pasur mundësi që të ndikojmë në atë kushtetutë, por ajo me të cilën jemi të kënaqur është se ne kemi ndikuar në ndryshimin e një neni, një ligji, ku tani shkrimi serb nuk do të jetë vetëm në formën latine, si dhe pjesëmarrja në institucione nuk është e kufizuar.

Gjëja kryesore në këtë mes është ligji për shtetësinë, i cili ka qenë më se i keq për komunitetin serb, ndërsa koha do të tregojë se çfarë domethënieje ka pasur.

Kushtetuta është akti më i lartë dhe ju mund të pajtoheni ose jo me të, por ajo duhet të respektohet. Kjo është sikurse klima, nuk mund të votoni për të, por ju mbetet që t’i përshtateni asaj.

RADIO EVROPA E LIRË

Është paralajmëruar organizimi i zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë në Kosovë, por UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës dhe, së fundi, Grupi i Kontaktit thonë se zgjedhjet lokale janë në kundërshtim me Rezolutën 1244. Cili është qëndrimi juaj?

SLLOBODAN PETROVIQ
Unë, vërtet, mendoj se nuk është mendim i mirë, që këto zgjedhje të organizohen pa pajtimin e UNMIK-ut dhe shihet se edhe Qeveria e Kosovës është kundër organizmit të këtyre zgjedhjeve dhe kjo duhet trajtuar me seriozitet.

Unë sinqerisht frikësohem se me aktivitete të tilla mund t’i shkaktojmë probleme komunitetit tonë, sepse nga çdo gjë që nuk e ka përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të institucioneve lokale, nuk pritet situatë e mirë, përkatësisht mund të priten aktivitete të ndryshme nga ana e atyre që kundërshtojnë këto zgjedhje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG