Nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, qindra veta kanë protestuar sot në rrugët e Prishtinës, për të kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Protestuesit kanë hedhur mbeturina dhe ujëra të zeza të kanalizimit në ndërtesën e UNMIK-ut, duke i hedhur fajin për lejimin e organizimit të këtyre zgjedhjeve.
Ndërkohë që njësoj është vepruar edhe ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë se po pajtohet me gjithçka që i servohet nga Serbia dhe UNMIK-u.
Ndërsa një kamion me mbeturina po zbrazej dhe hidhej në oborrin e selisë së administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa po hidheshin dhe ujëra të zeza në këtë ndërtesë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës, me vetë faktin se po lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, po lejojnë cenimin e integritetit të Kosovës.
“Strukturat e Serbisë në Kosovë e kanë kontrolluar për nëntë vjet me radhë një të katërtën e territorit të Kosovës. Tash këto struktura po
Gjatë gjithë kohës, ndërtesat e institucioneve të Kosovës dhe administratës ndërkombëtare janë siguruar nga policia vendore dhe ajo ndërkombëtare.
Ndërkaq, protestuesit në vazhdimësi kanë brohoritur kundër UNMIK-ut, Qeverisë së Kosovës, kundër pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, por kishte edhe brohoritje tjera që mbështesnin vetëvendosjen dhe thirrjet “UÇK”..., UÇK”.
Albin Kurti tha se protesta e sotme nuk është kundër bashkësisë ndërkombëtare, por ajo kërkon që komuniteti ndërkombëtar të mos qeverisë dhe administrojë me Kosovën, por ta ndihmojë atë që të qeveriset vet.
Ndërkohë që shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha sot se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, më 11 maj, është "e papranueshme" dhe se qëllim i mbajtjes së tyre është formimi "i strukturave paralele dhe ilegale të Serbisë".
Ai përsëriti se mbajtja e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe se rezultati i tyre nuk është i vlefshëm.
