Ndërlidhjet

Mandati i KFOR-it i njëjtë edhe pas 15 qershorit?


Admirali Mark Fitzgerald
Admirali Mark Fitzgerald

“Mandati i KFOR-it do të mbetet i njëjtë, përderisa nuk do të ketë ndonjë vendim politik substancial”, ka thënë komandanti i lartë i NATO-s, admirali Mark Fitzgerald.


Ashtu siç është e paqartë faza e tranzicionit në Kosovë, mbetet i paqartë edhe mandati i KFOR-it pas 15 qershorit, kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, dhe rrjedhimisht transferimi i kompetencave prej UNMIK-ut te institucionet vendore dhe misioni i BE-së.

Kjo gjë është pohuar sot nga vetë komandanti i Komandës së Bashkuar të Forcave Aleate në Napoli, admirali Mark Fitzgerlad.

“Mandati ynë mbetet i njëjtë. KFOR-i ende mbetet nën mandatin e Rezolutës 1244. Ne do të punojmë me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe do të koordinohemi me autoritetet në vend. Kështu që mandati ynë nuk do të ndryshojë, forcat tona do të mbeten këtu dhe do të ruajnë sigurinë”,
tha admirali Fitzgerald, gjatë një vizite që i bëri Kosovës.

Admirali amerikan ka thënë se të vetmin udhëzues nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel kanë respektimin dhe veprimin në bazë të Rezolutës 1244.

Admirali Fitzgerald pranon se periudha e pas 15 qershorit do të jetë sfiduese, për shkak të paqartësisë së rolit të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

“Sa i përket të ardhmes, sigurisht se ka sfida. Do të shohim se cili do të jetë roli i OKB-së, EULEX-it. E kur të vijë në pyetje çështja jonë, do presim udhëzues tjerë, por aktualisht respektojmë Rezolutën 1244”, tha admirali Fitzgerald, i cili nuk parasheh të ndodhë ndonjë ndryshim në strukturën aktuale të forcave paqeruajtëse të NATO-s, të vendosura në Kosovë.

“Aktualisht nuk planifikojmë ndryshime në strukturën e forcës sonë, të mandatit tonë. Sigurisht se ka gjëra që mund të ndodhin në aspektin politik, të cilat mund të ndryshojnë këtë, por tani mandati ynë nga Brukseli mbetet i njëjtë”, tha admirali amerikan.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali francez, Xavier Bout De Marnhac, ka pranuar se janë duke shikuar me vëmendje zhvillimet politike në rrafshin ndërkombëtar, që kanë lidhje me Kosovën.

“Ne po shikojmë dhe po presim për zhvillimet politike, por përderisa nuk ka ndryshime domethënëse, ne do të respektojmë Rezolutën 1244”,
tha gjenerali De Marnhac.

Ndryshe, i paqartë mbetet edhe më tej trajnimi i Forcës së ardhshme të Sigurisë, ngritja e së cilës forcë, në bazë të pakos së Ahtisaarit, duhet të ndihmohet nga forcat e NATO-s. Përfaqësuesi i lartë ushtarak i NATO-s thotë se kjo çështje ende është duke u diskutuar në nivelin politik.

Ndërkaq, përderisa në këtë periudhë numri i trupave të KFOR-it mbetet i pandryshuar -16 mijë - reduktimi i mundshëm i KFOR-it, sipas admiralit Fitzgerlad, mund të marrë kohë.

“Do të ketë reduktim kur tensionet të fillojnë të ulen, kur të ketë qeveri stabile. Ne marrim për bazë tensionet politike, atmosferën politike dhe marrëveshjet mes partnerëve ndërkombëtarë. Do të ishim të lumtur po të fillonim reduktimin”, thotë admirali amerikan.

Ndryshe, Mark Fitzgerlad, që është edhe komandant i flotës detare amerikane në Evropë, ka vizituar Mitrovicën, ku u ka bërë thirrje shqiptarëve dhe serbëve që të ruajnë qetësinë, t’i rezistojnë dhunës dhe të jenë të përmbajtur gjatë procesit të pajtimit.
XS
SM
MD
LG