Ndërlidhjet

NYT: Shteti hebrej mbush 60 vjetë


New York Times

Këtë javë Izraeli shënon 60 vjetorin e krijimit. Ky përvjetor është shoqëruar me shumë urime të rastit, disa prej të cilave tepër emocionale e natyrisht edhe me shumë reflektime mbi kuptimin e kësaj ngjarje.

Por nuk munguan as zërat kundërshtues.

Izraeli është "një trup që qelbet", tha Mahmud Ahmadinexhad. "Ata që mendojnë se mund ta ngjallin trupin që qelbet, të regjimit uzurpues dhe të sajuar të Izraelit, janë të gabuar", tha presidenti i Iranit, vend që ka raporte të mira tregtare me shtete si Gjermania dhe Rusia.

Natyrisht shkrimi nuk ka për qëllim të merret me deklaratat e Ahmadinexhadit, pasi nuk e meritojnë. Por duhet të çmohet dhe nderohet lëvizja Cioniste dhe njerëz si Weizmann dhe Jabotinsky, Ben Gurion dhe Begin, të cilët mundësuan thuajse si mrekulli rikthimin e popullit izraelit në vitin 1948. E natyrisht duhet të njihet merita e mbrojtësve të mëdhenj të Izraelit, burrë shtetasve si Harry Truman, Richard Nixon dhe George Bush.

Natyrisht nuk mund të mos kujtohet me ngazëllim novelisti George Eliot, i cili e ngriti çështjen e cionizmit në 1879, 17 vjet para daljes së veprës së Theodor Herzlit "Shteti hebrej".

Çuditërisht që në ato kohë deri tani urrejtja për hebrejtë nuk ka kaluar. Kujtoj sërish komentet e Ahmadinexhadit, të cilat janë bërë jo vetëm në 60 vjetorin e krijimit të Izraelit, por dhe në 75 vjetorin e ardhjes në pushtet të Hilerit. Nuk mund të harrohen këto data duke parë dobësinë e Perëndimit përballë regjimit të sotëm iranian.

Me ardhjen e Hitlerit në pushtet dhe me vendosjen e parimeve të tij vrasëse, bota e qytetëruar ishte e dobët. Thirrjet e Çërçillit për të vepruar u injoruan.
Bota u zhyt në luftë. Dy të pestat e botës hebreje u vranë.

Krijimi i shtetit të Izraelit premtonte më shumë shpresë për të ardhmen, jo vetëm për hebrejtë, por për njerëzimin në përgjithësi.
Në këtë 60 vjetor mund të themi pa drojë se gjashtë dekadat e fundit kanë qenë të mbushura me më pak tmerre dhe ishin më njerëzore se periudha para 60 viteve.

Por pyetja shtrohet çfarë pritet në të ardhmen?

Më 10 Djetor 1948, Çërçilli, atë botë udhëheqës i opozitës në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik kërkoi nga laburistët në pushtet të njihnin shtetin e Izraelit me këto fjalë:

"Zotërinj të nderuar, pavarësisht nëse na pëlqen e vërteta ose jo krijimi i shtetit izraelit në Palestinë është një ngjarje që duhet parë në perspektivën e historisë botërore, por jo në persepktivën e një brezi apo një shekulli, por në dritën e një mijë e madje dy dhe tre mijë vjetëve."

Në 2008 mbrojtja e shtetit të Izraelit dhe çdo gjë që ka të bëjë me të kërkon kurajë dhe vendosmëri, çfarë ndoshta nuk është shumë në përputhje me ritmin e politikës ditore dhe papërgjegjshmërinë që karakterizon kohën në të cilën jetojmë.

Sot, ndonëse siguria e Izraelit është sërish në rrezik, hebrejtë në dallim nga viti 1930 janë në gjendje të mbrojnë veten. Edhe Shtetet e Bashkuara janë të vullnetshme të luftojnë për lirinë.

Amerikanët e ndjejnë se ekzistenca e Izraelit në një masë përfaqëson humbjen e totalitarizmit gjenocidial të shekullit të XX-të.

Ata e kuptojnë se në linjën e parë të mbrojtjes së sotme është rezistenca ndaj terrorit të xhihadit dhe nihilizmit vetvrasës, që kërcënojnë të deformojnë shekullin e 21-të.

Ashtu si shkruante Eric Hoffer në vitin 1968 "nëse Izraeli zhduket holokausti do na sundojë".

XS
SM
MD
LG