Ndërlidhjet

“Maqedonia s’e fton Kosovën në samit”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Pushimet verore po afrojnë, por ky fakt, si duket, nuk ka ndonjë ndikim tek autoritetet malazeze sa i përket një njohjeje të pritshme të pavarësisë së Kosovës. Njëjtë është situata edhe në Shkupin zyrtar. Maqedonasit tashmë janë në ethet e fushatës elektorale, ndërsa shteti kosovar për autoritetet e këtij vendi është inekzistent. Fqinjët s’po i kontribuojnë aspak paqes në këtë pjesë të Ballkanit, ndërsa qarkullimi i armëve në kufirin me Maqedoninë, apo shtimi i kontrabandës në kufirin me Serbinë, s’janë të rastësishme. Zyrtarë të Bashkimit Evropian paralajmërojnë ditë të tensionuara nga raportet e reja politike që janë krijuar pas shpalljes së pavarësisë nga shqiptarët. Në Evropë dhe më gjerë vërehet një mpirje ndaj republikës së Kosovës. Njohjet, ose janë të rralla, ose vijnë nga vende të largëta, për të cilat, nganjëherë dimë shumë pak...

EXPRESS
Me arsyetimin e nikoqirit se në kohën e bërjes së agjendës, nuk ka qenë e pavarur, presidenti Fatmir Sejdiu nuk është ftuar në Samitin e 15-të të presidentëve të nëntëmbëdhjetë shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që do të mbahet në Maqedoni. Samiti i 2 dhe 3 majit që zhvillohet në Ohër, ka për qëllim diskutimin e çështjeve rreth së ardhmes evropiane, perspektivës ekonomike dhe energjetike. Ndonëse samiti është një ndërmarrjet më të rëndësishme rajonale, në të nuk do të marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, meqë ai nuk është ftuar nga Shkupi zyrtar. Autoritetet në Prishtinë thonë se realiteti i krijuar më datën 17 shkurt në Kosovë nuk mund të anashkalohet. “Pavarësinë e Kosovës nuk mund ta anashkalojë askush”, ka thënë kryeministri Thaçi...

EPOKA E RE
Gjithnjë derisa të ekzistojë Rezoluta 1244 e këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të ketë edhe përgjegjësi të OKB-së në Kosovë, kurse forma e përhershme e këtij misioni të OKB-së duhet të përcaktohet, ka deklaruar të hënën shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Duke folur për misionin EULEX në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet tij dhe misionit ekzistues të UNMIK-ut, Ruecker i ka deklaruar BBC-së se është fakt që pjesëtarët e EULEX-it arrijnë në Kosovë, por që nuk dëshiron dyfishimin e përgjegjësive. “Në parim nuk dëshirojmë t’i dyfishojmë përgjegjësitë, duke pasur parasysh edhe obligimet tatimore ndërkombëtare porse a do të ketë bashkëpunim dhe çfarë do të jetë ai me EULEX-in, kjo mbetet të vendoset”, ka thënë Ruecker...

LAJM
Udhëheqësi i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Pavle, e ka shfrytëzuar sërish Festën e Pashkëve ortodokse për të rishfaqur opinionet e tij politike lidhur me Kosovën. Në kundërshtim me çdo parim moral e etik fetar, Pavle, në mesazhin tij të Pashkëve në Beograd, ka dënuar pavarësinë e Kosovës, duke apeluar te të gjithë serbët që të angazhohen me gjithë zemër, për të mbrojtur me çdo kusht “djepin e Serbisë”. Pavle e quajti mbështetjen e Perëndimit për pavarësinë e Kosovës, të padrejtë, si shkelje të integritetit kulturor dhe politik të Serbisë, Kreu i Kishës Serbe në mesazhin e tij e quan Kosovën pjesë integrale të jetës së çdo serbi të krishterë ortodoks në botë...

