Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, institucionet vendore do të ushtrojnë autoritetin e tyre në gjithë territorin e Kosovës, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi. Kryeministri kosovar tha se nuk sheh pengesa të funksionimit të institucioneve vendore, për shkak të mundësisë së mbetjes së UNMIK-ut në Kosovë edhe pas 15 qershorit.
Thaçi tha se bashkësia ndërkombëtare do të ketë një adresë vendimmarrëse civile dhe nuk do të ketë dyfishim të misioneve nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Sipas tij, të gjitha paqartësitë aktuale rreth misionit të UNMIK-ut dhe rolit që ky mision do të ketë pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta dhe kur pritet që BE-ja të shtrijë misionin e vet në Kosovë, do të tejkalohen.
“Ne duam të besojmë plotësisht se do të kemi një qendër të vendimmarrjes dhe një adresë civile ndërkombëtare, me rolin shumë të respektuar deri më tani të Kombeve të Bashkuara. Pas datës 15 qershor, institucionet e Kosovës do të funksionojnë në tërë territorin e Kosovës, me autoritet të plotë shtetëror që del nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.
Ndërsa u shpreh optimist se gjërat në Kosovë nuk do të komplikohen, kryeministri Thaçi e pranoi se gjendja në pjesën veriore të Kosovës, megjithatë, nuk është e mirë dhe e cilësoi si të papranueshme.
“Atje është një gjendje jo e mirë, e papranueshme për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Por, edhe përgjegjësia jonë me autoritetet ndërkombëtare është rritur dhe jemi duke punuar bashkë me autoritetet ndërkombëtare që të lëvizim gradualisht me hapa të progresit të veçantë dhe konkretë”, tha Hashim Thaçi.
Gjendja në pjesën veriore të Kosovës është vlerësuar si komplekse edhe nga ambasadori britanik në Prishtinë, Anrdy Sparks. Pas një takimi që ai zhvilloi me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ambasadori britanik tha se në këtë pjesë të Kosovës do të jetë tejet delikate shtrirja e misionit të EULEX-it, por përsëriti qëndrimin e BE-së se EULEX-i duhet të ketë shtrirje në gjithë territorin e Kosovës pa dallim.
Kosova ka nevojë që të qartësohet roli i misionit civil ndërkombëtar, tha ambasadori Sparks, përderisa në këtë moment, sipas tij, nuk mund të parashikohet nëse EULEX-i do të pranojë apo jo të hyjë nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara.
“Çështja e misionit të EULEX-it dhe ajo e UNMIK-ut janë diskutuar, por se si do të vendoset në fund, kjo do të qartësohet ditëve të ardhshme”, tha ambasadori Sparks.
Në anën tjetër, Ramush Haradinaj tha se autoritetet vendore dhe ndërkombëtare parashihen me Kushtetutën e Kosovës dhe se ato janë institucionet që duhet të udhëheqin apo funksionojnë në Kosovë pas 15 qershorit.
“Mendoj se kur themi qartësi, nuk nënkuptojmë shumë akterë, por dhënien e përgjegjësive dedikuar akterëve që i parasheh Kushtetuta e Kosovës, që nënkuptojmë institucionet e Kosovës dhe ICO dhe EULEX”, tha Haradinaj.
Bazuar në pakon e Ahtisaarit, si marrëveshje për statusin e Kosovës, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, institucionet e Kosovës marrin mbi vete më shumë përgjegjësi shtetërore.
Por, mbetja e UNMIK-ut në Kosovë për shkak të mos-shfuqizimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, besohet se mund ta sfidojë edhe misionin e BE-së në Kosovë, EULEX, i cili ka përgjegjësi në fushën e policisë, gjykatave dhe doganave, të cilat aktualisht i ka nën kompetencë UNMIK-u.
Andaj, mbetet te autoritetet ndërkombëtare që të negociojnë lidhur me rolin e UNMIK-ut pas 15 qershorit dhe shtyrjes eventuale të mandatit të UNMIK-ut, apo si e quajnë Kombet e Bashkuara, rikonfigurimin e UNMIK-ut, duke e përshtatur atë me rrethanat e reja në Kosovë.