"Washington Post"
Në 60 vjetorin e lindjes së shtetit të Izraelit, e përditshmja amerikane “Washington Post” rikujton shkrimin e kësaj gazete më 16 maj të vitit 1948, mbi njohjen e shpejtë që presidenti i atëhershëm amerikan, Harry Truman, i bëri Izraelit dhe reagimeve të dhunshme të vendeve fqinje arabe, më 21 maj të të njëjtit vit.
Shteti i Izraelit
16 Maj 1948
Vendimi i ngutshëm i presidentit Truman për të njohur edhe de facto autoritetin e qeverisë provizionale të shtetit të ri izraelit në Palestinë, ka nxitur shqetësime në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe befasi në mbarë botën.
Diplomatët janë të shokuar pse Shtetet e Bashkuara aq befasishëm kapërcyen politikën e konfuzionit dhe jovendosmërisë mbi Palestinën, për të kaluar tek një veprim pozitiv, të ndërmarrë me një ngutshmëri të pashembullt. Siç duket, edhe përfaqësuesit amerikanë në Asamblenë e Përgjithshme ishin të papërgatitur për këtë arritje të njohjes së shtetit të Izraelit, vetëm 20 minuta pas shpalljes.
Për këtë seri veprimesh të rrotulluara të administratës amerikane ekziston një fakt i arsyeshmërisë. Që prej synimeve të Asamblesë së Përgjithshme në nëntor të 47-ës për të ndarë Tokën e Shenjtë, administrata amerikane ka punuar për të gjetur zgjidhje mbi këtë problem vetëm nëpërmjet Kombeve të Bashkuara.
Por, asnjë marrëveshje nuk ka mundur të arrihet në Këshillin e Sigurimit për krijimin e një force ndërkombëtare dhe çdo nismë që është propozuar që prej atëherë, ka dështuar të sigurojë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.
Me njohjen e Izraelit, Shtetet e Bashkuara vepruan vetëm mbi bazën e përgjegjësisë së vet, duke lënë të kuptohet se kjo administratë është e gatshme ta përmbyllë kapitullin e pavendosmërisë në frontin ndërkombëtar dhe të përballet me realitetin e tanishëm me një vendosmëri.
Shteti i ri hebreit është një fakt arritjeje dhe alternativa e vetme përballë anarkisë. Deklarata e pavarësisë së këtij shteti zotohet për një vendosmëri të fuqishme për mbijetesën, për barazi sociale dhe politike për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga raca, besimi apo gjinia, dhe për kontribut në përparimin paqësor dhe rindërtimin e Lindjes së Mesme.
Paqja e rrezikuar
21 Maj 1948
Është e rëndësishme të mbahet në mend se të gjithë anëtarët e koalicionit të brishtë, të njohur si Liga Arabe, kanë ambicie të ngjashme. Ata janë më të gatshëm të aneksojnë një pjesë të Palestinës Arabe dhe jo të nisin një luftë të shenjtë mbi Izraelin.
Pa asnjë dyshim, një sërë kërcënimesh kundër paqes në Lindjen e Mesme tani ekzistojnë. Pas angazhimeve për ndarjen e Izraelit, janë Kombet e Bashkuara ato që për të rivendosur prestigjin e vet në Lindjen e Mesme, duhet të vendosin një rregull armëpushimi, të emërojnë një emisar të kalibrit të lartë dhe të godasin me sanksione ato vende që refuzojnë të binden.