NACIONAL
Të marrësh mendimin e një analisti në Kosovë, nuk do të thotë se u ke treguar lexuesve, dëgjuesve ose shikuesve mendimin e pavarur të tij. Në shumicën e rasteve u ke treguar mendimin e partive politike që ata përfaqësojnë. Kjo i bie që vetëm ua ke ndërruar petkun e politikanëve dhe asgjë më shumë. Edhe vetë analistët tregojnë se ka shumë raste të tilla. Publicisti Migjen Kelmendi mendon se pyetja se a ka mendim të pavarur edhe pse duket se është e tepërt në një vend demokratik, ku pretendohet se shtypi është i lirë, se shoqëria është e ndërtuar mbi ligje, mbi të drejta, mbi parime, prapëseprapë kjo pyetje është legjitime dhe duhet të shtrohet. Sipas tij, kjo varet më së shumti nga vetë formimi i atyre që japin mendime publike, që janë intelektualë publikë, varet nga pavarësia e tyre ekonomike, nga edukata e tyre, nga formimi i tyre intelektual dhe shkollor...

ZËRI
Diplomacia ruse me këmbëngulje po mundohet që ta ndryshojë drejtimin e paraparë të rrjedhave në Kosovë, sa i përket pranisë ndërkombëtare. Tashmë dihet që të thuash nuk ka fare gjasa, pos tjerash, jo vetëm për shkak të presioneve të vazhdueshme të Moskës zyrtare, por edhe në vijim të hezitimeve të Ban Ki Moonit, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, që UNMIK-u ta përmbyllë në plotësi misionin e detyrën e tij më 15 qershor të këtij viti, kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Hyrja në fuqi e këtij dokumenti themelor ligjor të Kosovës nënkupton që pushtetit do të duhej të bartej në tërësi prej administratës ndërkombëtare tek ai kosovar, gjë që po ashtu do të kishte domethënien e marrjes së roleve të tyre nga ana e ICO-së dhe EULEX-it. Ky variant i pastër i përfundimit të misionit të UNMIK-ut, i cili nisi më 10 qershor të vitit 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së, duket tashmë i lënë pas dore. Në zëvendësim të tij janë duke u kërkuar solucionet, sipas të cilave UNMIK-u do të vazhdonte të qëndrojë në Kosovë, të cilën gjë zaten e ka paralajmëruar edhe vetë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, por duke iu përshtatur realitetit të ri në Kosovë...

BOTA SOT
Ministri i Mbrojtjes i Luksemburgut, Jean Louis Schiltz, konfirmoi se vendi i tij do të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë edhe për pesë vjetët e ardhshëm, duke ndarë kështu 30 milionë euro. Në takimin që ka zhvilluar me kryeministrin Thaçi, ministri Schiltz vlerësoi se pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka shënuar progres në fushën e legjislacionit, duke theksuar miratimin e Kushtetutës dhe të një varg ligjesh që mbrojnë të drejtat e minoriteteve. Ai i ka premtuar kryeministrit Thaçi se vendi i tij do të ofrojë mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin social dhe ekonomik...

INFOPRESS
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ishte në Kosovë për festën e Pashkëve ortodokse, ndërkaq fjalori i tij para serbëve të këtushëm ishte ai i vjetri. Përveç liturgjisë, Tadiq e shfrytëzoi vizitën e tij edhe për marketing politik, meqenëse zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi pritet të mbahen më 11 maj. Ndërkohë, për këto zgjedhje kanë filluar përgatitjet edhe në lokalitetet serbe në Kosovë, pavarësisht se nga autoritetet e këtushme kundërshtohen ashpër, sidomos pretendimet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovën e pavarur. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, kanë kundërshtuar edhe të hënën mundësinë e zgjedhjeve serbe në Kosovë, duke i cilësuar ato si jolegjitime dhe ta papranueshme... Presidenti Sejdiu ka thënë se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, ndaj nuk mund të jetë zonë zgjedhore për askënd...

KOHA DITORE
Është duke u shtuar numri i pikëpyetjeve rreth qëllimit të Bashkimit Evropian për të marrë përsipër përgjegjësinë e policisë në Kosovë nga Kombet e Bashkuara në qershor, kur ende asnjë marrëveshje nuk është bërë ndërmjet këtyre dy trupave rreth kalimit të përgjegjësive, thonë diplomatët. Në njërin prej misioneve më të mëdha që është ndërmarrë ndonjëherë nga blloku evropian, BE-ja është pajtuar vitin e kaluar se do të ngrenë një operacion nga 2.200 mbikëqyrës policorë, gjyqtarë dhe njerëz të profesioneve të tjera të kësaj dege, me shpresën se do të kalonte lehtë nga çfarëdo turbulence të ndarjes së diskutueshme të Kosovës nga Serbia...
XS
SM
MD
LG